Kolumnist

Çdo vonesë është e dëmshme për Kosovën - Nga Enver Bytyçi

Serbia e Aleksandër Vuçiç dështoi të dielën e kaluar, me 24 shtator, të destabilizojë Kosovën, Veriun e saj dhe ndoshta edhe rajonin. Qëllimi i saj ishte kthimi i katër komunave të Veriut de facto në tokë serbe. Vuçiç nuk e kishte parashikuar dështimin. Ai besoi se strukturat e krimit shtetëror serb, ushtria, BIA, policia, forcat speciale, kisha do ta kryenin me sukses aksionin e aneksimit de facto të Veriut. Kështu ai do të shkonte në dialogun e Brukselit si triumfator dhe do të thoshte se “Serbët e Kosovës nuk duan të jetojnë në shtetin e Prishtinës”. Pra presidenti i Serbisë provokoi situatën, të cilën Vladimir Putin e provokoi në Krime dhe në Donbas. Por dështoi.

Dështimi është zhgënjim. Por edhe parathënia e një hakmarrjeje tjetër dhe rritje e dozës së urrejtes ndaj “armikut”. Aleksandër Vuçiç nuk është nga ata që heq dorë nga qëllimet e tij. Madje ai e tha hapur: -Mund të na vrisni të gjithëve, por ne Kosovën nuk e njohim. Më troç se kaq nuk thuhet asgjë. Do të thotë se ai do të luftojë për Kosovën. Do të organizojë të tjera sulme terroriste. Do të paguajë më shumë dinarë, euro e dollarë për shërbëtorët e tij në Kosovë, në Shqipëri e kudo që ata gjenden. Do të instruktojë Shtabin e përgjithshëm, shefin e BIA-s, Vulinin, kreun e Kishës Ortodokse, Radojçiçin ekzistent ose të ri, që herën tjetër të kenë kujdes e të mos gabojnë në sulmet terroriste kundër shqiptarëve dhe Policisë së Kosovës.

Në këto kushte euforia është armiku kryesor i shqiptarëve, i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Nuk ka rrugë tjetër, përveçse rritjes së gatishmërisë dhe përgatitjeve intensive për të përballuar provokacione e sulme të reja nga ata që nuk dinë të ndalen në aktet terroriste. Kosova i ka të gjitha kapacitetet që të parandalojë çdo akt terrorist serb në territorin e saj. Por qeveria dhe presidentja duhet të kërkojnë urgjentisht jo vetëm lejen që ushtria dhe forcat e sigurisë të kenë akses në të gjithë territorin e vendit, por edhe pranimin në NATO. Çdo vonesë është e dëmshme për Kosovën, rajonin e vetë strukturat euro-atlantike.

© Enver Bytyçi