Kurti i Kosovës, apo Albini i gjithë shqiptarëve - Nga Ilir Gjini
Albin Kurti me qëndrimet e tij të vendosura në mbrojtje të Kosovës dhe me staturën e një politikani të pakorruptuar, është kthyer në një idhull të shqiptarëve brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare.
Binomi politikë-korrupsion që si re e zezë mbështjell politikën shqiptare sidomos në atdheun mëmë Shqipëri, nuk ka mundur të cënojë sado pak portretin e pastër të Kurtit. I imponuar në politikë me qëndrime shpesh radikale, majtiste apo “antisistem”, Kurti i Kosovës po shndërrohet në Albinin e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Para disa ditësh takova rastësisht në një aktivitet në Toronto një të ri me origjinë nga Kosova. E njoha nga emri që mbante badge-a e tij, Etnik. Edhe pse i lindur e rritur në Toronto, kur e pyeta për politikanin që adhuronte, u përgjigj pa droje, Albin Kurti. Është pikërisht Albin Kurti pasqyra ku kryeministri ynë sheh portretin e vet të plakur. Të plakur jo nga mosha, se të gjithë plaken një ditë. Të plakur e të rrudhur nga korrupsioni galopant që gërryen financat e mpakura të shtetit, për të mufatur xhepat e qeveritarëve të vet.
Dhe për të mbuluar këtë mynxyrë korruptive, e për të zgjatur pa limit qëndrimin në pushtet, nxjerr nga sirtaret e mykura të propagandës, projekte antikombëtare si “Ballkani i Hapur”, që ngjasojnë shumë me bashkimin doganor e monetar që bëri dikur diktatori Hoxha me Jugosllavinë e Titos. Ky projekt çoi në vrasjen e prodhimit vendas sidomos atij blegtoral, gjë që ndikoi në shpopullimin e fshatit dhe në emigrimin masiv të shqiptarëve.
E nëse brenda Shqipërisë pushtetin e Ramës nuk e cënon askush, pasi opozita e copëtuar as që mund ta pickojë e jo më rrëzojë nga froni, ndërsa media në shumicë e blerë vetëm i bën fresk “sukseseve” nga “fitorja në fitorje”, jashtë vendit, atë e rrezikon e sfumon vetëm Albin Kurti. E sfumon, sepse është i ndershëm, i pa shatazhueshëm. Sepse ai kurrë nuk bën pazare në kurriz të çështjes kombëtare, për të mbajtur pushtetin, sikundër Rama.
Ngjarjet e fundit që ndodhën në Veriun e Kosovës ku një grup terrorist i mirëtrajnuar nga strukturat e shtetit serb, tentoi të krijonte një enklavë të shkëputur serbe në Veri, bëri që të gjithë kritikët e Kurtit të kafshonin gjuhën. Lideri ynë “global” që “ia bëri 8 me 2” edhe ambasadorit rus në OKB, nuk pati kurajon as ta përmendte Serbinë si organizatore e mbështetëse e këtij sulmi. Edhe parlamenti shqiptar në rezolutën e vet nuk e përmendi Serbinë, por falë isistimit të opozitës, u vendos një kompromis ku mbështeste Parlamentin e Kosovës.
Pikërisht për portretin e tij të pastër dhe përkushtimin ndaj atdheut, Kurti i Kosovës është Albini i gjithë shqiptarëve.
© Ilir Gjini - Toronto










