Kolumnist

Dy racat dominante dhe Shqipëria - Nga Ilir Levonja

Në gjithë këtë debatin e madh që është futur Shqipëria, askush nuk ka vënë re dy racat dominuese që po e vdesin pikërisht Shqipërinë. Dy aleancat bajate, që sot janë konsoliduar aq natyrshëm pavarësisht së shkuarës me tendenca shfarosjeje karshi njëra-tjetrë.

Raca e parë është ajo e komunizmës, pavarësisht kapitalit, ekonomisë së tregut etj. Ata po dominojnë me propagandë. I kanë të gjitha, kapitalin, drejtësinë, shtypin, burgjet, përfshi këtu edhe arsenalin e dikurshëm, edhe atë të kampeve të internimit..., kanë tokën apo botën, qiellin, detin. Por prapë nuk ngopen. Diçka e kanë të pezmët dhe vazhdojnë të dominojnë me dhele të dhunshme. Nuk e mendojnë kurrë rrotacionin, kurrë.

Raca e dytë është ajo e ish-Berishëve, apo ish-Berishët. Sot janë në një aleancë të paparë me qeverinë pasi për një mijë e një arsye, Berisha që dje ishte gjeniu i demokracisë, sot është kryekomunisti më i madh. Bile më fashisti, më nazisti, më diktatori etj.

Por unë nuk do merrem me Sali Berishën, pasi ai i del zot vetes edhe kur drejtësia vepron njësoj si në Rusinë e Putinit dhe në Turqinë e Erdoganit. Saliu ka hedhur në gjyq edhe vetë Amerikën dhe pavarësisht moshës, e ka vitalitetin t'i bëjë ballë të gjithëve.

Jam marrë me të kur ishte në pushtet, kur ndryshonte Kushtetutën bashkë me Edi Ramën, sidomos në uljen e përqindjes për pragun zgjedhor. Atëhere ishte një kor i tërë hienash që të mbysnin, nuk të linin gurë shtëpie pa ta shkërdhyer. Edhe nga puna të hiqnin. Nuk e kishin problem të degdisnin edhe në kurbet.

Këta ish-Berishët janë sot raca dominante që paralelisht me pushtetin, të shesin gjithë këtë zallamahi për arritje të reformave në drejtësi. Në fakt kjo është një luftë e pastër e të fuqishmëve në vendin tonë. Shqipëria e mjerë ka histori me grupe të fortish në qytete, ai lagjes së urës dominonte gjysmën e kazasë dhe gjysmën tjetër e dominonte ai i lagjes së stacionit të trenit.

Eshtë pikë për pikë i njëjti skenar i adoptuar edhe në kupolën e lartë. Të gjithë rrjedhin nga pallatet me kontribute vullnetare një apo dy dhoma me guzhinë, ku gatimin e bënin në banjo me furnelë vajguri. Sot i keni po njësoj, veçse jo më me hyrje pallati nga ndërmarrjet, por me vila.

Prandaj në tridhjetë e kusur vite demokraci është instaluar kultura e të fortit dhe jo e ligjit dhe e të drejtave të njeriut. Këto dy raca aleate, komunizma dhe ish-Berishët, duke i plotësuar qokat njëri-tjetrës nuk është se po vendosin ligjin, shtetin e së drejtës etj., asesi. Thjesht vulosën dominancën e tyre, madje edhe për një mandat tjetër 10 vjeçar. Po lum kush e kupton.

© Ilir Levonja