Interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve shkon përtej atij të PD - Nga Milaim Nela
Duke marrë shkas nga prononcimi i sotëm i Dr. Sali Berishës se Partia Demokratike nuk do organizojë protesta kundër Italisë pasi mund të quhen ksenofobike, desha të shtjelloj më tej opinion tim të shprehur dje publikisht.
Personalisht, pavarësisht motiveve të Dr. Berishës për të dalë me qëndrimin e sotëm, që në fakt ishte vazhdim i qëndrimit të tij të para disa ditëve se PD nuk do të organizojë protesta, gjykoj se ai dhe PD kanë rënë bash në grackën që ka ndërtuar Edi Rama dhe vendimarrësit e tjerë të marrëveshjes me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Personalisht gjykoj që çështja e hapjes së qendrave të ndalim-izolimit në Shqipëri është një çështje kaq serioze, saqë e tejkalon edhe interesin e një partie politike, siç është Partia Demokratike. Ndaj dhe për këtë arsye do shpreh disa pikëpamje dhe sqarime që i vlejnë publikut dhe çmontojnë kurthet e Edi Ramës dhe patronazhistëve të tij.
Pse refuzimi i shqiptarëve dhe protestat ndaj këtij vendimi nuk mund të jenë ksenofobe?
Së pari, azilkërkuesit që planifikohen të sillen në Shqipër nuk janë azilkërkues që po kërkojnë azil politik apo ndihmë nga autoritetet shqiptare në bazë të Konventës së Refugjatëve të vitit 1951, por ata po sillen në Shqiperi forcërisht në bazë të një marrëveshjeje, që në radhë të parë cënon të drejtat njerëzore elementare të tyre, pasi ata sillen si të burgosur në një vend që ata nuk e kanë zgjedhur. Shqipëria e ka detyrim ligjor dhe njërezor të pranojë me krahëhapur këdo që kërkon azil politik në territorin e saj të saj, pasi ka kaluar kufirin shtetëror, në bazë të ligjeve në fuqi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pra një protestë e shqiptarëve nuk do ishte kunder azilkërkuesve por bash për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Shqipëria duhet të pranojë këdo, pavarësisht ngjyres dhe origjinës nëse ai/ajo kërkon ndihmë nga Shqipëria, por nuk mund të shëndërrohet në një territory burg si Guantanamo Bay e Kubës.
Së dyti, duke pranuar kontigjente azilkërkuesish në territorin e saj nga Italia në kundërshtim me të drejtat universale të njeriut, në shkelje edhe të konventave ndërkombetare, Shqipëria bëhet praktikisht pjësëmarrëse në një shkelje flagrante të këtyre të drejtave bashkë me shtetin italian.
Protesta e mundshme bile tepër e vonuar e shqiptarëve nuk do ishte aspak një akt ksenofobie, por në radhë të parë një akt i mbrojtjes së të drejtave të këtyre njerëzve fatkeqë.
Së treti, marrëveshja me Melonin nëse do zbatohej do t’i hapte rrugë marrëveshjeve të ngjashme me vendet e tjera si Austria, Gjermania, Franca,duke e shëndërruar Shqipërinë në një burg të stërmadh për njerëzit e pambrojtur mes të cilëve do të ketë në mënyrë të pashmangshme elementë terroristë dhe kriminelë të rrezikshëm. Shqipëria nuk ka as mjete logjistike e as kapacitete për mbrojtjen e shtetit të saj fraxhil dhe qytetarëve te vet nga ky kontigjent.
Mungesa e sigurisë dhe e mbrojtes nga Shqipëria u provua edhe me muxhahidinët që i shkaktuan probleme shumë serioze Shqipërisë dhe sigurisë së saj.
Shqipëria jo vetëm do t’i largohej Europës, por do bëhej një problem shumë serioz sigurie për fqinjët e saj veriorë si Mali i Zi dhe Kosova, pse jo edhe Kroacia, duke rrezikuar ndalimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e saj po e po, por edhe për vendet të cilat sa i përmenda (kuptohet jo Kroacia, pasi ajo është anëtare e BE-së).
Shqipëria nuk ka kapacitete për të mbrojtur qytetaret e saj pasi nuk plotëson minimumin jetik për të vobektët e saj pa le më të plotësojë nevojat minimale të refugjatëve të huaj.
Shqipërisë po i ikin punëtoret, mësuesit, mjekët, infermieret. Shqipëria nuk ka kapacitete as t’iu mesojë gjuhën këtyre fatkeqeve sepse nuk ka kush t’ua mësojë.
Ardhja në numra të tillë e azilkërkuesve nga Italia do të shkatërrojë edhe atë pak ekonomi që vjen nga turizmi, sepse askush nuk vjen me pushime në një vend ku i kërcënohet siguria e familjes dhe e fëmijëve.
Pikëpyetja më serioze që askush nuk e ka adresuar deri më sot është çfarë do bëhet me mbi 95% të atyre të cilëve iu refuzohet azili nga autoritetet italiane?
Vetëm sot gjiganti mediatik BBC duke folur për mareveshjen Rama-Meloni tha që do kthehen në Itali vetëm ata të cilëve do iu pranohet kërkesa për leje qëndrimi në Itali. Po me të tjerët çfarë do bëhet? Askush nuk e thotë por të gjithë i bëjnë bisht.
Rama e di përgjigjen ashtu siç e dinë fort mirë Meloni dhe Tajani, sepse bash për këtë arësye po i sjellin në Shqipëri ndryshe nuk do shpenzonin para dhe burime njerëzore për t’i sjellë, se kanë tokë të lirë sa të duash në vendin e tyre.
Shqiptarë!
Kthjellohuni e mos i besoni propagandës se klanit qeveritaro-mediatik që mbron interesat e një klike që ka 10 vjet që po përpiqet ta zhbëjë Shqipërinë me çdo mjet.
Kthjellohuni e reagoni, mos bini pre e propagandes dhe kurtheve gjoja ksenofobike apo raciste.
Të protestosh nuk do të thotë të jesh kundër Italisë, por të mbrosh Shqipërinë. Italisë edhe nëse i kemi borxh, që në fakt nuk i kemi, kjo nuk është as rruga e as mënyra për ta larë atë, pasi ky është thjesht një mashtrim.
Kjo marrëveshje nuk mund të ndalohet më as me gjykata e as procedura ligjore apo parlamentare, pasi Edi Rama i ka në dorë dhe i kontrollon të gjitha me gishtin e tij të vogël.
Edhe deklaratën e Zj. Johanson nga Brukseli se marrëveshja mes dy vendeve nuk shkel ligjet e BE e pashë me shumë shqetësim. Unë personalisht e lexova si semafor jeshil për marrëveshjen me Melonin, por edhe me vende të tjera, që po presin radhën e nuk është çudi që draftet të jenë gati për firmë.
Kjo i jep përgjigje pyetjes që i mundon shumë shqiptarë se pse Europa mbështet Edi Ramen kur edhe minjtë e Europes e dinë se sa i korruptuar është e sa kriminale është qeverisja e tij.
Problemi i refugjatëve nuk është problem shqiptar, por problem i atyre që i kanë shkaktuar dramat që i bëjnë fatkeqët të braktisin vendet e tyre. E Shqipëria nuk ka përgjegjësi e për rrjedhoje nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Problemin duhet ta zgjidhin fuqitë botërore e europiane që e kanë shkaktuar, e jo ne.
Shqiptarët duhet ta kundërshtojnë fort këtë projekt shkatërrues për Shqipërinë, pavarësisht çfarë dërdëllis propaganda e stërpaguar qeveritaro-mediatike.
Shqiptarët duhet ta kundershtojnë këtë projekt me qëndresë të fortë dhe protesta të fuqishme, edhe pse me këtë nuk është dakord Partia Demokratike, sepse Shqipëria dhe e ardhmja e saj i tejkalojnë interesat momentale të Partisë Demokratike.
Protestat dhe qëndresa e të gjithëve, të majtë, të djathtë e të paparti. kanë ngelur i vetmi mjet për të mbrojtur vendin nga zhbërja për interes të një grupi mafioz vendas siç është “Rilindja” dhe për hir të konjukturave apo interesave ndërkombëtare.
Shqipëria është e të gjithëve, pa përjashtim, prandaj duhet mbrojtur sa nuk është bërë e pambrojtshme.
© Milaim Nela