Kolumnist

Të bësh para në kurriz të shqiptarëve - Nga Vangjush Saro

E di që është një fjalë e madhe, është një fjali e hidhur, është një përfundim që të dhemb e, mbase, edhe të tremb. E di, gjithashtu, që asnjëherë s’mund të shpjegohesh në mënyrë shteruese pse shumëçka mund të të duket ashtu. Por prapë them se nuk po e tjetërsoj realitetin; përkundrazi, ai po i ndëshkon shqiptarët me suksese të dyshimta. Dhe ja, pa e zmadhuar, pa e tepruar: Çfarë ishte ajo që ndodhi në Metalurgjik ditë më parë… Flakë e tym e helm, si në filma horror. Unë, si një naiv i lindur, me atë rast shkruajta dhe pyeta në mënyrë publike: Mirë në ato kohë, se “bëhej copë e çikë bllokada e rrethimi”, po sot kujt i hyn në punë ajo monstër dhe pse lejohet të qelbë atë vend të bukur ‘në kërthizë të Shqipërisë’? 

Kësaj pune, në gjykimin tim, i thonë të bësh para me Shqipërinë. Megjithë justifikimet a gënjeshtra e bukura, nuk ka motiv tjetër; në këtë palo-qeveri dhe në qeveri e administrata të tjera të mëparshme. Më kujtohen ato fjalët që tha N. Hrushov shumë kohë më parë, bash në dekadën kur Shqipërinë e priste vetmia e varfëria. Ai burrë, me një barrë përvojë në jetë, në politikë e në ekonomi, i drejtua E. Hoxhës: “Mbillni agrume!” Jo që jo shqiptarët. Le të kuptojmë simbolikën e episodit; nuk e mendon askush që vendi mund të ish më i lumtur po të fiksohej vetëm te bujqësia. Por pyetja mbetet atje, te ndotja: Vërtet na duhet ende një industri e tillë?  E përsëris: Mirë atëherë, por edhe sot duam me doemos hekur e s’bëhet ndryshe?! Kujt ia kanë kapur kokën me portë të zotët e kësaj industrie që përcjell tutje vetëm zhurmë e ndotje? Le ta vazhdojmë bisedën me pyetje të tjera.

Çfarë është kjo afera e madhe e Durrësit? Me heq portin dhe me bo atje kulla (!) Investime të frikshme, me të vërtetë të frikshme. Pas gjithë asaj katrahure që iu bë atij qyteti antik e modern njëherësh, tash pikëpyetjet përplasen mbi projekte që, nuk e di, a ka pyetur kush nëse i duan apo jo qytetarët e atjeshëm… Kësaj, thjesht fare, i thonë të bësh para me pasuritë e mjera të Shqipërisë. S’merret vesh në emër të kujt, për xhepat e kujt; nuk e dimë e s’mund ta dimë a ndihmon sadopak kjo komedi financiare, sa nga ato para që vijnë përqark shkojnë në buxhet të shtetit e për çfarë i duhet vendit ky farë ‘transformimi’. Nuk dimë gjithaq se çfarë firon gjetkë…

Një sërë akuza nga mediat dhe segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, por edhe aktet me SPAK- e jo vetëm këto - na tregojnë se një pjesë e madhe e fitimeve nga gjithfarë afera, kanë qenë apo janë të protagonistëve politikë, të cilët megjithatë, mburren se po “zhvillojnë” vendin. Asnjëherë hajduti nuk e cilëson veten aso. Përkundrazi, kur u ngrohet xhepi, u duket sikur diçka do të mbetet edhe për vendin, edhe për të tjerët; dhe prandaj s’ua përtojnë klithmave demagogjike. (“Unë kurrë s’do të pushoj së përgëzuari veten time”, thotë një personazh i Dikensit te “Dombi dhe biri”.) Nj’ashtu edhe këta! Klithmat synojnë t’u tregojnë shqiptarëve përparimin, por realiteti i mpak ato; është kokëfortë.

Të zbresim më në Jug. Siç e shohim të gjithë, çfarë nuk thuhet për Turizmin, që gjithkush e do dhe uron të zhvillohet vërtet; por nga ana tjetër, vendin e mbytën plehrat dhe ndotjet gjithfarë. Për shembull, nuk kuptohet pse pas dhënies së lejeve për gjithë ato hidrocentrale të vegjël - nismë të cilën e “përkëdhelën” të dy pushtetet - duhen dhënë më tej leje të tjera edhe për centrale me naftë (!) si ai në Vlorë. (Atje ku, herë pas here, digjen plehrat dhe tymi e flaka shkojnë për qiell, duke “parfumosur” edhe krejt qytetin e zonën përqark.) 

Ja si shprehet në këtë temë të dhimbshme një njeri i ditur dhe i përgjegjshëm, z. L. Feruni: “Ambientalistët janë sy e vesh, që të monitorojnë superndotjen që gjeneron ky TEC, që do djegë 600 tonë naftë të rëndë në ditë, ndotje që edhe në letër është e papranueshme, sidomos sa i përket oksidit të squfurit, grimcave të imta etj., pa llogaritur, amortizimin 30-vjeçar të këtyre gjeneratorëve, që edhe kompania, që i ka prodhuar, nuk i ka në databazën e saj. Dhe askush nuk mund të mos konsiderojë vendndodhjen e tyre, në Gjirin turistik të Vlorës. Askush të mos harrojë dhe qytetarët e Vlorës, që “s’kanë parë gjë akoma!”

Ani, të vijmë pak edhe në jetën e thjeshtë të qyteteve tona. U mbytën në kulla, sidomos kryeqyteti. Nuk të zë syri pothuaj asgjë të gjelbër. Dhe ajrin po e vjedhin. (Paraja ngre ujin përpjetë, thotë një fjalë; prit kur t’ia kthejnë që “ngre kullat përpjetë”.) Dhe kjo e gjitha, ka pamjen e vet të anasjelltë: Në brendësi të lagjeve, mjerimi është kaq i dukshëm. Ndryshe nga bulevardet me drita e show, prapa pallateve, në mjediset e përbashkëta, kudo ka papastërti; rrjedhin depozitat aq sa rrezikohen ndërtesat e nëpër mure… varen myshqe. Po ashtu, rrugët qytetëse janë tejet të ngushta, mjedise për fëmijët nuk ka. Etj.

Por ndërkaq, uzurpatorët e pushtetit dhe shërbëtorët e tyre i quajnë kullat zhvillim; anipse termi ha shumë diskutim; anipse edhe në vendet më të prapambetura (e ish-koloni që ende rënkojnë) këso ndërtime-monstra janë me shumicë. (“Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka) Ata thjesht punojnë për kredo politike; ata nuk duan t’ia dinë për interesin publik. Gjithsesi - këtë e them për këdo, për çdo kohë e për çdo abuzim - turp i madh të bësh para me Shqipërinë, në kurriz të shqiptarëve!

© Vangjush Saro