Sot e kam të pamundur të festoj - Nga Milaim Nela
Ta përkujtojmë 28 nëntorin si ditë që na kujton se më 28 Nentor 1912 u shpall Mëvetësia e një Shqipërie gati katër fish e asaj që ka ngelë sot.
Unë e kam të pamundur të buzëqesh dhe festoj!
Sot vetëm 11 vjet nga 100 vjetori i Pavarësisë, Shqipëria është pa pasuritë e saj më të çmuara kombëtare si Porti I Durrësit dhe pjesët e saj më të bukura të bregdetit, të cilat sipas të gjitha gjasave i janë shitur mafias.
Unë e kam të pamundur të festoj!
Sot 11 vjet pas festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë Shqipëria dhe Vlora është pa Sheshin e Flamurit, simbolin e shpalljes së Pavarësisë pasi “rilindja” e ka zhbërë dhe tjetërsuar në park autobuzësh.
Po zhdukin edhe simbolikën!? Për këtë arsye unë e kam të pamundur të festoj!
Sot vetëm 11 vjet nga 100 vjetori i Pavarësisë, Shqipëria ka të paktën 1 milion njerëz më pak, me rini në rrugët e botës dhe pleq të mbetur vetëm në pallate ku nuk afrohet dot as autoambulanca e as zjarrfikësja.
A mund të festojmë zbrazjen e Shqipërisë? Unë e kam të pamundur të festoj!
Sot në 111 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, Shqipëria udhëhiqet nga sekti kriminal më famëkeq, që asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte 11 vjet më parë, sekt i cili kontrollon çdo aspekt të jetës së gjithkujt dhe po e shpopullon dhe zhbën Shqipërinë me një shpejtësi të paparë. Jo vetëm kaq, por ky sekt po planifikon dhe zëvendesimin e popullatës me të zhvendosur/refugjatë nga vendet e tjera të botës dhe kjo edhe në marrëveshje me vendet e tjera të Europës, që kanë sfida të jashtëzakonshme me valët e imigracionit.
Unë e kam të pamundur të festoj!
Sekti famëkeq antishqiptar i “rilindjes” po feston dhe ka rikthyer simbolet e diktaturës komuniste në arterien kryesore të kryeqytetit shqiptar dhe po na sfidon të gjithëve me yllin e kuq Bolshevik.
Sekti po përgatitet të festojë diten më të zezë për shqiptaret në 100 vitet e fundit, 29 nëntorin, ditën e çlirimit të Jugosllavisë, ditën e fillimi të ferrit dhe gulagut komunist 45 vjeçar për shqiptarët.
Unë e kam të pamundur të festoj!
Sot klika drejtuese e Tiranës mban lidhjet më të ngushta dhe në koordinim me Vuçiçin dhe Serbinë është hedhur në aksion për zhbërjen e shtetit Dardan përmes luftës për krijimin e një asociacioni, që është shkatërrues jo vetëm për Kosovën, por do ndezë fitilat e luftës në Ballkan e më gjerë.
Une e ka të pamundur të festoj!
© Milaim Nela












