Kolumnist

Rast për t’u sensibilizuar të pasurit - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Shqiptarët jetojnë me lajmin e ditës. Nuk besoj të ketë popull më të angazhuar pas aktualitetit. Gjithçka që ndodh bëhet temë e kafes së përditshme, e llogjeve te shkallët e pallatit apo e statuseve e komenteve në rrjete sociale.

E fundit fare ishte premtimi i një deputeti demokrat për të ndihmuar ekonomikisht 6 fëmijë në Kukës, të mbetur jetimë nga të dy prindërit. Nuk ishte thjesht mirësia e politikanit që mori vëmendje ekskluzive, por ajo ishte ngjarja e ditës më e përshtatshme për të marrë vëmendje. Në kohën kur flitet për politikanë të përlyer në pasurira të pafundme, del një politikan ndryshe i cili jep dhe nuk merr (të mira materiale të paktën) siç shumica prej tyre bën. Deputeti me premtimin e tij bëhet viral në çdo portal duke u shndërruar në heroin e ditës.

Kur përballemi me mëshirën e bujarinë na ngjallen biologjikisht dhe psikologjikisht ndjesi dhe emocione pozitive. Organizmi përjeton një ndjenjë paqeje, besimi e kënaqësie. Prandaj gëluan rrjetet prej aktit fisnik, por jo heroik, sipas meje, të deputetit.

Unë kam shkruar kundër akteve të bamirësisë të kryera nga persona publikë gjatë festave me praninë e kamerave, dhe për më tepër me paratë e buxhetit të shtetit apo dhurimeve të detyruara të vartësve të tyre. Dhe ndryshe nga rastet e kundërshtuara prej meje, e përgëzoj veprimin spontan e ndoshta emocional të deputetit Agron Shehaj. Vëmendjen që mori e meritoi dhe uroj që ashtu siç të pasurit e kanë zakon, ta imitojnë këtë akt edhe plot të tjerë se mirë do bëjnë.

Hajt se mediat do u çojnë edhe ndonjë kamera, se mos u duhen si provë për ulje taksash në fund të vitit.

...Dhe paskëtaj, shqiptarët e varfër e të thjeshtë, ata që janë vërtetë të pastrehë e në nevojë, në kafen e përditshme apo murin e Facebook-ut të kenë rast të flasin apo të shkruajnë për taksat e ujit, apo të televizionit publik që nuk ndjekin prej vitesh, ndërkohë që katarsisin emocional me poemat e mjerimit që recitohen në disa programe mediatike, t’ua lënë për sensibilizim atyre që kanë burime të mjaftueshme për të ndihmuar, anipse deklarohen në letra si të pastrehë.     

 ©JetaDedja