Folklorizmi i turpshëm i brekusheve të një ambasadori - Nga Artan Fuga
Nëse çka raporton media është e vërtetë, paraqitja e ambasadorit Mustafa Nano në Zvicër me veshje popullore, në pritjen zyrtare për Festën Kombëtare, nuk është edhe aq naive, dhe as nga ato teka ta lezetshme plot përkedheli të Muçit, që i shkrep papritmas të bëjë veprime të paparashikuara. Ky gjest bën pjesë në një atmosferë të turpshme folklorizimi të Shqipërisë, e lidhur ngushtë me teknikat e largimit nga Evropa, me dhënien e idesë se jemi popull baritor, jashtë parimeve të demokracisë moderne, nostalgjikë, zhytur në ruralitet dhe qe nuk shpjegohemi dot veçse me Albanologji romanticiste!?
Nuk them se Muçi vetë e bën me qëllim. Puna është se nuk llogarit pasojat e tekës së tij. Kushedi kush ia ka dhënë idenë…
Imagjinoj sikur ambasadori italian të vente në pritjen e Muçit me pelerinë legjionari romak, ambasadori kanadez me kostume autoktonësh, ambasadori grek nudo me sandale, etj. Dikush do thoshte se ose është skenë teatri absurd, ose çmendinë
Mire që nuk shëtit me kalë në semafor duke thënë se jam si Skënderbeu ose me alltije në brez si Bajram begu!?
Ambasadori lë të kuptojë se po e bën si Konica në SHBA në vitet ’30. Po ku Konica ku Muçi, ku vitet ’30 të një shekulli me parë, ku shekulli 21!?
Aq më shumë, të duash të shpjegosh Shqipërinë e sotme, shqiptarët e sotëm, me brekushet që i pëlqejnë ambasadorit tonë në Zvicër, është si të shpjegosh kompjuterin me llampën e Edisonit!?
Përse na folklorizon? Të bukura kostumet tona? Merr ca manekinë prej kauçuku, nga ata të Arian Çanit në studio, vishu kostumet popullore dhe kaq. Shpjegoji me adhurimin që meritojnë.
Fjala e mbajtur më keq se trilli i veshjes. Rifut kot sherrin me grekët se kujt i takojnë veshjet tona. Po marrëdhëniet me Greqinë perse i acaron? Perse iu fut xixa kot? A thua se nuk mjafton Beleri?
© Artan Fuga











