Mirënjohje gjatë festave - Nga Jeta Dedja
Zilja e telefonit të zyrës po tringëllonte në momentin që rrotulloja çelësin në derë. Ishte ora 8 e 2 minuta. Nuk vrapova duke e ditur që në mospërgjigje do lihej një mesazh.
Hoqa pallton e ndërrova çizmet që kisha veshur me këpucët me taka që pushonin si përherë në një kënd të vogël mbrapa një kabineti dosjesh. Pasi u rehatova kontrollova mesazhin vokal. Mamaja e një nxënësi maturant që e kisha në këshillim prej disa javësh kërkonte që ta kontaktoja sa më shpejt të ishte e mundur. Ishte dita e fundit e shkollës për vitin 2023.
E mora në telefon prindin në fjalë me njëlloj meraku që kishte një bazë të fortë. Në zilen e dytë erdhi përgjigja: “Alo, zonja Dedja, faleminderit për reagimin tuaj të menjëhershëm. Në fakt doja vetëm t’ju uroja pushime dimërore të mbara dhe gëzuar festat. Kam dërguar një dhuratë simbolike për ju në shenjë mirënjohjeje për gjithë sa keni bërë për tim bir. Mezi presim të bashkëpunojmë me ju sërish vitin tjetër”.
Pasi ula me njëlloj lehtësimi dhe kënaqësie receptorin, befas mu popullua zyra nga anëtarët e departamentit të shërbimeve për studentët të cilët më kujtuan axhendën e ditës dhe më kërkuan t’i bashkohesha grupit në mëngjesin e fundvitit.
Mëngjesi i fundvitit është traditë e gjimnazit ku punoj unë. Nxënësit dhe stafi i shkollës sjellin gatime të ndryshme, të blera ose të gatuara dhe hanë së bashku mëngjesin e ditës së fundit të vitit ku dhe shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin.
Momenti i dhuratave më kujtoi 7 Marsin kur punoja psikologe shkolle në Shqipëri. Mësuesit e gjorë viheshin në siklet kur merrnin dhurata nga nxënësit dhe druheshin se mos ndonjë kamerë televizive do t’i telendiste në lajme. Psherëtima tipike kur ndërmend vendin tim mu shkarkua prej kraharorit dhe në cast zhvendosa fokusin në të tashmen.
Bashkë me kolegët e mi montrealezë iu futëm mbarë të ngrënit duke u nakatosur me grupe të ndryshme nxënësish. Drejtuesi i shkollës merrej me muzikën në sfond por disa zgjedhje të tij morën pasthirmat: Boooh!
Në përfundim të mëngjesit, nxënës dhe staf tregonin me krenari dhuratat që kishin shkëmbyer. Shumë prej tyre i rishkëmbenin e ndërronin me njëri-tjetrin. “Oh shiko, një kapuç blu, kush e do se unë kam 3 copë”- deklaronte një mësues.
Binin në sy dhurata simbolike të vendeve të origjinës, çanta të punuara me dorë, kapuça, shalle, triko, kafe, çokollata, libra, shishe vere, korniza fotografish, piktura, etj, etj.
Ditës i erdhi fundi. Nxënësit u shpërndanë. Po ashtu edhe ne stafi iu drejtuam parkingut, mbushur duart dhe shpirti me mirënjohjen e komunitetit të shkollës sonë.
“Gëzuar festat të gjithëve” ishin fjalët e fundit të thëna e të dëgjuara në parkingun që së shpejti do të mbetej bosh deri në vitin e ardhshëm.
© Jeta Dedja & Flasshqip.ca











