Kolumnist

Narrativa traume në Fest’ 62 - Nga Jeta Dedja

Kënga e Mal Retkocerit, fituesit të Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH më solli ndër mend një këngëtare kanadeze Allison Russell, e cila në rrethet e psikologëve sillet si shembull për të shpjeguar terapinë narrative dhe rolin e muzikës në trajtimin e traumave.

Terapia Narrative synon të jetë një qasje jo-fajësuese, ku klienti shihet si eksperti i jetës së vet me aftësi dhe kompetenca për të menaxhuar problemet. Ndërkohë përdorimi i muzikës si mjet në fuqizimin e zërit të brendshëm të individit në traumë është një praktikë që ka filluar në Amerikën e Veriut që në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Sidomos të shkruarit këngë është përdorur me sukses për të trajtuar individët që kanë përjetuar trauma (Gooding & Langston, 2019). Sipas Bensimon (2020) muzika mund të përdoret për të validuar narrativat e traumës dhe t’u japë kuptim kujtimeve kaotike, ndërkohë që të shkruarit muzikë mund të ndihmojë në strukturimin e narrativës.

Allison Russell mori famë në vitin 2021 dhe shumë nominime për çmime në momentin kur nxori albumin e saj solo ku i këndon traumave të fëmijërisë, abuzimeve fizike e seksuale nga babai adoptues. Në fakt Russell e ka filluar karrierën e saj muzikore shumë më herët, por pikërisht atëherë kur u ndje gati për të ngjitur në skenë jetën e saj, mori vëmendjen e publikut dhe kritikëve.

Të flasësh apo të këndosh për ngjarje personale traumatike para një publiku të gjerë kërkon kurajo padyshim. Nuk është e lëhtë t’u japësh zë dhe të tërheqësh nga depozita kujtime që janë koduar ndryshe nga kodimet tipike, ku shpesh kujtesa e traumës është e fragmentizuar, e copëtuar duke e munduar individin në traumë t’u japë kuptim atyre njëlloj si një puzzle ku shumë pjesë kanë humbur me kalimin e viteve.

Allison Russell ka eksploruar kujtimet e saj të shtypura përmes të shkruarit këngë duke tentuar krijimin e ngjarjeve ashtu siç ishin. Tek krijimet e saj e kanë gjetur veten të gjithë ata apo ato të mbijetuar apo viktima të abuzimeve në familje nga njerëz të afërt. Audienca e saj është e gjerë por targeti i vërtetë është i kufizuar. Pra muzika e saj është fuqizuese për një kategori të limituar, ndërkohë që mesazhi u drejtohet të gjithëve.

Tani, dalim tek kënga e Retkocerit. A është ajo një mesazh? Sigurisht. Edhe një tekst i shkruar dosido përcjell një mesazh. A është ajo fuqizuese? Për vëtë shkruesin e këngës është absolutisht e fuqishme, por për të tjerët këtë do e kuptojmë vetëm nëse shoqatat që kanë në fokus dhunën do të bëjnë ndonjë studim mbi efektet e kësaj kënge tek marrësit e shërbimeve të tyre. Vetëm nëse viktima e të mbijetuar të dhunës do të inkurajohen e marrin forcë prej kësaj kënge.

A është ajo për çmim të parë?

Mal Retkocerit bravo që gjeti forcë, të ngjitej në skenë e të ndante publikisht dhimbjen e tij apo të nënës së tij, pak e sigurt jam për këtë. Por në syrin tim, kënga e M.R është vetëm faza e parë e narrativës dhe si e tillë ajo është e papjekur, e paplotësuar, e fragmentizuar për veshin dhe sytë e publikut.  Ajo nuk i shërben shumicës në këtë moment, ajo është e dobishme vetëm për Retkocerin e për rrjedhojë nuk është përfaqësuese mjaftueshëm sa për një çmim të parë festivali.

Në opinionin tim, Retkoceri meritonte çmimin inkurajues, pasi vërtet një krijim dhe interpretim i tillë meriton ato nota inkurajimi që i japim dikujt që përpiqet të bëjë përpara, të përmirësohet, të ndryshojë, të arrijë, të ketë dëshira e qëllime për jetën.

Shënim: Fatmirësisht Juria e Festivalit përbëhet nga profesionistë që gjykojnë më mirë se ne që guxojmë të japim mendime në fusha ku nuk jemi ekspertë.

© Jeta Dedja & Flasshqip.ca