Heshtja vrastare e shtypit shqiptar - Nga Ilir Levonja
Kryeministri i Shqipërisë është i implikuar drejtpërsëdrejt në një ryshfet prej 225 mijë dollarë për punë liçensash dhe lobimesh karshi opozitës shqiptare. Kjo u vertetua dje në mesditë kur Prokuroria e Districtit të Columbias në Washington dha aktakuzën për një agjent të FBI me emrin McGonigal. Shqiptarët e kanë dëgjuar këtë emër për muaj me radhë gjatë vitit që shkoi. Janë fakte të detajuara deri në orare e restorante hotelesh, ku më e rëndësishmja është linja e errët e një agjenti amerikan të korruptuar dhe ish-Sigurimit shqiptar, si përfaqësues i qeverisë, për të vrarë demokracinë në Shqipëri. Dhe thuajse janë kanë arritur.
Si dhe qysh është shumë e thjeshtë. Mjafton sot t'i hedhësh në sy shtypit shqiptar dhe do vësh re se 99% e web-eve as nuk përmendin fare. Eshtë ngjarja që kërkon një sens gati proverbial të ekzistencës sociale, por thuajse 99% e shtypit nuk flet. Eshtë material kaq i çmuar për një skandal kontinental, por shtypi hesht. Ka frikë? Aspak! Puna është se janë paguar të heshtin dhe atë po bëjnë. Madje as nga Prokuroria e Shqipërisë nuk ka asnjë indicje që ky institucion për të cilin shqiptarët investuan thuajse deri në një sakrificë kristiane, galeri me dosje, ndaj dhe gjysma e tyre janë akoma në hasmëri sociale, për shkak të mosveprimit të ligjit. Por njerëzit e thjeshtë, mjaft të futen në këtë adresë... Washington DC: numer telefoni etj. (202) 252-7566. Apo email USAO-DC, klikoni McGonigal dhe do shihni xhevahire rrugeçërish dhe gangosh si ato që po dominojnë sot rrugët e Kitos në Ekuador.
Që të kuptoni se kemi apo jo akoma demokraci, pyesni veten se kujt duhet t’i japë llogari një qeveritar shqiptar? Se e tillë është demokracia, llogaridhënie, ligj, shtet, shoqëri e hapur. Kujt pra, se, gjithçka kalon heshtje ose me devijime vëmendjesh për “çmenduritë'” e Saliut a operacionet plastike të Monës. Cilit organi kompetent? Cilës gjindje sociale? A është i prekshëm apo perëndi një kryeministër në demokraci? Kujt i jep llogari pra qeveriu? Juve? Kurrë! U konsideron dele, u hedh nga një pesëmijëlekshe në fund të vitit. Opozitës, assesi..., e ka shpartalluar. Kuvendin, e ka zaptuar. Presidentin e ka tredhur. Shtypin e ka blerë. Po atëhere?
Falë demokracisë liberale të Shqipërisë post 90-të, sot ka dalë në skenë edhe një defekt i madh i saj, pandëshkueshmëria e ish-Sigurimit, e stafit të kolonisë ndëshkimore të diktaturës. Kjo kastë që menaxhon sot jo vetëm djersën dhe gjakun tuaj por edhe prirjen tuaj, ka kurajën që me metodat e Kremlinit të vrasë me gjakftohtësi demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër edhe propaganda e ka bërë të vetën, më mirë të ndëshkuar sesa me Saliun. Alternativat mund të jenë aty, përbrenda, përmbi dhe përtej Saliut, por falë bash kësaj propagande, askush nuk i shikon më. Askush!
© Ilir Levonja











