Kolumnist

Atdheu, aty ku shteti konkuron Mafien - Nga Ilir Gjini

Gjyqtari i ndjerë Giovanni Falcone në një takim me nxënësit e një shkolle në Siçili, pyeti një fëmijë: Çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Ai u përgjigj me naivitetin e tij fëminor... mafioz. Nëse e njëjta pyetje do të bëhej në Shqipëri, me siguri përgjigja do të ishte… politikan. Sepse në përceptimin shoqëror, qënia politikan do të thotë i pasur, ose më mirë i pasuruar në një kohë rekord si rrjedhojë e korrupsionit. Nuk ka biznes më fitimprurës se sa qënia politikan. Janë para që futen në xhepat e thella të politikës, ndërsa zinxhiri i përfitimeve rritet në përpjestim të drejtë me ofiqin që mban në administratë. Sa më i madh ofiqi, aq më e madhe edhe shuma.

Historia e Mafies ka treguar se ajo ka qënë e fortë kur ka korruptuar politikanët e lartë dhe kur këto fije janë këputur, fuqia e saj është zbehur shumë.  Në atdheun tonë të dashur ndodh një fenomen krejt i veçantë. Është vetë shteti, ose më egzaktësisht qeveria, që ka “rekrutuar” ose vënë në shërbim të saj Mafien. Është vetë qeveria që përmes amnistisë fiskale kërkon të vërshojnë paratë e drogës e trafiqeve për t’i ricikluar në biznese të ligjshme. Është vetë shteti që mbyll sytë para parave të pista të kullave. Është vetë shteti “rilindas” që përdor bandat mafioze si ajo e Bajrave për të vjedhur zgjedhjet. Është vetë shteti që vjedh siç ishte rasti i inceneratorëve, ndërsa biznesmenët mafiozë te tipit Gugallja-Mërtiri, janë vetëm etiketa e jashtme.

Drejtësia e re që do të duhej t’i priste këto fije te Mafies me shtetin, nuk po tregon vullnet për të vepruar. Nga drejtësi ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, ka përfunduar në instrument në duart e kreut të qeverisë. Hetimi i vjedhjes galopante të inceneratorëve na tregoi se prokurorët e SPAK nuk janë “heronjtë e fëmijëve tanë”, por shërbëtorë të bindur të Ramës. Më shumë se prokurorët e SPAK, në hetimin e inceneratorëve kanë bërë gazetarët. Janë me qindra dokumenta te zbuluar nga media që vërshojnë në tryezen e prokurorëve të SPAK. Dhe këto patate të nxehta askush nuk i kap me dorë, sepse do përvëlonin krejt mazhorancën.

Ndërsa kreun e Opozitës e mbajnë në arrest për dyshime, kreun e qeverisë kanë frikë edhe ta pyesin, e jo më ta hetojnë. SPAK po ndjek një agjendë politike të qartë. Do vazhdojnë ta mbajnë të syrgjynosur kreun e Opozitës deri sa te fitohet mandati i katërt i Ramës me një mazhorancë mbytëse me numra, që të mund të ndryshojë e vetme Kushtetutën. Për këtë edhe miqtë tanë amerikanë duket se janë dakord. Për ta nuk duket të jetë ndonjë sheqtësim i madh niveli i demokracisë, por interesat e tyre. Siç bënë për armët kimike, apo sjelljen e 5 mijë muxhahidinëve iranianë, që asnjë vend europian nuk i pranoi për rrezikshmërinë e lartë që paraqesin.

© Ilir Gjini