Kolumnist

Samiti i juglindorëve apo shfaqja bajate e radhës - Nga Milaim Nela

Milaim Nela - Mbretëria e Bashkuar

Edi Rama e mblodhi Samitin e Europës Juglindore që në fakt nuk ishte e tillë sepse i vetmi shtet serioz i vendeve të kësaj ane ishte Kroacia. Nuk ishte as Rumania as Bullgaria e as Greqia.

Aleksandër Vuçiçin unë e pashë më shumë si emisar të Putinit, sepse ai në deklarata qëndrime apo insistimin për draftimin e deklaratës së përbashkët të këtyre vendeve pro Rusisë dhe kundër Kosovës bëri vetëm këtë dhe e shfrytëzoi këtë tribunë më së miri. Ai arriti ta ndryshojë tekstin përfundimtar të deklaratës duke hequr togfjalëshin “sanksione ndaj Rusisë” dhe “ndikimi malinj i Rusisë”. Pra e bëri këtë në mes të Tiranës.

Takimi ishte ashtu siç e pashë unë krejt si një shfaqje ku një orë Rama dhe Zelenski qëndruan në tapetin e stërmadh duke pritur liderët e vendeve që janë qoftë politikisht, ushtarakisht apo ekonomikisht (përveç Kroacisë dhe Serbisë putiniste) ku thërret qameti.

Luksi dhe aparenca të jepnin përshtypje që pritësi ishte një nga vendet e G-7, kur dihet që Shqipëria ushtarakisht nuk ka asnjë tank të kohëve moderne, asnjë avion e asnjë helicopter, bile nuk ka një helikopter të vetën për shuarjen e zjarreve.

U tha që këto vende do ndihmonin Ukrainën ushtarakisht e ekonomikisht. Nuk u tha kush do t’i financonte këto ndihma, cilët janë aksionerët e si do lëvrohet kjo ndihmë. Kjo mbetet mister për mua.

Unë nuk e kuptoj se pse Ukraina nuk i prodhon armët në tokën e saj por përdor tokën shqiptare? A thua nuk mjaftojnë tokat ukrainase për betejen me Rusinë por na duhet që kjo përleshje të zhvillohet edhe në tokën shqiptare? A është synimi afatgjatë që Shqipëria të bëhet përveç target i Iranit tani edhe objektiv i drejpërdrejtë edhe i Rusisë?

Të ndërtosh fabrika armësh për Ukrainën në Maqedoni dhe Shqipëri do të thotë ta ftosh Rusinë të jetë prezente medoemos në këto vende të cilat në fakt duhet të largojnë çdo lloj ndikimi rus e jo ta nxisin atë për ndërhyrje.

I vetmi qëndrim serioz në këtë samit ishte ai përfaqësuesit të Kroacisë.

Për t’ia vënë vulën si në çdo samit që vitet e fundit bëhet në shtetet ballkanike nuk mungoi silueta e një thataniku me syze, Aleks Sorosit, që askush nuk e di se në çfarë cilësie merr pjesë ky njeri në takime kaq të rëndësishme rajonale.

Kush është ky? Çfarë funksioni ka? A është ky realisht producenti i shfaqjes që ka si qëllim të vetëm të reklamojë kukullat e tij lidera të vendeve ballkanike, në rastin konkret Edi Ramën?

Asnjë fjalë për Kosovën. Kosova u shmang si shtet në çdo rresht të deklaratës për turpin e organizatorit.

Shumë lajka për Ukrainën, një vend ku impakti i Shqipërisë mbi fatin e luftës atje është absolutisht zero. Eshtë njëlloj si të flas unë për jetën në Mars e si do ta rivitalizoj atë atje.

Aleati i vetëm i Putinit në këtë Samit, Aleksandër Vuçiçi, ishte garanti dhe dora e tij, pra Putini vetë ishte praktikisht pjesë e takimit.

Sidoqoftë republikës së bananeve nuk i mungoi edhe skandali, sepse nuk kishin patur mundësinë të siguronin qoftë edhe një përkthyes zyrtar nga gjuha ukrainase, e askush nuk e kuptoi se çfarë tha Zelenski kur foli në gjuhën e vendit të tij.

Pra pamë samitin e Ramës, nën diktatin e Vuçiçit.

Slava Bota Serbe!?

© Milaim Nela