Shqipëri hesapi - Nga Ilir Levonja
NATO shpenzoi në Kuçovë rreth 55 milion euro dhe sot Shqipëria ka një bazë ajrore të rangut perëndimor. Pra padyshim një investim cilësor dhe pa firo xhepash e rryshfetesh. Kush di pak nga logjika ushtarake e kohës, mjetet, pultet e komunikimit, apo logjistika, pistat, kapanonet, etj., e kupton fare mirë se sa efikas dhe sa i mirëshpenzuar ka qënë investimi. 100 milion euro shpenzoi qeveria shqiptare, jo për bazë ushtarake, por për një program civil me detyrim, të ashtuquajtur Check-up. Dhe sot nuk ekziston asgjë. Ka vetëm një lajm, që një ish-ministër, shkon e paraqitet çdo të premte në SPAK me preteksin se po ndihmon drejtësinë.
Tani mendojeni dhe gjykojeni vet se përse Shqipëria nuk bëhet kurrë. Mendoni se çfarë bën bota me 55 milion euro në Shqipëri dhe çfarë gjëme bën një qeveritar shqiptar. Tani mendojeni dhe gjykojeni po vetë se Shqipëria mund të kishte sot edhe dy baza të tjera nëse këto 100 milion eurot e Chek-up do ishin mirëshpenzuar, ose do ishin investuar si duhet. Shqipëria sot nuk ka asnjë bazë ushtarake. Kjo që u rilind është e NATO-s, megjithëse ka qënë vend i bazave të mëdha. Madje ish-bota e saj ushtarake, repartet, tunelet a fortifikimet, janë dhënë me konçesione private brenda ca programeve 1euro metri katror, gjoja investime strategjike, d.m.th. janë shitur. Gjykojeni vetë se çfarë vjedhjesh makabre.
Kishte mbi 100 e ca avionë dhe sot mezi blen 3 dronë të tipit turk Bajraktar nga 4 milion dollarë copa. Dhe më fatkeqja, nuk ka më ushtri fare. Nuk ka më as fabrika të prodhimit të armëve, se po t’i kishte do kish bërë para me thes, siç po bën Bullgaria. Nuk ka më asnjë trase treni, megjithëse kishte rreth 80% të territorit me trase trenash. Sot pret me sytë nga Europa për fonde, gjoja për të rilidhur Durrësin me Tiranën dhe më gjerë. Ka 130 milion euro gjobë dëm qeveritar nga një preteks makut i një kryeministri karshi një investitori italian me emrin Becchetti.
Mendojeni vetë se po këto para mund ta kishin riaftësuar rrjetin hekurudhor shqiptar, jo vetëm Tiranë-Durrës por deri aty ku ishte, thuajse të gatshëm për t'u lidhur me rajonin. Dhe asnjë nga këta nuk është sot as i arrestuar, as në burg, por në liri të plotë, madje qeverisin. Kanë rrjete televizive personale, podcast-e, platforma të tjera ku të hanë gjallë, pavarësisht vrasjes publike që i kanë bërë vendit dhe që po ia bëjnë ditë për ditë. Shkurt, Shqipëri hesapi dhe shqiptarë që i gëzohen groposjes nga hajdutët.
© Ilir Levonja











