Kolumnist

Himara “greke” dhe sytë e mbyllur të përfaqësuesve të PD - Nga Milaim Nela

[“Zbatimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, rasti Beleri”

“...Ndërsa Fredi Beleri, kandidati i minoritetit grek për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, një qytet shqiptar i populluar në shumicë nga grekë etnikë, u arrestua në prag të zgjedhjeve lokale, në maj 2023, për akuzën për dhënie ryshfeti ndaj votuesve...”]

Ky tekst të nderuar miq është fillimi i Rezolutës së miratuar nga Kongresi i Partive Popullore Europiane mbajtur në Bukuresht të Rumanisë me 6-7 Mars të këtij viti, kongres në të cilin kanë marrë pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Shqipërisë.

Çfarë është filli që e përshkon këtë rezolutë të sponsorizuar nga parti greke anëtare të këtij grupimi politik anetare e të cilit është edhe Partia Demokratike e Shqipërisë?

E gjithë rezoluta është shkruar rreth Fredi Belerit dhe padrejtësive që i janë bërë atij (dhe mund t’i jenë bërë) dhe në këtë rezolutë nuk thuhet absolutisht asgjë e asnjë fjalë për parregullsitë e zgjedhjeve në zona të tjera të vendit.

Në këtë rezolutë nuk thuhet absolutisht asgjë për mbajtjen në arrest shtëpiak në mënyrë krejt të paligjshme të kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në këtë rezolutë përmenden krejt shkarazi rekomandimet e OSBE-ODIHR por lihet përshtypja për ata që nuk jetojnë në Shqipëri apo qoftë edhe për shqiptarët se parregullsi kanë ndodhur vetëm në Himarë.

Rezoluta është përshëndetur dhe mbështetur fort nga eksponentë të Partisë Demokratike duke e paraqitur atë si sukses të opozicionit të saj ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe duke harruar apo anashkaluar tekstin skandaloz të rezolutës që e paraqet Himarën zonë të dominuar në shumicë nga grekët etnikë.

Kjo të nderuar miq nuk është një deklarim studiosh televizive apo retorikë fushatash që rëndom bëhet në Shqipëri por një tekst serioz i grupimit më të madh të partive politike europiane, pra tekst zyrtar në të cilin shkruhet se Himara është me shumicë greke. Në dijeninë time, jo vetëm i pakundërshtuar nga asnjë përfaqësues shqiptar, por i përshëndetur nga ata.

Unë e kuptoj vështirësinë në të cilën ndodhet Partia Demokratike që sot është në luftë për ekzistencë, por a duhet që kjo parti e djathtë, kombëtariste, konservatore e dëshpëruar ndoshta për mbështetje ndërkombëtare të shkojë deri në këtë ekstrem sa të mbyllë sytë dhe veshët para këtij teksti të rremë dhe antishqiptar?

Si është e mundur që një parti që ka qeverisur vendin për 13 vjet të katandiset në këtë derexhe dhe të pranojë rezoluta të tilla?

Partia Demokratike ka ekspertë të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare, të cilët duhet të kishin reaguar fuqishëm ndaj kësaj rezolute. Une e di se ata nuk kanë fuqinë e votës në PPE për ta hedhur poshtë, por të paktën ta kishin kundërshtuar që kundërshtimi të ishte regjistruar.

Nuk ka asnjë evidence zyrtare që vërteton tekstin e rezolutës. Edhe censusi i fundit (2011) i nxjerrë të vetëdeklaruarit si të përkatësisë greke në Himarë me pak se 14 %.

Çfarë ndodhi në 12 vjet nga censusi i kaluar që Himara u bë me shumicë greke?

Po, mund të jenë dhënë më shumë pensione të paligjshme nga shteti grek kuptohet në favor të deklarimit grek. Mund të jenë dhënë më shumë pasaporta të shtetësisë greke, në këmbim të vetëdeklarimit me origjinë dhe kombësi greke.

Kjo ka qenë edhe arësyeja e luftës së Omonias për vetëdeklarimin dhe heqjen e ndëshkimit ligjor kur ky deklarim është dukshëm i rremë.

Pasaporta greke nuk të bën grek etnik ashtu siç nuk më bën mua anglez etnik pasaporta britanike.

Në kushtet e sotme të levizjes së lirë e globalizmit çdokush mund të ketë një pasaportë të dytë apo të tretë, por kjo nuk ta ndryshon kombësinë. Ajo është krejt tjetër gjë.

Pyetja lind ku janë marrë të dhënat e rezolutës se Himara na qenka e dominuar nga popullatë me etni greke?

Unë nuk pretendoj që banda social-rilindase ta kundërshtojë këtë rezolutë të partive të djathta apo të Parlamentit Europian, sepse ajo parti dhe klika në pushtet janë në misionin e shfarosjes së kombit shqiptar, zhdukjes së çdo gjëje historike kombëtare dhe shitjes se pasurive kombëtare siç e kemi parë në 11 vitet e fundit.

Unë kam pritur e shpresuar seriozisht që Partia Demokratike do distancohej nga gabimet tepër serioze që ka bërë në të kaluarën duke lejuar varrezat e ushtarëve pushtues (në shumë raste të sajuara) grekë në territorin shqiptar. I kam parë këto varreza si piketa të pretendimeve territoriale të Greqisë ndaj Shqipërisë, por jo të bjerë në gabime të reja më serioze se të shkuarat.

Unë pres nga kushdo zyrtar apo përfaqësues i Shqipërisë në forumet ndërkombëtare në radhë të parë të mbrojë interesat jetike të Shqipërise, para se të lobojë për mbështetje për të ardhur në pushtet nesër.

Ata që merren me politikë dhe e lexojnë gjeopolitikën e kuptojnë se Belerët janë investim i fqinjit tonë jugor apo qarqeve më të zinj të tij për asimilimin e shqiptarëve brenda territorit tonë duke shfrytëzuar edhe varfërinë ekstreme të tyre, të lënë në mëshirë të fatit.

Tentakulat e helenizimit po zgjerohen me shpejtësi në proporcion me varfërimin e shqiptarëve.

Nëse ne mbyllim sytë para këtij asimilimi dhe helenizimi në tokën tone, shto këtu edhe shpopullimin e programuar të shqiptarëve, shumë shpejt do ballafaqohemi me një situate të ngjashme si e Kosovës me Veriun e saj.

Pra sot shumicë greke në Himarë dhe këtë e keni tashme të shkruar në rezolutat e PE-se e nuk luani dot më, nesër do të keni kërkesën për Asociacion.

E di që shumë do rrudhin buzët dhe ngrenë vetullat nga ky shkrim, do ketë nga ata që do më quajnë antigrek apo nacionalist folklorik! Aq më bën! E as nuk dua t’ia di fare!

Unë jam shqiptar dhe nuk kam asnjë arësye të jem antigrek, por jam kundër Belerit si fenomen e belerizmit si mjet për helenizimin e shqiptarëve.

Unë nuk mund të hesht e të mbyll gojën para skandaleve të tilla ulëritëse. Unë e kam mbështetur Partinë Demokratike, por nëse ajo nuk mbron interesat bazike të kombit dhe shtetit tim shqipta, jo vetëm unë nuk e mbështes, por ajo do humbë përkrahësit e saj në momentin që i duhen më së shumti.

Mbi interesat e vendit dhe të ardhmes së tij nuk vë asgje!

©️ Milaim Nela - Londër, 8 Mars 2024