Kolumnist

Sikurse rezoluta e Informbyrosë - Nga Xhevdet Nasufi

U mbajt një kongres, menjëherë pas tij tjetri, u mbajt një kuvend, menjëherë pas tij tjetri, u inaugurua njëri lider, menjëherë pas tij tjetri i të njejtës parti, i të njejtës përkatësi ideore. Kështu u shkri edhe një derivat i Partisë Demokratike Shqiptare, partisë e cila ngriti bazat e marrëveshjes historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që me pajtim u zotuan dhe e zbatuan bashkëqeverisjen në Maqedoninë e Veriut.  Ai pajtim në kauzë nuk kishte kalkulime politike, as hile partiake e egot vetanake që sot i kanë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Partia Demokratike Shqiptare në vitin 1998 arriti një qëllim madhor kombëtar në Maqedoninë e Veriut. E nisi fillimfundin e një epoke të mundimshme për shqiptarët atje, epokë të cilën duhej me konsekuencë ta vazhdonte Menduh Thaçi si pasardhës i Arben Xhaferit, që e asfiksoi PDSH, Rufi Osmani dhe Ziadin Sela me partitë e tyre sot të humbura në antikitet.

Ishte dikur nder dhe epike ideja e shqiptarëve jashtë Shqipërisë të shkonin për këshillëmarrje në Tiranë për të bashkrenduar vendimarrje me interes kombëtar. Sot de facto Sela në Tiranë e Taravari në Prishtinë bashkrendimin e bënë për t’u ndarë, kundër ndryshimit që e dëshirojmë.

Nëse i referohemi një historie makabër të ndarjes mes Titos dhe Stalinit, çarja mes Selës dhe Taravarit edhe pse e papërshtatshme për krahasim, ka mjaft ngjashmëri. Çarja nuk mund t’i adresohet komponentit ideor e konceptit dallues politik, ama slogani përçarës është i njëjtë: Je me Titon apo Stalinin, alias me Ziadin Selën apo Arben Taravarin. Unaza dalluese mes Titos dhe Stalinit ishte ideore, por jo edhe mes Selës dhe Taravarit, të cilët nuk mund të thuhet se tunden mes përkatësisë politike prolindore dhe properëndimore.

Por ridimensionimi strukturor i Aleancës për Shqiptarët edhe me ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare prodhon produktin e Informbyrosë komuniste të vitit 1948, produktin e ndarjes të qytetarëve dhe anëtarësisë. Në këtë histori çuditërisht, në vend që komunikimi brendashqiptar të bëhej vlerë epike e shtuar për ecuri pozitive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e njejta inspiroi përçarjen mu sikur edhe Berisha në qeverisjen e tij, atëhere i tundi partitë shqiptare atje në sensin e përçarjes. Kjo përsëritje e historisë para zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut edhe me ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës, më shumë e mjegullon mendësinë e qytetarit shqiptar në Maqedoninë Veriore, i cili deri dje ka patur më shumë shpirt dhe shpresë.

Përkujdesja e Shqipërisë dhe e Kosovës për shqiptarët jashtë kufijve të tyre nuk mund të jetë logjikë komuniste paternaliste apo tifozeri politike. Tirana sikurse edhe Prishtina kanë instrumentet legjitime dhe legale për ndërtimin e unitetit kastriotian gjithkundi si shembëlltyrë e ndritshme historike kundër dredhive ballkanase. Mu edhe për këtë kjo përkujdesje nuk mundet të jetë kalkuluese. Çarja e madhe në partinë Aleanca për Shqiptarët, apo vazhdimi i sindromit të mosunitetit përtej ndjesisë për pluralizëm partiak dhe politik, ndjeshëm reflekton mentalitetin revolucionar, ama të thyerjes së forcës së bashkimit.

Në gjykimin tim krejtësisht spontan, mendësia e Rufi Osmanit, tani kjo e Ziadin Selës pothuajse në sinkron e shkrumbosën shpresën e madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm të Partisë Demokratike Shqiptare. Humbja e identitetit politik-kombëtar të PDSH-së, riskajimi i qetë në margjina të politikës, apo edhe në neokomunizmin anakronik e shtrembëron idenë e integrimeve. Andaj, shqiptari i parë kryeministër për disa ditë, për disa javë, apo edhe disa muaj për destinim teknik, nuk sjell ndryshim përmbajtësor apo integrim real etnik të shqiptarëve në shtet. Shëtitja e ministrit të Jashtëm (shqiptar) nëpër Gjermani dhe Zvicër me formularët në dorë si shalterist me dokumentet identitare të qytetarëve, sa është banalizim i funksionit të larte shtetëror, aq është edhe papërgjegjësi dhe kundersens integrues për shqiptarët.

© Xhevdet Nasufi - Ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-ministër i Pushtetit Lokal i RMV