Kolumnist

Kosovë-Kanada: dashuri, miqësi dhe angazhim - Nga Jeta Dedja

Më 18 Maj, në ambientet e Universitetit Victoria, në sallën e teatrit “Isabel Bader” në Toronto, u çel java e kulturës së Kosovës në Kanada, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada.

Në maj të 2024 mbushen plot 25 vjet nga ditët kur Kanadaja ofroi ndihmë humanitare dhe mikpritje të jashtëzakonshme për më shumë se 7 mijë refugjatë në kohën e luftës së Kosovës. Gjithashtu ky vit shënon edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Kanadasë. Aktori Xhemi Agaj dhe këngëtarja Klodiana Vata i thanë qartë e bukur këto kur prezantuan programin.

Aktiviteti i organizuar me këtë rast ishte konceptuar në formën e një koncerti artistik, duke i lënë një hapësirë të arsyeshme përfaqësuesve të dy shteteve respektive. Kur them të arsyeshme e kam fjalën për ndarjen perfekte të kohës skenike mes elementeve përbërës të një eventi të tillë. Sa bukur që edhe dy politikanet e nderuara, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Znj. Donika Gërvalla-Schwarz si dhe senatorja kanadeze Znj.Rebecca Patterson shfaqën një performancë të nivelit të lartë të komunikimit publik.

Fjalimet e të dyjave ishin në sinkron politik, diplomatik e njerëzor, duke përcjellë bindshëm mesazhin se mes Kosovës e Kanadasë ka patur, ka e do të ketë një bashkëpunim të fuqishëm reciprok, angazhim të vazhdueshëm për projekte e investime si dhe miqësi afatgjatë mes dy popujve. Me një kulturë e thjeshtësi komunikimi të dyja zonjat ngjallën emocione tek pjesëmarrësit në sallën e mbushur plot, të cilët jam e bindur se nuk menduan asnjë moment për përkatësinë e tyre politike teksa duartrokisnin fuqishëm përfaqësueset e mençura të dy vendeve të tyre. Ishte e thjeshtë të kuptoje se shqiptaro-kanadezët ndjenin njëlloj dashuri për mëmëdhenë dhe vendin birësues.

Kur pashë programin e koncertit e kisha parashikuar se duart e spektatorëve do të trokisnin pareshtur atë natë. Mjeshtri i madh, Bujar Llapaj kishte ardhur nga Vancouver për të dirigjuar Orkestrën Filarmonike të Greater Toronto që prej vitesh drejtohet nga muzikanti i mirënjohur Qazim Kallushi, me violinë të parë Entela Galanxhi, dhe qershia mbi tortë tenori tashmë me famë botërore, Rame Lahaj. Katër shqiptarë të shquar në fushat e tyre do të bashkëpunonin për të transmetuar një program cilësor para një publiku mirëfilli art-çmues.

Mjeshtri Bujar Llapaj në sytë e mi ia kalonte Leonard Bernstein-it në dirigjim. Edhe mua që nuk kam lidhje të drejtpërdrejtë me instrumentat po më bënte të luaja gishtat në ajër. Teksa interpretoheshin pjesë si “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, “Baresha” e Rexho Mulliqit, me orkestrim nga Gerti Druga, “Ouverture” nga opera Carmen, “Salut d’amour” e të tjera, Maestro komunikonte me gjeste energjike, shprehje faciale e kontakte me sy sa të larmishme aq edhe simpatike, duke arritur në ekzekutimin dhe vendosjen e ritmit perfekt mes instrumentistëve të tij, pa harruar t’i përgëzonte dhe t’i paraqiste ata para publikut sa herë që duartrokitjet i kushtoheshin.

Kur redaksia e Flasshqip mbërriti enkas para orarit të nisjes së koncertit tenori i famshëm Ramë Lahaj qëndronte në fund të sallës ende bosh, le të themi në krye të ulëseve nga ku hyjnë spektatorët. Orkestra po bënte provat, maestro ishte ende me t-shirt njëlloj entuziast e pasionant siç do të ishte para publikut. Tenori na përshëndeti miqësisht sikur të njiheshim prej vitesh dhe u angazhua në bisedë lehtësisht me një thjeshtësi që vetëm njerëzit e mëdhenj mund ta kenë, ata që e arrijnë suksesin me punën dhe talentin e tyre. I qeshur njëlloj si në skenë, tenori na rrëfeu edhe arsyet e tërheqjes së tij prej shfaqjes “Traviata” në Montreal, për të cilën ne kishim rezervuar biletat sapo ishte njoftuar prezenca e tij.

Minuta më vonë, tenori lirik Rame Lahaj fitues i çmimit prestigjioz “Operalia” u shfaq para publikut në skenën e teatrit “Isabel Bader” në Toronto me të njëjtën thjeshtësi e tipare karakteri. E dominoi skenën me zërin e tij të fuqishëm njëherazi të ngrohtë. Dukshëm karizmatik magjepsi pjesëmarrësit. Komunikonte lirshëm me dirigjentin dhe orkestrën, në sintoni shpirtërore dhe teknike me të gjithë elementët rreth e qark. Në zotërim të plotë të skenës, Rame Lahaj shkëlqeu bindshëm në çdo interpretim të repertorit të tij që përmbante ndër të tjera arien e Cavaradossi-t “E lucevan le stelle” nga opera "Toska" e Puçinit, “Granada” nga Agustin Lara, këngë tradicionale si “Bishtalecat palë-palë”, “Kroi i fshatit tonë”, “M’ka shku menja me u fejue”, të orkestruara posaçërisht për Rame Lahaj nga muzikanti Gerti Druga, “Rrjedh në këngë e ligjërime” të Feim Ibrahimit për të cilën tenori do të bënte status në Facebook të nesërmen duke komplimentuar performancën e publikut.

Po po, publiku këndoi bashkë me tenorin me zemrat ngritur peshë:

O ku ka si ti, o Shqipëria ime,

O fisnikja përmbi gur!

Rrjedh në këngë e ligjërime,

Ballëlarta me flamur.

Koncerti la një shije të mrekullueshme me erëza entuziazmi, kënaqësie e atdhedashurie tek të gjithë të pranishmit. Shumë prej tyre rendën të merrnin kënaqësinë me vete duke u përpjekur për të memorizuar në foto një moment me tenorin e famshëm Rame Lahaj, Maestron fantastik Bujar Llapaj, apo politikanen me pëlqyeshmëri të lartë publike, sidomos në diasporë, Donika Gërvalla.

Komplimentat i shkuan Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanada që arriti të sillte tenorin e përmasave botërore Rame Lahaj pranë shqiptaro-kanadezëve art-dashës e patriotë që kishin ardhur nga të gjitha anët e Kanadasë për të festuar e treguar se janë mbështetësit më të mëdhenj të fuqizimit të miqësisë e bashkëpunimit Kosovë-Kanada.

©Jeta Dedja

Editor-in-Chief Portali i komunitetit shqiptar në Kanada “FlasShqip”