Kolumnist

Parisi, Tirana dhe olimpiadat… - Nga Vangjush Saro

Me “Yyyyy!” merrnim njëherë e një kohë ndonjë shfaqje, ndeshje apo edhe person që nuk na pëlqente… Nuk di a përdoret ende sot kjo onomatope. Por duke parë çfarë po ndodh në Shqipëri, në Tiranë, ku diktojnë betoni dhe kryeministri, nuk mund të mos kërkosh ndonjë gjë ndryshe. Ndryshe në të mirë të vendit dhe të kryeqytetit. Ndryshe në të mirë të kohës dhe të qytetarëve. Qoftë me shifra, qoftë me përceptim fizik, jeta atje është mjaft e vështirë. Ekonomia është joproduktive. Ajri është i rëndë. Demagogjia është e padurueshme. Perspektiva euroatlantike duket si ndonjë përrallë…

Në këto radhë, nuk e fsheh, kam ardhur duke ndjekur Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Paris. Vetiu të shkon mendja te Tiranë jonë, te Shqipëria jonë. Mungesën e mjediseve kulturore dhe sportive, gjithaq ato për argëtimin dhe çlodhjen e qytetarëve, e kam konstatuar që herët. Por me raste, ndjesitë bëhen më ngacmuese. Duke lundruar javë më parë me Majestic Princess Cruises, mes të tjerave, më bëri përshtypje teatri i atjeshëm, që ishte aq i madh e komod… Dhe desha s’desha, m’u kujtuan ato “kotecet” e Tiranës. I ashtuquajturi teatri modern, rrugës për te Liqeni, është si ndonjë “barn”, që këtej u thonë disa ngrehinave kaba, ku fermerët mbajnë gjëra të ndryshme dhe, nganjëherë, organizojnë mbrëmje lokale. M’u kujtua edhe ai farë teatri te ish-Estrada që është bërë një grusht. Dhe përfundimet, çdo lexues, mund t’i formulojë pa ndihmën e artikullshkruesit.

Nuk bëj pjesë ndër ata që kur jetojnë jashtë vendit, e teprojnë me krahasime dhe me nihilizëm. Jo. Kam vlerësuar gjithnjë ato pak arritje të Shqipërisë, sa i takon infrastrukturës rrugore dhe Turizmit. Kam vlerësuar përpjekjet që e meritojnë fjalën e mirë: ato të administratës shqiptare dhe ato të vetë kryeministrit, z. Edi Rama. Por ka disa momente kur teprimi bën muuu(!)

Duke ndjekur Olimpiadën e Parisit, shohim larminë e disiplinave ku garohet dhe çka lyp aq shumë mjedise sportive. A thua nuk kanë pasur “ego” për ndërtime pa fund e zullume të tjera politikanët dhe biznesmenët francezë? Po ata italianë, që fundja kanë jetuar aq pranë Mafies? Po kryqytetet e Çekisë, Hungarisë, etj, si ia kanë dalë që të mos shëmtohen anë e kënd me beton dhe të kenë një lloj identiteti dhe ca mjedise sporti e shërbimi rekreativ për popullsinë?

E zëmë se kjo olimpiadë do të bëhej në dy vende fqinje dhe me histori të lashtë: Në Greqi dhe në Shqipëri. Ku do zhvilloheshin ato qindra lloje lojërash, nga më të ndryshmet, nga më të çuditshmet? Në ç’mjedise sportive e argëtimi që s’janë askund (!) Duhet të jesh ose qorr ose thjesht i keq të mos kuptosh se me politikat vetjake dhe në klan, vendi ka humbur shumë. Disa mund të mendojnë ndryshe. Por realiteti është ky: presioni i parave të pista dhe i drogës ka mposhtur jetën, normalitetin. Kryeministri ynë autoritarist, që bën si do, që nuk tutet nga e tija, thotë se do të marrë një mandat tjetër, pastaj edhe një tjetër… Me fjalë të tjera: Plasni e s’më bëhet vonë fare! Problemi është me të vërtetë i rëndë për të gjithë shqiptarët.

Po kthehem sërish te Tirana, që është modeli më i keq i ndërtimeve pa fre e pa sens. Po, natën dhe sa për foto, ajo duket shumë bukur, vezullon në drita. Por në një vështrim më realist dhe pa emocione, kryeqyteti yyynë është bërë një mishmash ndërtimesh, që s’kanë të mbaruar, kurse ka aq pak gjelbërim dhe gjithaq pak mundësi për të kaluar një kohë ndryshe, përveçse në kafe. Me ironinë për atë tortën famëkeqe, që gjithashtu tregoi mjerimin e politikës dhe të qytetarëve të asaj kohe, nuk mund të mbulohen prapësitë e sotme.

Kryeministri yyynë, që këto ditë bëri kongres dhe reformoi qeverinë, ashtu siç donte ai, pa asnjëlloj diskutimi e debati as edhe brendapërbrenda partisë, dikur është shprehur për atë që u cilësua

“Kthim në identitet”, domethënë që Tiranës t’i kthehej pamja e saj reale, pa kioska e ndërtime të ditës apo të realizuara në mënyrë joligjore gjatë natës. Por nga dekada e kioskave, sot kemi mbërritur në atë të kullave, që ia kanë marrë ajrin Tiranës dhe rrethinave të saj. Në këto e sipër, ka mbetur kaq pak vend për qytetarët dhe kohën e lirë të tyre: Një stadium, dy miniteatro, nja dy pishina, pastaj… restorante e bare pa fund. Kësaj i thonë ta zvogëlosh e ta rrudhësh jetën sepse ashtu diktojnë klanet. Me një fjalë të vetme, mund të thuhet edhe vetëm kaq: Turp!

© Vangjush Saro