Ca gjëra që nuk duhet t’i dimë!
"Të gjithë e dinin që profeti Solomon e kuptonte gjuhën e kafshëve. Një zengjin i ri deshi ta mësonte këtë gjuhë, por Solomoni e paralajmëroi:
- Hiq dorë nga kjo dëshirë. Ajo do të sjellë veç brenga e mjerim.
Por njeriu ngulte këmbë, duke iu kthyer çdo ditë të njëjtit avaz dhe, më në fund, i tha:
- Të paktën më mëso gjuhën e gjelit dhe të qenit tim.
Solomoni pranoi. Atëhere zengjini u kthye shumë i kënaqur në shtëpi.
Të nesërmen në mëngjes pa gjelin që rrëmbeu një krodhë buke dhe qenin që iu turr nga pas duke i thënë:
- Ti ke grurë sa të duash dhe më heq kafshatën e gojës!
- Mjaft u qave, - i tha gjeli. - Dhe gëzohu, se nesër mushka e zotit tonë do të ngordhë dhe do hash mish sa të nginjesh.
Atëhere zengjini e çoi mushkën në pazar dhe e shiti. Pas dy-tri ditësh dëgjoi se ajo kishte ngordhur. Dhe filloi të përgjonte me vëmendje bisedat e kafshëve të tij.
Njëherë tjetër dëgjoi që qeni e quajti gjelin gënjeshtar.
- Nuk jam gënjeshtar, - i tha gjeli. - Mushka ngordhi vërtet. Jo në shtëpinë e tim zoti, sigurisht. Por ti mos u mërzit, në mbrëmje do t'i ngordhë kali dhe ai është më i majmë se mushka. Do të hash mish sa të duash.
Zengjini e shiti kalin fill dhe vërtet, në mbrëmje, ai ngordhi.
Qeni u tërbua fare dhe filloi ta fyente gjelin, i cili iu përgjigj:
- Ajo që parandjeva ndodhi. Mushka ngordhi, kali gjithashtu. Ajo që s'po arrij dot të kuptoj është pse zoti ynë shkoi dhe i shiti. Por, mos u mërzit se nesër do t'i vdesë skllavi i tij i dashur dhe gjatë ceremonisë së përcjelljes do kemi të hamë sa të lodhemi.
Zengjini që i dëgjoi këto fjalë vrapoi të shiste skllavin, i cili vdiq vërtet. Kaluan dy-tri ditë dhe i ulur në oborr dëgjonte ankesat e qenit për gjelin e tij:
- Të urrej o gjel, ti nuk rri dot pa gënjyer, m'u hiq sysh se më ndjell vetëm ters!
- Unë s'gënjej kurrë, - iu përgjigj i sigurt gjeli. - Unë udhëheq besimtarët në lutjen e agimit, unë jam muezini i Zotit, i njoftoj njerëzisë nisjen e ditës së re, lindjen e diellit dhe të gjithë më dëgjojnë. Kurrë nuk kam gabuar. Si është e mundur që të gënjej? Tani, dëgjo dhe mbaj vesh mirë: ka trokitur ora të vdesë vetë pronari ynë, por kësaj here ai nuk mund ta shesë dot veten për t'i shpëtuar vdekjes. Në të vërtetë, mushka, kali, skllavi ishin çmimi që ai duhej t'i paguante fatit për të mbetur vetë gjallë. Por ky njeri shpirtvogël nuk deshi të kuptonte, besoi se po fitonte një grusht me pará, por në fakt vrapoi të humbiste gjithçka, madje edhe jetën. Qeshu, pra, o qen sepse gjatë dyzet ditëve të zisë do kemi të ngrëna me bollëk.
Zengjini vrapoi si i shkalluar tek Solomoni për t'i kërkuar ndihmë.
- Është dekret hyjnor, - u përgjigj profeti, - nuk është e mundur të kthehet mbrapsht.
Ditën tjetër gjeli këndoi sërish, dielli u ngrit në qiell dhe i zoti vdiq.
Shtruan të ngrëna plot, për miqtë, të ftuarit, fqinjët. Duke çukitur mbeturinat, gjeli po i thoshte qenit:
- Hë..., po tani më beson?
Por tashmë nuk kishte më njeri që të kuptonte bisedën e tyre."
Jean-Claude Carrière, Le cercle des menteurs, Plon, 1998
Shqipëroi H.Ligori











