Urtësi

Mbretëria e majmunëve

Nga Ezopi

Dy miq po shëtisnin së bashku. Njëri nga ata nuk gënjentë kurrë, ndërsa tjetri nuk mund të rrinte kurrë pa gënjyer. Duke shëtitur, pa e kuptuar kishin arritur në një pyll të madh. Nuk e dinin se ishte pylli i majmunëve.

Një nga majmunët që e quante veten mbret, urdhëroi majmunët roje t’i sillnin para tij dy kalimtarët. Kërkonte të mësonte se çfarë fliste njerëzia për atë dhe mbretërinë e tij.

Ndërsa prisnin të sillnin dy udhëtarët, mbreti urdhëroi majmunët e tjerë të rradhiteshin majtas dhe djathtas atij dhe të sillnin fronin mbretëror, njëlloj si të mbretërve të vërtetë. 

-Çfarë mbreti jam unë në sytë e tua o i huaj, -pyeti majmuni mbret njeriun që gjithmonë gënjente.

-Ju në sytë e mi jeni mbreti më madhështor që kam parë ndonjëherë, – tha udhëtari që nuk mund të qëndronte pa gënjyer.

-Po këta që janë rreth e rrotull meje e merrni dot me mend kush janë dhe çfarë detyrash kryejnë?

-E marr me mend shkëlqesi. Janë zyrtarë të lartë, figura të shquara, shoqërues, ambasadorë dhe gjeneralë të ushtrisë tuaj.

Mbreti majmun dhe majmunët e vënë në rradhë filluan të fryhen nga vlerësimet që po u bënte ky goxha njeri. Majmuni në fron e ndjente vehten vërtet si mbret kurse majmunët e tjere e ndjenin vehten si oborrtarë të lartë, ambasadorë e gjeneralë.

-Po ty si të dukem? –pyeti majmuni mbret, udhëtarin tjetër që thoshte vetëm të vërtetën e nuk gënjente kurrë.

-Mua më dukeni majmunë, tha ai që nuk dinte të gënjente.

Mbreti i majmunëve u zemërua nga e vërteta që po dëgjonte dhe skërmiti dhëmbët. Edhe majmunët e tjerë skërmitën dhëmbët e nxorën thonjtë prej majmuni, por në sytë e njeriut që thoshte të vërtetën përsëri ata ishin thjesht majmunë.