Urtësi

Dëshirat, Arsyeja dhe Thymosi

Nga: Klodi Stralla

Për të kuptuar personalitetin e një individi apo të një kombi të tërë na vjen në ndihmë Platoni me veprën e tij madhore “Republika”. Ai na thotë se “Shpirti” përbëhet nga tre pjesë: dëshirat, arsyeja dhe thymosi. Ndonëse të tre këto komponentë gjenden tek çdo individ apo komb, doza e tyre është e ndryshme tek individë e kombe të ndryshme, varësisht faktorëve gjenetikë, socialë apo historikë.

Një pjesë e madhe e sjelljeve të njeriut shpjegohet si kombinim i dëshirave me arsyen. Dëshira nxit njeriun të kërkojë gjëra jashtë vetes, ndërsa arsyeja ose të peshuarit mendor i tregon atij rrugën më të mirë për t’i arritur ato. Deri këtu jemi në biologji. 
Por ka edhe një faktor të tretë; Thymosi që, për mua, përbën thelbin e njeriut si qenie sociale. Thymos nuk ka asnjë kafshë sado e përparuar qoftë.

Njeriu ka një prirje të brendshme për t’i dhënë vetes një vlerë të caktuar (vetvlerësim) dhe për të kërkuar që të tjerët ta pranojnë këtë vlerë. Njerëzit besojnë se kanë një vlerë të caktuar dhe kur të tjerët i trajtojnë si më pak të vlefshëm se aq, ata përjetojnë emocionin e zëmërimit. Nga ana tjetër, kur njerëzit nuk arrijnë të jetojnë me ndjenjën e tyre të vlerësimit, ata ndjejnë turp dhe kur vlerësohen drejtësisht, në raport me vlerësimin e tyre per vetveten, ata ndjejnë krenari.
Kur thymosi është tejet i zhvilluar (megalothymia) ai i çon individët apo kombet në delire, në shkëputje nga realiteti, dhe shpesh edhe në konflikte të përgjakshme.

Dëshira për pranim dhe emocionet shoqëruese të zemërimit, turpit dhe krenarisë janë pjesë të personalitetit njerëzor, vendimtare për jetën e tij politike. Sipas Hegelit, ato përbëjnë “forcën lëvizëse” të gjithë procesit historik.
Personaliteti i çdo individi apo kombi i përngjan një paralelopipedi me gjatësi, gjerësi dhe lartësi të ndryshme, ku të tre dimensionet janë përkatësisht, dëshirat, arsyeja dhe thymosi.