Urtësi

Punë përrallash

Nga: Çapajev Gjokutaj

Jeta e njeriut është si të kapërcesh një mal. Gjysmën e kohës e kalon në ngjitje, gjysmën tjetër në zbritje.

Ecja paralel nuk zgjat shumë, se pllajat e majëmaleve kanë shtrirje të kufizuar.

Sa kohë ngjitesh, të duket se po shkon drejt qiellit, ndaj herë pas here pretendon të fluturosh. I riu si veriu.

Kur nis zbritjen, e kupton se destinacini yt është dheu, ndaj nis e bëhesh më realist e më modest. Urtësia e plakut, e ngrohta e oxhakut.

Gjithsesi edhe ngjitja edhe zbritja mbisundohen nga lodhja e mundimi. Eshtë mbase kjo arsyeja pse njerëzit krijojnë aq shumë vepra arti me përpjekje e luftë, me vuajtje e dhimbje.

Atje ku mbarojnë përpjekjet e mundimet, aje ku nis gëzimi e lumturia, mbaron dhe historia e përrallës, romanit a filmit. Pjesa e gëzuar e jetës përmblidhet e gjitha në një frazë: dhe pastaj rrojtën të lumtur, u plakën e u trashëguan.

Këtë s’kam arritur ta kuptoj ndonjëherë. Ngjan sikur njeriu është i etur për dhimbje e vuajtje, kurse me gëzim e lumturi është ngopur deri në velje. Punë përrallash

Tagged under Çapajev Gjokutaj