Urtësi

A e ka gjetur Lulzim Basha “fillin e Arianës” për të dalë prej labirintit? - Nga Klodi Stralla

Nga: Klodi Stralla

Opozita shqiptare prej muajsh ka braktisur parlamentin dhe ka dalë në rrugë. Ka organizuar edhe dhjetë protesta masive kombëtare kundra qeverisë të Rilindjes. Bojkotoi edhe zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe aktualisht nuk ka akses as në pushtetin qendror dhe as në atë lokal. Premtoi se do ta largonte Edi Ramën nga qeverisja por ende sot nuk ia ka mbërritur një synimi të tillë. 
Kjo situatë më solli në mendje një ndodhi nga mitologjia greke, atë që bën fjalë për vrasjen e Minotaurit nga Tezeu, duke u siguruar paraprakisht, në këtë ndërmarrje të rrezikshme, nga “filli i Arianës”

Tezeu ishte një hero mitik i antikitetit, si Herakliu, që ndreqte paudhësitë dhe padrejtësitë e të pushtetëshmeve të kësaj bote. Legjenda na tregon se për këtë atij i duhej të ndeshej me Minotaurin, një qenie përbindësh, me fytyrë demi dhe trup njeriu, që banonte në një shpellë labirint, të ndërtuar nga arkitekti më i mirë i mbretit të Kretës - Minosi. Tezeu, që vinte nga Athina, u njoh në pallatin mbretëror me Arianën, vajzën e vetme të mbretit, e cila duke i njohur kurthet dhe pabesitë e të atit, nga dashuria për Tezeun, e këshilloi që para se të hynte në labirint të mbante me vete një lëmsh, njëri fill i të cilit të ishte në dorën e tij dhe tjetri në dorën e saj, me qëllim që ai të kish mundësi të gjente rrugën e kthimit dhe të dilte nga labirinti, prej të cilit nuk kish dalë askush gjallë. 


Tezeu e dëgjoi këshillën e saj, u fut në labirint, e vrau përbindëshin Minotaur dhe doli me sukses prej tij duke siguruar edhe “trofeun”- Arianën e bukur për grua.

Secili le t’i bëjë vetë paralelizmat midis personazheve të legjendës me ato të politikës shqiptare, ndonëse statusi është thjesht simbolik. 
Ajo që dua të pyes është thjesht: A e ka gjetur Lulzim Basha “fillin e Arianës” për të dalë prej labirintit?