Urtësi

Pritshmëritë e gabuara gjithmonë zhgënjejnë - Nga Robert Kore

Zakonisht në fund të vitit shumat e llotarive kudo në bote bëhen shumë të larta. Kur blejnë për herë të parë një biletë llotarie me të cilën mund të fitosh për shembull deri 50 milion dollarë, në përgjithësi rioshët fillojnë direkt dhe ënderrojnë se çfarë mund të bëjnë me atë shumë parash. Menjëherë dhe në mënyrë naive, çdo rioshi i duket se do jetë ai personi që do fitojë 50 milionshin. Mirëpo vjen dita e llotarisë dhe kur hidhet shorti ai fiton vetëm 20 dollarë, aq sa pagoi për të blerë biletën.

Zhgënjimi është shume i madh.

Nëqoftëse fillon dhe luan çdo javë dhe nuk fiton, atëherë e kupton që të fitosh llotarinë nuk është gjë e kollajtë. Shumica e njerëzve në këtë jetë, megjithëse luajnë çdo javë, nuk kanë fituar asnjëherë shumat që ata prisnin të fitonin. Në këtë mënyrë ata fillojnë dhe ulen me këmbë në tokë dhe kuptojnë se si është realiteti dhe si funksionon llotaria.

Tashmë kur fitojnë ata 20 dollarët që paguan për biletën, ata fillojnë dhe gëzohen. Pra nëqoftëse në fillim ai 20 dollarshi ishte një zhgenjim i madh, tani, po ai 20 dollarshi të jep gëzim.

Po pse keshtu? A nuk është i njëllojtë ai 20 dollarshi, si në fillim, si mbas shumë vitesh? Çfarë ndodhi me ne?

Asgjë nuk ndodhi, vetëm se ne rregulluam pritshmëritë.

Tashmë nuk jemi dhe aq naivë sa të mendojmë se që me herën e parë do fitojmë 100 milion dollare.

Kështu ndodh edhe në jetë. Nëqoftëse kemi pritshmeri të gabuara, gjithmonë do të zhgënjehemi.