Urtësi

Fqinjët e inatosur

Nga: Jeta Dedja

Një ditë në një lagje të bukur me shtëpi dhe oborre të pastra për merak, doli një nga banorët, (në fakt ky ishte i ri në lagje, sapo e kishte blerë shtëpinë në cep të rrugës) për të vajtur në punë.

Ishte me nxitim dhe në duar mbante shumë gjëra, mes të cilave edhe një fletë që i ra pa dashje. Komshiu si njeri pa punë që ishte e pa nga dritarja dhe mendoi: “Ah i poshtri e hodhi kastile në bahçen time copën e letrës. Ia tregoj unë qejfin atij”.

E kështu, në mbrëmje komshiu i zemëruar do të zbatonte planin e hakmarrjes. Përveç copës së letrës që i ra fqinjit të ri, ai kishte grisur copë e çikë plot letra të tjera dhe i hodhi para verandës së komshiut.

Por rastisi që edhe fqinji i ri të ishte në dritare dhe e të shihte skenën. ‘Ou, - tha ai. Kështu qenka puna”. Doli gjithë nerva të pastronte oborrin e ndërkohë thurte në mendje përgjigjen ndaj këtij veprimi të pafytyrë. Dhe c’bëri? Jo ndonjë gjë me fantazi. Thjesht në mëngjes herët vajti e derdhi plehrat e mbrëmjes në oborrin e komshiut.

E kështu vazhduan të dy bashkë duke u hakmarrë me plehra fillimisht, pastaj e përshkallëzuan me dru e derisa u ra zjarr, e një ditë dogjën shtëpitë e njëri-tjetrit.

Të dy përfunduan në spital dhe madje në një dhomë. Ditën e parë nuk i folën njëri-tjetrit, të inatosur me gjithë sa kishte ndodhur. Ditën e dytë mezi e shtynë, të tretën folën. U shanë, e u shanë pastaj, pas ca kohësh erdhi pajtimi.

Një ditë arritën të diskutonin sebepin e hakmarrjes që ishte fleta e rënë pa dashje. Pasi u sqaruan që gjithçka kishte qenë një keqkuptim, u ndjenë si dy budallenj.

Pastaj i thirrën mendjes dhe vendosën të ndërtonin shtëpitë nga e para dhe për çdo gjë të dyshimtë të pyesnin e ta sqaronin, e jo të merrnin me mend.

 

*Punuar mbi motive popullore meksikane