Urtësi

Pse i verbri ecte me fener në dorë?

Në një qytet të bukur, të vogël, i preferuar nga turistët jetonte dikur edhe një burrë që kishte humbur shikimin.

Kur errësohej, burri ndizte një qiri apo merrte një fener dhe e mbante të dorë për të ecur.
Një mbrëmje, duke u kthyer për në shtëpi, dëgjon ca romuze dhe gajasje nga një grup njerëzish.

“Hahhaa, një i verbër po i bën dritë vetes të shohë rrugën”.

Burri, ndaloi, ktheu kokën prej nga vinte zëri dhe tha:
“E mbaj në dorë këtë fener për t’ua ndriçuar rrugën njerëzve si ju. Që të më shohin dhe mos të përplasen me mua”.

Sa kollaj është të nxjerrësh fjalën e keqe nga goja për dikë, ta gjykosh për veprimet e tij, për bindjet, apo mendimet. Po sikur ta kthejmë nga ana tjetër e ta shohim ndryshe një situatë? Pra ta konsiderojmë perspektivën e tjetrit? Fundja, kush lindi ekspert i gjithçkaje në këtë botë? Kush arriti perfeksionin në jetë?
Dhe kush e ka realisht monopolin e së vërtetës apo të drejtës?

Të parit e një tabloje nga pika të ndryshme të jep ndjesi të ndryshme. Provoje!

©FlasShqip.ca