Urtësi

Jeta është një poezi - Nga Dom Gjergj Meta

Jetën e shoh si poezi. Herë ka rimë, ndërsa herë-herë është e lirë e herë të tjera hermetike dhe e pakuptueshme.

Ndonjëherë të entuziazmon e herë tjera të pezmaton apo të çon aty ku ty nuk ta ka qejfi.

Ta shkruash, shpesh nuk di, thjesht e shijon apo e lexon e nganjëherë të duket monotone, e gjatë e herë tjetër një varg i vetëm.

Sa poezi na kalojnë çdo ditë parasysh në kryqëzimet e poezisë tonë. Ecin bashkë me ty ose ndahen prej teje pas një copë rruge. Herë lindin e vdesin shpejt, herë e kanë rrugën e gjatë e herë ndalen e nuk ecin më përpara.

Çdo jetë është një poezi edhe pse jo çdo varg është i thurur bukur, por mbetet një poezi. Disa kur i lexon i kupton menjëherë, disa të lodhin. Poezi të tjera kanë zënë një vend diku në bibliotekën e kujtesës tënde dhe pak pluhur e të tjera i ke çdo ditë para sysh e në mendje.

Disa ke frikë t'i kapësh në dorë e t'i lexosh se të ngjallin dhimbje ose mall. Por nuk flaken, nuk digjen edhe në qofshin herezi, edhe në qofshin të qullura nga lotët e një nate vuajtje. Dhimbja më e madhe do të ishte një poezi e harruar të cilën se lexon më askush.

Jeta është një poezi e vargjet e saj si miqtë. Janë aty për ty pa kushte, madje edhe nëse prishesh me ta.

©Dom Gjergj Meta