Jeta mbetet e mjerë, po t'i heqësh gëzimet e vogla - Nga Çapajev Gjokutaj
Më vjen mirë që je sedërli, përpiqesh e punon si rrallëkush. Sakrifikon edhe nga koha e pushimit dhe e argëtimit.
Por mbase edhe raportet punë - pushim, robëtim - dëfrim kërkojnë një lloj ekuilibri.
Ndruaj se filmat, librat, këshillat morale etj. na krijojnë iluzione heroike: njeriu s'pushon së luftuari, vuan e sakrifikon se do qeshë e do gëzohet kur të arrijë majat.
Vetëm se përjetimet më të fuqishme, gëzimet më të shumta, njeriu nuk i provon kur arrin majën e malit, por gjatë ngjitjes.
Veç kesaj jeta mbetet e shkurtër dhe e mjerë, po t'i heqësh gëzimet e vogla, të tilla si: shija e bukës, aroma e ftoit, pafajësia e vështrimit të fëmijës, nostalgjia që ngjall ndriçimi i pjerrët i kësaj dite vjeshtore.
Përpiqu të kapësh e përjetosh sa më shumë të tilla. Pa to jeta s'është tamam jetë, merr trajtën e një gravure bardhë e zi.
Por më e keqja është se, duke injoruar gëzimet e vogla në pritje të të mëdhave, rrezikon që me kalimin e kohës edhe ti të funksionosh vetëm bardhë e zi dhe ta bësh jetën tënde dhe të atyre që ke pranë, shumë më të varfër e më të shkurtër.
Ndaj mos i nënvleftëso kënaqësitë e vogla, pa një lugë kripë e një pulqer piper, gjella bëhet bajate.
Fundjavë plot kënaqësi, të mëdha e të vogla!
©Çapajev Gjokutaj











