Urtësi

Litari i elefantit

Nga cikli: Histori inspiruese

Një burrë po kalonte pranë një elefanti dhe befas vuri re se në këmbën e tij ishte lidhur një litar. Nuk kishte as zinxhirë dhe as kafaz. Elefanti në çdo kohë mund ta tërhiqte këmbën dhe ta këpuste litarin, por në fakt ai rrinte aty pa lëvizur.

Burri pa instruktorin e elefantit aty pranë dhe e pyeti se si shpjegohej që elefanti nuk ikte.

“Epo, -u përgjigj ai- që kur janë të vegjël ne i lidhim një litar te këmba që të mos ikin. Ata bëjnë tentativë dhe kuptojnë që nuk e këpusin dot litarin. Kur rriten janë të mësuar me këtë fakt dhe besojnë ende se nuk e këpusin dot litarin, prandaj nuk përpiqen fare.”

Burri u mahnit. Këto kafshë të forta mund të fitonin lirinë në çdo moment por nuk e bënin këtë gjë vetëm sepse nuk kishin besim te vetja.

Ashtu si elefanti, shumë njerëz ngecin në rrugët e jetës dhe nuk i japin drejtim vetëm sepse dikur kanë dështuar. Dështimi është pjesë e të mësuarit. Nuk duhet të dorëzohesh asnjëherë!