Urtësi

Ridimensionim - Nga Dom Gjergj Meta

Bota është shumë më e vogël se sa e mendojmë ne. Aq e vogël sa nuk na e rrok as mendja vogëlsinë e saj. Vetë fjala "i madh" humb domethënien e saj. E megjithkëtë ne jemi aq mendjemëdhenj e arrogantë saqë na duket vetja se jemi qendra e botës, e madje pretendojmë me qenë pronarët e saj.

Prandaj sundimi i njeriut nga njeriu, skllavërimi dhe abuzimi me njeriun, pretendimi se po mbrojmë të vërtetën, vetë ideja e mostolerancës në emër të ideologjive të ndryshme, nacionaliste, ksenofobe, raciste, fetare etj., janë mjerime të racës njerëzore. Ne shtyhemi deri aty sa i japim të drejtën vetes të vendosim mbi jetën njerëzore duke vrarë fëmijët në kraharorin e nënës me një të ngritur të kartonit në parlament.

Këta jemi ne dhe na erren sytë aq shumë saqë ngremë individë e grupe individësh në piedestalin e absolutes. E kështu krijojmë diktatura, hapim luftra, masakrojmë njëri-tjetrin.

Nuk di të them në ç'epokë të saj gjendet historia, por ajo që po asistojmë është budallepsja e njerëzve. Gjithnjë e më shumë po rriten turma njerëzish pa personalitet të tyrin. Bashkëkohësia vuan nga homogjenizimi i racës njerëzore: "Bëj kështu, sepse bëjnë të gjithë kështu."

Atëherë ata që janë pak më inteligjentë hedhin në treg mall dhe ide e gjejnë klientë që u shkojnë mbrapa vetëm nga scroll-i i një smartphon-i, nga imazhi i një fotografie të zgjedhur mes mijëra shkrepjesh, nga imazhe të montuara propagandistike.

Nuk mendohet më, nuk lexohet më, nuk arsyetohet e nuk shoshitet me mendje të vetën. Kemi një masë amorfe zombish virtualë që rendin pas lajmit të fundit apo thashthemit të fundit. Askush nuk dokumentohet më, apo nuk ka të paktën përulësinë të pyesë nëse ajo që ka parë apo dëgjuar është e vërtetë.

Ne jemi vërtetë të vegjël, planeti ynë është i vogël, vetë galaksia jonë është një ndër miliarda galaksi. Kjo ama nuk duhet të na trembë, por të na ridimensionojë.

Për të ekzistuar e për të jetuar jetën tonë kemi vetëm një mundësi: të duam njëri-tjetrin. Nuk shoh diçka tjetër veç dashurisë që mund të na largojë nga ndjenja e madhështisë, duke na lënë në dimensionet tona reale. Sepse vetëm kur do tjetrin si vetveten ke mundësi t'i japësh vlerësim real vetes dhe tjetrit.

©Dom Gjergj Meta