Shitësi dhe dreri
Një përrallë që frymëzon realitete... ose e kundërta. Nga Franz Hohler
A e njihni thënien: “T’i shesësh drerit një maskë gazi.”? Këtë thënie e përdorin në Suedi për dikë që është shumë i zoti e unë tani dua t’ju tregoj si lindi ajo.
Na ishte dikur një shitës, i cili ishte i zoti t’i shiste gjithkujt gjithçka. Ai i kishte shitur njëherë dentistit një furçë dhëmbësh, një bukëpjekësi i kishte shitur një bukë, një kopshtari frutash i kishte shitur një arkë me mollë.
“Ti do të jesh tregtar vërtet i mirë”, i thanë shokët një ditë prej ditësh, “vetëm nëse do arrish t’i shesësh drerit një maskë gazi.” Atëherë shitësi iu ngjit veriut përpjetë, gjersa mbërriti në një pyll, ku frymonin vetëm drerë.
“Mirë dita!”, i tha tregtari të parit dre që ndeshi në udhë, “Me siguri që ju keni nevojë për një maskë gazi”.
"Ç’ta bëj?", pyeti dreri, "Ajri këtu është i pastër".
"Të gjithë e kanë nga një maskë gazi këtyre ditëve.", tha shitësi.
"Më vjen keq", tha dreri, "por mua nuk më duhet".
"Vetëm prisni", tha shitësi, "pa do t’ju duhet me domosdo". Dhe pak kohë më vonë ai filloi të ndërtonte një fabrikë atje lart, mu në zemër të pyllit, ku jetonin vetëm drerë. "Mos je gjë i çmendur?", e pyetën miqtë. "Jo," u përgjigj ai, "dua vetëm t'i shes drerit maskën e gazit."
Kur fabrika mbaroi, aq shumë tymra toksike dilnin nga oxhaku, saqë s’kaloi shumë kohë dhe dreri iu qas tregtarit e i tha: "Tani më duhet një maskë gazi."
"Këtë mendova dhe unë", i tha shitësi dhe menjëherë ia shiti njërën. "Mall cilësor!", vazhdoi qesëndisës.
"Drerët e tjerë ", tha dreri, "tani edhe ata kanë nevojë për maska gazi. A ke të tjera?" (Drerët nuk e përdorin formën e të folurit të mirësjellshëm me “ju”.)
"Ju jeni me fat", i tha shitësi, "kam mijëra të tilla".
"Meqë ra fjala", tha dreri, "çfarë bën ti atje në fabrikën tënde?"
"Maska gazi", gjegji shitësi.
Nga gjermanishtja: Anna Kove










