Urtësi

Gazetaria pas Komunizmit: Dhjetë urdhëresa për të qenë një gazetar i mirë - Nga Adam Michnik

Para njëqind vjetësh, Emile Zola, një romancier i jashtëzakonshëm francez, la një gjurmë të pashlyeshme mbi shekullin e 20-të duke marrë në mbrojtje Alfred Dreyfus-in, një oficer të ushtrisë franceze me origjinë hebre, të akuzuar në mënyrë të rreme për spiunazh. Në letrën e vet të famshme «J’accuse» (1898), ai i shkruante këto fjalë Presidentit të Republikës franceze:

«Oh, çfarë balte ka hedhur dhe e ka njollosur emrin tuaj - kjo çështje e turpshme e quajtur Dreyfus! Unë do të them të vërtetën dhe u betova vetë-më-vete ta shpall botërisht atë, në qoftë se autoritetet e drejtësisë që merren me këtë çështje nuk kanë për ta shpalosur të vërtetën lakuriq. Është detyra ime të hap gojën e të flas, duke qenë se nuk dua të hyj në radhët e fajtorëve për këtë krim. Fantazma e një të pafajshmi, e një njeriu që heq tortura të lemerishme për një krim që nuk e ka kryer, më përndjek e nuk do të më lerë të qetë as natën».

Zola i doli krah një njeriu që përndiqej gabimisht; i doli krah të vërtetës së amshuar; i doli krah idesë së një shteti tolerant; i doli krah emrit të mirë të mëmëdheut të tij, Francës. Ai e shndërroi çështjen “Dreyfus” në një gur sprove për krejt opinionin publik. Franca e të shkuarës foli dhe e shpalosi qëndrimin e saj kundrejt çështjes: konservatore, tradicionaliste, monarkiste, katolike dhe puthadore e të huajve. Por në përpjekjen për ta shpallur Dreyfusin të pafajshëm, u dëgjua zëri i Francës të së ardhmes: demokratike, shekullare, republikane dhe tolerante. Ishte Zola që bëri të fitonte Franca e së ardhmes.

Zola formuloi standardet dhe moralin për shkrimtarët dhe intelektualët e mbarë një shekulli. Kjo është edhe arsyeja, përse çdo shkrimtar, kritik ose gazetar duhet të gjejë vetveten në shëmbëlltyrën e Zolas, në qoftë se ai e koncepton profesionin e tij si diçka më shumë se thjesht të fitosh para. Falë Zola, intelektuali, gazetar i një shekulli më pas, u ndje moralisht i detyruar të angazhohej në politikë si shprehje e shqetësimit të tij për të mirën e përbashkët dhe jo si përpjekje për të fituar pushtet. Dhe ai iu mbajt kësaj vije si për mirë ashtu edhe për keq.

Suksesi i Zola u bë burim i kurajës për shkrimtarët, por në të njëjtën kohë ai u bë edhe burim kryelartësie. Kjo gjë fiksoi imazhin e intelektualit, mbrojtësit të të drejtave të njeriut, por edhe predikuesit, njeriut që ndan të mirën nga e keqja në jetën publike. Pikërisht për këtë arsye, gjatë gjithë shekullit të 20-të u mësuam t’i shohim intelektualët në vijën e parë të frontit duke luftuar kundër regjimeve totalitare, por edhe në radhët e atyre që i bekonin këto regjime. Duke ndjekur gjurmët e Zolas, intelektualët besonin me tërë mend se atyre u ishte caktuar misioni t’i çirrnin maskën shoqërisë.

Kryelartësia që shkonte e zinte fill te ky besim i shtyri ata të adhuronin verbazi fashizmin ose komunizmin, të cilët zotoheshin të shkulnin gjithë të keqen që kishte hedhur rrënjë në këtë botë. Çdo ngadhënjim e humbje që kanë pësuar intelektualët gjatë shekullit të 20-të e gjen burimin e frymëzimit tek ai gjest i madh i kryer nga Emile Zola.

Pas rënies së regjimit komunist, kur shtypi i lirë sapo ishte krijuar në Poloni, kurdoherë që e vrisja mendjen rreth përvojës së gazetarisë gjatë shekullit të 20-të, e cila ishte shndërruar e bërë një element i fuqishëm dhe integral në demokracitë moderne, gjithnjë e më shpesh më shkonte mendja te Zola. E megjithatë mendjen e vrisja gjithashtu edhe rreth përvojë së gjithë atyre gazetarëve, të cilët në të njëjtën kohë, qenë bërë komponentë të korrupsionit të demokracive moderne.

Qershori i vitit 1992 do të kujtohet në historinë e Polonisë si «Nata e Dosjeve të gjata», çka është një perifrazim polak dhe aluzion për famëkeqen «Natë e thikave të gjata», koha kur Adolf Hitleri qëroi hesapet me kundërshtarët e tij politikë. Për fat të mirë në rastin e Polonisë ngjarjet morën një rrjedhë më të njerëzishme. Qeveria që e kishte humbur shumicën në parlament hodhi akuzën se gjatë periudhës së diktaturës presidenti, kryetari i Parlamentit, ministri i punëve të Jashtme, ministri i Financave dhe një numër i madh deputetësh, ndër të tjerë, kishin qenë agjentë të policisë së fshehtë komuniste.

Sakaq shteti u gjend në zgrip të vetëshkatërrimit. Ky do të ishte gjithashtu edhe një moment gjykimi edhe për median. Për të gjithë gazetarët erdh e u bë e qartë se çdonjëri prej nesh kishte përgjegjësi civile përpara shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye e pothuaj në mënyrë unanime ne s’pranuam të publikonim listat me emrat e agjentëve të supozuar, të cilat ishin përpiluar nga ministri i Brendshëm i qeverisë së rrëzuar duke u bazuar në dosjet e ruajtura nga zyrat e policisë së fshehtë komuniste.

Ne vendosëm se një dosje e hartuar nga armiq të përbetuar për vdekje për të asgjësuar një individ si në kuptim moral ashtu edhe fizik të fjalës, nuk mund të ishte një burim i besueshëm dijeje rreth një veprimtari të angazhuar në lëvizjen opozitare për demokraci. Për herë të parë, unë arrita të mësoj nga ky skandal se sa e lehtë ishte të shndërroheshe në mashë në duart e dikujt tjetër dhe se zotësia për t’i bërë ballë manipulimeve të fshehta duhet të bëhet çështje dinjiteti për gazetarin. Kjo qëndresë lypset të bëhet shqetësim lidhur me ekologjinë e profesionit tonë, si dhe me pastërtinë e mjedisit ku zhvillohet debati publik.

M’u ndërmend kjo histori sërish në Nëntor të vitit 1995, kur një tjetër ministër i Brendshëm akuzoi kryeministrin se kishte kryer krimin e spiunazhit për shërbimet e fshehta sovjetike. Kryeministri kishte qenë funksionar i Partisë Komuniste në kohën e diktaturës. Ministri i Brendshëm ishte një nga figurat më të spikatura të lëvizjes për Solidaritet, më vonë i burgosur politik e paskëtaj një nga udhëheqësit e strukturave të nëndheshme të opozitës demokratike. Kujt duhej t’i besoja? Kryeministrit postkomunist që deklaronte se nuk kishte qenë kurrë në jetën e vet spiun, apo ministrit të Brendshëm, të cilin e njihja qysh nga koha kur luftonim së bashku në ilegalitet kundër diktaturës?

Në këtë skandal politik nga më spektakolarët e viteve të fundit, media ishte ndarë në një mënyrë tepër karakteristike. Një pjesë - pothuajse verbazi - i zinte besë fjalës së ministrit të Brendshëm. Pjesa tjetër - po aq verbazi - i zinte besë fjalës së kryeministrit. Ndërkaq, nisën të rrjedhin informacione nga shërbimet e fshehta qeveritare. Media postkomuniste shtiu në dorë informacionin që e nxirrte të pafajshëm kryeministrin. Media post-anti-komuniste shtiu në dorë një tjetër informacion që vërtetonte akuzat e ministrit të Brendshëm. I gjithë ky skandal, i cili për fat nuk e tronditi nga themelet demokracinë polake, ishte një gjyq i madh edhe për vetë median. Gjithashtu ai u bë një leksion i mirë për të mos u besuar shërbimeve të fshehta qeveritare, sa herë që ato shkojnë e pleksen në luftërat e politikës. Më së fundi doli në dritë se akuza për spiunazh e drejtuar kundër kryeministrit bazohej në dëshmi aspak bindëse.

Qysh nga ajo kohë më është mbushur mendja se armiku kryesor i medias së lirë është rendja pas bindjeve ideologjike dhe shpërfillja e besueshmërisë së informacionit. Një tjetër armik është edhe verbëria. Duke i besuar asaj je në gjendje të bësh vetëm ndonjë vëzhgim të rëndomtë. Veç atyre çka thamë më sipër ka edhe në leksion tjetër që duhet ta përvetësosh në dritën e këtij skandali: në një vend demokratik mediat kanë tundimin të shtien në dorë e të përdorin informacionin që shfryjnë ekskluzivisht shërbimet e fshehta, por këto shfryrje janë thjesht një përpjekje për ta orientuar median nga jashtë, për të manipuluar opinionin publik.

Në dritën e këtyre episodeve njerëzit më pyesin: Cilin krah mban ti? Cilën parti apo aleancë partish mbështet? E vërteta është se ne nuk i gjejmë dot vend vetvetes sipas kësaj ndarjeje. Ne jemi që Polonia të jetë një shtet sovran ku sundon ligji, një shtet me demokraci parlamentare dhe ekonomi tregu; një shtet i orientuar vazhdimisht në përpjekjet e veta për t’u bërë pjesë e strukturave të qytetërimit euro-atlantik dhe besnik ndaj identitetit të tij historik. Vetëm kësisoj Republika e Polonisë do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë e t’u kundërvihet të gjitha llojeve të ekstremizmave, pavarësisht nga etiketat që u ngjisim: fashizëm i «zi» ose i «kuq», bolshevizëm i «kuq» ose i «bardhë». Pikërisht për këtë arsye ne nuk e identifikojmë veten me asnjë parti politike, ndërkohë që ne dëshirojmë ta trajtojmë çdonjërën prej tyre si një komponent normal të pluralizmit polak, mjaft që ato të ndjekin e zbatojnë rregullat e demokracisë në Poloni.

Ne dëshirojmë të jemi një nga komponentët e demokracisë në Poloni, pjesë e institucioneve të kësaj demokracie. Ja pra, kështu e konceptojmë rolin tonë në jetën publike të Polonisë. Gjithashtu dëshirojmë të kapemi fort pas parimeve tona bazë, të cilat janë 10 urdhëresa (plus 1) për një gazetari dinjitoze në periudhën pas komunizmit.

Urdhëresa 1: «Dhe Perëndia foli e tha: Unë jam Zoti juaj Perëndi, që ju nxori nga toka e Egjiptit, jashtë shtëpisë së skllavërisë. Ju nuk duhet të keni të tjera perëndi përveç meje».

Perëndia jonë që na priu e na nxori nga skllavëria ka dy emra: Liria dhe e Vërteta. Kësaj Perëndie duhet t’i nënshtrohemi e t’i jepemi me mish e me shpirt. Kjo Perëndi është xheloze. Ajo kërkon besnikëri absolute. Në qoftë se u përulemi perëndive të tjera - shteti, kombi, familja, siguria publike - në kurriz të lirisë dhe së vërtetës, do të ndëshkohemi me humbjen e besueshmërisë. Pa qenë i besueshëm, kurrkush nuk mund të jetë gazetar.

Liri do të thotë liri njëlloj për të gjithë, jo vetëm për mua, por gjithashtu edhe për kundërshtarin tim, për këdo që mendon ndryshe nga unë. Ne duhet të mbrojmë lirinë e të gjithëve, sepse ky është edhe thelbi i profesionit tonë, i zanatit që ushtrojmë. I vetmi kufi për lirinë tonë është e vërteta. Neve na lejohet të shkruajmë gjithçka, por na ndalohet të gënjejmë. Gënjeshtra në penën e gazetarit nuk është thjesht një mëkat kundër parimeve të profesionit tonë, por gjithashtu është edhe një blasfemi kundër Perëndisë sonë. Gënjeshtra të skllavëron. Vetëm e vërteta ka forcë të të japë lirinë.

Gjithsesi kjo nuk do të thotë se ne mund të ndjehemi sipërorë, se ne jemi bartësit e së vërtetës së amshuar dhe se neve na lejohet në emër të së vërtetës, t’u kyçim gojën të tjerëve. E thënë më shkoqur, neve nuk na lejohet të gënjejmë, edhe atëherë kur na volit neve ose miqve tanë.

Urdhëresa 2: «Nuk duhet ta zini më kot me gojë emrin e Zotit, Perëndisë suaj; sepse Zoti nuk ia fal atij që e mban nëpër gojë më kot».

Liria dhe e vërteta janë fjalë të çmuara e të nderuara. Gjithsekush duhet t’i përdorë me kujdes dhe përgjegjësi. Shpërdorimi i bën fjalët e shenjta të rëndomta e banale. Ne jemi dëshmitarë të kësaj dukurie sot e gjithë ditën në Poloni. Nën parullën «Zoti-Nderi-Atdheu» partitë politike zhvillojnë fushatat e zgjedhjeve për në parlament, organizohen greva dhe rrugët bllokohen nga fermerët që kërkojnë ulje të taksave. T’i shkapërderdhësh këto fjalë të mëdha në beteja elektorale ose t’i ndotësh në fushat politike, në të vërtetë do të thotë t’i qesëndisësh ato.

Kur mban vesh e dëgjon që këto fjalë kaq të mëdha shndërrohen në fraza politike bajate, atëherë ndjejmë, pothuajse deri në palcë, atë që aq bukur e ka shprehur poeti ynë i adhuruar i shekullit të 19-të, Adam Mickiewicz: «Një fjalë tradhton zërin, dhe zëri tradhton mendimin». Ne gjithashtu ndjejmë se si fjalët bjerrin kuptimin. Gjuha rresht së qeni një mjet komunikimi midis njerëzve dhe vjen e bëhet metodë shantazhi.

Në qoftë se servilizmi mund të quhet kurajë, konformizmi mund të quhet gjykim i shëndoshë, fanatizmi mund të quhet besnikëri kundrejt parimeve, ndërsa nihilizmi moral të quhet tolerancë, atëherë fjala vjen e bëhet mjet për të falsifikuar realitetin. Kështu pra është krijuar «gjuha e dykuptimshme». Të përdorësh dykuptimshmërinë është krejt si të paguash me para kallpe. Neve nuk na lejohet ta bëjmë këtë gjë.

Urdhëresa 3: «Kujtohu për ditën e Sabathit, kujtohu që është ditë e shenjtë. Gjashtë ditë duhet të punoni; dhe të kryeni të gjitha punët, por dita e shtatë është Sabathi i Zotit, Perëndisë suaj. Këtë ditë nuk duhet të prekni punë me dorë».

Puna juaj është një katrahurë e vazhdueshme, e kryer ngaherë me ngut e rrëmbim. Ju e dini që gazeta duhet të shpërndahet e të gjendet në kioskë herët në mëngjes, se duhet të redaktoni lajmin, komentin, portretin dhe fotot, e paskëtaj të gjitha këto të faqosen e të shkojnë në vendin e tyre. Dhe të gjithë këtë ti e kryen me një frymë, i sforcuar. Shpesh kjo nuk është veç rutinë e një procesi mekanik.

Ja pra, përse duhet të kujtohesh për Sabathin, ditën kur ke kohë e mundësi të rrish e të mendohesh. Atëherë krijo njëfarë distance midis vetes dhe botës. Pusho dhe mendohu për gjërat më të rëndësishme. Mendo: meqenëse të gjithë jemi mëkatarë, ndoshta duhet të tregohemi më të moderuar para se të flakim gurin mbi mëkatarët e tjerë. Mendo: ndoshta ka një farë të vërtete, qoftë ajo edhe e pjesshme, në arsyetimin e kundërshtarëve tuaj. Ndoshta ata janë udhëhequr nga arsye, emocione ose interesa që ju nuk i kuptoni dot.

Krijo njëfarë distance me të ardhmen tënde profesionale. Mendo që nuk je vetëm gazetar; mendo që je edhe fëmijë për prindërit e tu; mendo që je edhe prind për fëmijët e tu; mendo edhe për miqtë e tu; mendo edhe për të afërmit e tu. Këqyre botën nga këndvështrime të ndryshme: nga poshtë, nga sipër, përbri. Paskëtaj këqyr vetveten, kokëfortësitë dhe fobitë e tua, modelet e lehta dhe mëritë e fshehta. Vetëkëqyrja është e nevojshme dhe pa këtë nuk ke për të qenë në gjendje të bësh një vetëkëqyrje të ndershme.

Urdhëresa 4: «Ndero atin dhe nënën; ditët e tua mund të jenë të gjata mbi dheun që të ka dhënë Zoti, Perëndia juaj».

Ndero trashëgiminë. Ti nuk punon mbi një truall të virgjër ose një djerrinë. Të tjerë kanë punuar mbi këtë truall para teje dhe ti je pasardhësi, trashëgimtari, nxënësi i tyre. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të mbash qëndrim kritik, por që të mund të gjykosh me ndershmëri rreth historisë së kombit, qytetit, mjedisit dhe familjes tënde, nderimi dhe dija janë të domosdoshme.

Tek e fundit, si ka qenë historia në vetvete? Po ja, ka qenë e mbushur me fisnikëri e kodoshëri, kompromise e revolucione, seriozitet e rëndomtësi, tragjedi e shpresë, përbetime e bashkëpunime, ortodoksi e herezi. Përzgjidh fije të veçanta nga lëmshi i historisë dhe rindërto traditën tënde, një vargan njerëzish, idesh dhe veprash që ti do të doje t’i çoje përpara. Por në rast se nuk dëshiron të biesh viktimë e vetëidealizimit, atëherë lypset të sjellësh ndërmend mbarë këtë trashëgimi. Mos harro që edhe kundërshtarët e tu i binden urdhëresës dhe nderojnë etërit e tyre. Përpiqu t’i kuptosh edhe ata.

Vetëidealizimi shpije fill e në vetëzhgënjim; më pas në marrëzi; e së fundi në intolerancë ideologjike, etnike ose religjioze. Themelet e bashkësisë njerëzore gjenden te kujtesa dhe nderimi për atin dhe nënën e çdonjërit prej nesh, për besimin e tyre, dashurinë e shpresën, por gjithashtu edhe për nënat dhe etërit e popujve të tjerë. Përndryshe mendimi njerëzor shkon e vidhiset në grackën e gënjeshtrës dhe narcizizmit, ose në grackën e amnezisë, çka të shtyn të mendosh që e shkuara nuk ia vlen një gjykim moral. Czeslaw Milosz ka shkruar për një botë ku kurrgjë nuk ekziston përnjëmend dhe asgjë nuk është e vërtetë, ku kurrgjë s’ka fillim e fund, ku kurrgjë s’vlen as të dashurohet, as të përçmohet. E atëherë, ç’kuptim ka jeta ose puna?

Ku e vërteta nuk është e vërtetë

Dhe arti nuk është art

Dhe drejtësia nuk është drejtë

Dhe shkenca nuk është shkencë

Nën një qiell që nuk është qiell,

Mbi një tokë që nuk është tokë

Ku faji nuk është faj

Dhe zvetënimi nuk është zvetënim.

Urdhëresa 5: «Jezusi tha: Duaje të afërmin tënd siç do vetveten».

Duaje vetveten. Çmoje dinjitetin tënd; përsose. Përsos ndërgjegjen. Drejtoji vetes pyetje të vështira dhe përgjigju pa hile. Shihe të afërmin tënd si subjekt dhe jo si objekt. Duhet të dish të kuptosh përgjegjësinë që ke. Rrjedh nga një familje tjetër, nga një tjetër komb; prapëseprapë sillu me të siç do të sillesh me vetveten. Jepi munxët nacionalizmit. George Orwelli ka shkruar:

Me «nacionalizëm» unë nënkuptoj më së pari huqin e të pandehurit se qeniet njerëzore mund të klasifikohen, fjala vjen si insektet, dhe se blloqe të tëra me miliona ose dhjetëra miliona njerëzish mund të etiketohen në mirëbesim «të mirë» ose «të këqij». Dhe së dyti - çka është edhe më e rëndësishmja - nënkuptoj huqin e të vetëidentifikuarit me një komb të vetëm ose një tjetër grup, duke e vendosur atë përtej të mirës ose të keqes dhe duke mos marrë parasysh tjetër detyrë veç asaj të çuarjes përpara të interesave të tij. Nacionalizmi nuk duhet të ngatërrohet me atdhetarinë… Atdhetaria për vetë natyrën e saj është në mbrojtje, si ushtarakisht ashtu edhe kulturalisht. Nacionalizmi, nga ana tjetër, është i lidhur pazgjidhshmërisht me dëshirën për pushtet. Synimi i patjetërsueshëm i çdo nacionalisti është të përvetësojë sa më shumë pushtet dhe prestigj, jo për vete, po për kombin ose grupin në të cilin ai e sheh të shkrirë individualitetin e vet.

Orwelli ishte burrë i mençur. Po kështu ishte edhe i ndjeri At Janusz Pasierbi, historiani i artit, kleriku, shkrimtari dhe poeti, i cili s’lodhej së foluri për dashurinë rreth të afërmit dhe së shpjeguari këtë gjë atij: «Oh, sa mirë është që ti ekziston», dhe shtonte: «Është mirë që ti ndryshon nga ne». Sepse qeniet njerëzore ndryshojnë. Çdonjëri nga ne ka jetëshkrimin, kombësinë dhe religjionin e vet. Shpesh tjetri është në konflikt me jetëshkrimin, kombësinë dhe besimin tënd. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, duaje atë, ashtu siç do vetveten. Respektoje të drejtën e tij për të qenë ndryshe, për të pasur një tjetër kulturë, tjetër kujtesë, edhe pse ai ka qenë armiku yt. Me fjalë të tjera, mos përgjithëso. Diferenco mëkatin nga mëkatari. Përpiqu të shohësh te kundërshtari një partner me të cilin duhet të komunikosh dhe jo armikun që duhet shkatërruar.

Urdhëresa 6: «Mos vrit».

Fjalët e tua mund të vrasin; ky është nuri i helmtë i punës së gazetarit. Por përmes fjalës mund gjithashtu të bësh edhe mirë; mund t’i çlirosh njerëzit nga magjia e totalitarizmit, mund të mbërrish tolerancën, mund të dëshmosh të vërtetën dhe lirinë. Mund edhe t’i përimtosh fjalët. Këtë bënë klasikët e gazetarisë polake. Michal Glowinski, Stanislaw Baranczak, Jakub Karpinski dhe Teresa Bogucka qenë pionierët e analizës shteruese të gjuhës së dykuptimtë, të gjuhës fjalëvrasëse, të gjuhës së urrejtjes.

Lufto me penën tënde, por lufto me dinjitet, pa urrejtje. Mos qëllo më fort se ç’lypset. Mos mendo se ke formulën e drejtësisë së amshuar. Dhe, sidomos, kurrë mos mendo se mund të jesh «krahu i Perëndisë», sa herë që godet për vdekje kundërshtarët e tu. Kur akuzon dikë për mungesë atdhetarie, për korrupsion, për tradhëti, mos harro se je duke e vrarë tjetrin. Dhe se do të vijë një ditë që e vërteta do të dalë në dritë dhe atëherë ke për t’i paguar haraç burracakërisë tënde, qoftë edhe atëherë kur i jep llogari ndërgjegjes tënde. Mos vrit. Mos i bëj tjetrit atë që nuk do që tjetri të ta bëjë ty.

Urdhëresa 7: «Mos kurvëro».

Qëndro besnik, më së paku atyre pak parimeve që i konsideron të çmuara dhe më së paku atyre pak njerëzve, të cilëve e ke për detyrë t’u qëndrosh besnik. Mos u bëj mercenar i tjetërkujt. Mos e zvetëno profesionin për pushtet, për para, për një «As që më bëhet vonë». Vetëm liria të lejon të jesh besnik. Veç kësaj, zotësia për të qenë besnik - ndaj parimeve, vlerave, njerëzve - është sprova e zotësisë për të qenë i lirë. Tradhëtia dhe urrejtja janë simptoma të zbrazëtisë së brendshme, çka i paraprin kapitullimit dhe skllavërisë. S’ka gjë më të turpshme se tradhtia.

Urdhëresa 8: «Mos vidh».

Nuk ka gjë më komprometuese për gazetarin se plagjiatura. Dhe këtu nuk është fjala për një të keqe që i bëhet dikujt tjetër, por edhe një goditje ndaj ndjenjës kolektive për drejtësinë dhe ndershmërinë.

Plagjiatura i hap udhë korrupsionit në jetën publike; plagjiatura është një akt pandershmërie e aplikuar si metodë. Plagjiatura bren shpirtin e gazetarisë. Manipulimi i së vërtetës, topitja e njerëzve - këto janë simptomat specifike të vjedhjes, të korrupsionit në profesionin e gazetarit.  Le t’u hedhim një sy e të lëçisim fjalët e mëdha: Zoti, Nderi, Atdheu. Kur shqiptohen nga një gazetar i korruptuar, ato tingëllojnë si fjalë të vjedhura, ngaqë janë zhveshur nga kuptimi i tyre fillestar. Vlerat tashmë të shndërruara në emblema, veniten. Ja, pra, përse gazetarët duhet t’i thonë vetvetes: mos vidh. Thënë ndryshe, mos kopjo më shumë nga ç’nevojitet.

Urdhëresa 9: «Mos bëj be të rreme kundër të afërmit tënd».

Konflikti është diçka normale në një shoqëri dhe shtet demokratik. Pikërisht për këtë arsye, stili i këtij konflikti, kultura dhe gjuha e tij, janë kaq të rëndësishme. Ne, gazetarët, jemi përgjegjës në një masë të konsiderueshme, për këtë stil. Ia vlen barra qiranë t’i thërrasim mendjes e të kuptojmë sërish një sërë dukurish. Urdhëresa shporre gënjeshtrën («be e rreme») nuk do të thotë që ti mund t’i japësh sa e si të duash gojës. Jo të gjitha të vërtetat duhen shqiptuar aty për aty, çdo ditë, pa qenë nevoja për një pretekst. Poeti Mickiewicz ka shkruar:

Këto janë të vërteta që një i urtë ua kallëzon njerëzve,

Ka të vërteta që i thuhen me pëshpërimë kombit,

Ka të vërteta që u besohen vetëm miqve

Ka të vërteta që nuk i zbulohen gjithkujt.

Cilat na qenkan këto të vërteta që s’mund t’i zbulohen gjithkujt? E pra, është fjala për ato vërteta që gjenden në fshehtësirat më të thella të ndërgjegjes, të vërteta që shqiptohen vetëm gjatë rrëfimit, para Zotit dhe priftit, dhe që nuk kanë të bëjnë me lexuesin. Këto të vërteta fshikin intimitetin e qenies njerëzore, shpalosja e të cilave kish për të qenë një plagë që i shkakton të afërmit.

Por në të njëjtën kohë, të shfaqësh vetëm një grimcë të së vërtetës rreth të afërmit tënd mund të jetë një rrenë e poshtërsi rreth jetës së tij; fjala vjen është si të shkruash një jetëshkrim të Shën Palit dhe të bësh fjalë vetëm për atë pjesë të jetës së tij kur ai ishte shërbëtor i Qesarit dhe përndjekës i të krishterëve. Zotësia të dëshmosh të vërtetën për të afërmin tënd, sidomos kur ai është kundërshtari ynë, vjen e bëhet sprova bazë për profesionalizmin dhe humanizmin tonë.

Një person që ndruhet të ndeshet me të vërtetën dhe lirinë, shtie në punë rrenën. Beja e rreme është ngaherë një simptomë e ligështisë dhe mungesës së besimit në logjikën e vet. Ashtu siç nga e vërteta vjen liria, nga rrena vjen dhuna. Beja e rreme mbart logjikë vrasëse: ajo të zhvendos nga debati demokratik në një luftë civile të ftohtë; ajo e shndërron partnerin në kundërshtar, ndërsa kundërshtarin në armik për vdekje. Gjuha e dëshmisë së rreme është një nga mënyrat e dehumanizimit të kundërshtarit. Në qoftë se je kundër abortit ty nuk të dallon asgjë nga kriminelët dhe vrasësit e tjerë duke nisur nga Auschwitzi deri te gulagët. Në qoftë se je për ndarjen e kishës nga shteti sakaq shndërrohesh në armik të Zotit, mirësisë dhe të vërtetës së mishëruar në Dhjatë. Në qoftë se ti s’pranon të diskriminosh ata njerëz që kanë biografi të ndryshme, atëherë bëhesh tradhëtar i kombit tënd.

Dëshmia e rreme mund t’i bëjë keq, madje edhe ta vrasë ndokënd, por ai që e shqipton atë, më e pakta, është i damkosur. Dëshmia e rreme është mëkat kundër sojit tënd dhe blasfemi kundër Zotit. Por në profesionin tonë është një mëkat kapital.

Urdhëresa 10: «Mos e lakmo shtëpinë e të afërmit, mos e lakmo gruan e të afërmit».

Mos lakmo kurrgjë, përfshi këtu edhe respektin e popullaritetin. Në qoftë se ambicia jote është të bëhesh popullor e i respektuar, orvatu ta mbërrish me punën tënde, talentin dhe kurajën tënde, dhe jo duke i bërë gropën tjetrit. Ambicia është diçka e mrekullueshme, një zbukurim i karakterit, kurse zilia është vetëshkatërruese. Zilia të marros dhe zvetënon; ajo vret fisnikërinë dhe aftësinë për të përjetuar ndjenja të larta.

Zilia për pronën e tjetrit të bën burracak, t’i lëpish çizmet të fuqishmit dhe t’i shtypësh kryet të dobëtit, t’i shkosh pas qejfit turmës dhe të bëhesh kryqtar i fushatave kundër të vetmuarve. Zilia nëpërkëmb kodin e sjelljes së hijshme profesionale, dhunon besnikërinë kundrejt të tjerëve.

Urdhëresa 11: «Mos përziej».

Urdhëresën e 11-të, shtojcë, ma zuri veshi nga ca njerëz që ua ka ënda të kthejnë nga një gotë (ndonëse në doza të moderuara). Ata thanë: mos i përziej pijet. Mos e përziej verën me vodkën, konjakun me birrën, rakinë e kumbullës me shampanjën. Nga një nakatosje e këtillë mund të përfundosh i dehur si mos më keq. Unë, për vete, jam përpjekur mos t’i ngatërrojë gjinitë. Gazetaria nuk është as politikë, as shërbesë fetare; nuk është as tregti lulesh, as dhënie leksionesh në ndonjë universitet; nuk është përpilim i një numëratori telefonik, apo ndonjë ndeshje futbolli, edhe pse ka diçka nga pak prej të gjitha këtyre gjërave. Çdo fushë e jetës ka veçoritë e veta, rregullat e veta, kodin e vet etik. Një politikan nuk duhet të mëtojë të bëjë priftin, ashtu siç një gazetar nuk duhet të mëtojë të bëjë politikanin. Një biznesmen është në kërkim të një fitimi të volitshëm, ndërsa gazetari duhet t’i qepet këmba-këmbës së vërtetës dhe lirisë.

Korrupsioni mund të molepsë të gjitha fushat e jetës publike. Tashmë ne i njohim politikanët që janë pasuruar kur nuk ka se si të jenë pasuruar, ne i njohim priftërinjtë që nxisin urrejtjen, ne i njohim biznesmenët që vjedhin dhe japin mitë. Po kështu ne i njohim ata gazetarë të korruptuar që në vend të informacionit përdorin propagandën, pseudo-reklama në vend të përshkrimeve të besueshme, fushata të ndotura nga zhurma në vend të diskutimeve të mprehta.

Vallë, a mund të quhem naiv duke i nxjerrë këto fjalë nga zemra dhe duke ia drejtuar vetvetes e kolegëve të mij të vëllazërisë së gazetarëve? Ndoshta edhe jam. Por, dijeni, kur ta humbas këtë naivitet, atëherë do të ndryshoj profesionin. Ndonëse e kam të vështirë t’u them se ç’profesion do të zgjedh paskëtaj.