Urtësi

“S’duhet patur frikë nga dimri...” - Vangjush Saro

Këtë e kam lexuar diku te S. Becket. “S’duhet patur frikë nga dimri, edhe ai ka bukuritë e veta...” Kështu thotë, fjalë për fjalë; dhe sigurisht që ka të drejtë. Kam lexuar edhe të tjerë autorë që e çmojnë dimrin. Duket sikur një fuqi e pakuptueshme i bën ata të meditojnë me ngrohtësinë që i mungon episodit, stinës.

Mbase diçka nuk shkon në këtë mes… dhe prandaj lëvrohet kaq shumë ‘poezi’, për të treguar pajtimin me dimrin; prandaj u sajuan disa festa në këtë stinë, për ta marrë me të mirë, atë dhe veten. Si mund të them ndryshe kur fjalës iu dha një kuptim i dytë... që, ndonjëherë, s’ka të bëjë aq me të ftohtin, me mbylljen në shtëpi, sesa me të tjera motive: Moshimi; dhe është kaq e thjeshtë. Droja se e ftohta apo pasiguria mbërthejnë shoqërinë, institucionet; dhe është kaq e frikshme! Sjellja e disave sikur jetojnë brenda ndonjë frigoriferi; dhe është kaq e trishtë. (Për ata.)

Vërtet; peizazhi dimëror nuk është ‘i tillë’ dhe asgjë përpara ‘versionit tjetër’, ku dukshëm ngrijnë e dridhen qeniet, marrëdhëniet mes tyre, rregullat dhe parimet, e shkuara dhe (larg e tutje!) e ardhmja; bëhen të gjitha njëlloj akulli, ku e vërteta e pagojë përplaset gjithë trishtim. Por ani; ai njeri i mençur thotë që “s’duhet patur frikë nga dimri.” Tekefundit, vjen shpejt stina tjetër. Mjerë kujt i ka mbetur ora atje e gjendet gjithnjë një hap prapa; ose një stinë prapa...

©Vangjush Saro