Urtësi

Mbi filozofinë e ecjes - Nga Enver Robelli

Kush ec, në bjeshkë apo në mal, ai nuk gabon. Sepse çdo ecje është zbulim i një bote të re. Pritjet mund të mos i kesh të mëdha, por aq më e madhe është lumturia pas çdo zbulimi.

Ecja të mundëson të testosh kufijtë fizikë dhe të prekësh anët e lirisë së papërjetuar. Stili minimalist i jetës në mal e kodra e shumëzon lumturinë. Dy gota çaj dhe jeta reduktohet në kuptimin e saj të mirëfilltë, thelbësor.

Nisesh drejt një caku, kur arrin te caku, mendon: sa bukur këtu, por atje, pak më lart, duhet të jetë edhe më bukur. Këtu pamja është mahnitëse, por atje më tutje duhet të jetë madhështore: muzgu më i hijshëm, horizonti më i gjerë, një lloj noti në retë e euforisë.

Gjatë ecjes ti je zot i fatit tënd. Vetë vendos për ritmin, vetë vendos kur do të ndalesh, kur do të çlodhesh, kur do të shijosh bukuritë e natyrës.

Vetëm motin nuk mund ta kontrollosh. Por një ditë më herët mund të shikosh parashikimin e motit. Dhe të mos gabosh.

Gjatë ecjes ndjenja e kohës ndryshon, përqendrimi rritet. Nuk shikon me frikë të kaluarën, as me pritje të tepërta të ardhmen. Jeton tani dhe këtu. Krejt këtë e bën për vete dhe jo për dikë tjetër.

Motivimi i vetvetes është thelbi i lumturisë. Njeriu nuk lëviz vetëm me këmbë, por edhe me mendje dhe me mendime.

Mendimet e krijuara në lëvizje e sipër janë më të gjalla se mendimet e menduara në kornizën e përditshmërisë.

Kështu disi është puna e ecjes...

©Enver Robelli