Admiroj njerëzit e lirë - Nga Dom Gjergj Meta
Në jetën time kam admiruar dhe admiroj gjithmonë njerëzit që nuk kanë hequr dorë nga ëndërrat e tyre, me frikën se po i prishin gjumin atyre që mund t'ua ndalnin ëndërrat.
Kam admiruar dhe admiroj njerëzit që kanë heshtur për t'i dhënë fuqi fjalës, por jo sepse kanë pasur frikë të fuqishmit.
Kam admiruar dhe admiroj njerëzit që nuk kanë hequr dorë nga më të dobëtit e të përjashtuarit, pavarësisht rrezikut se mund të përjashtoheshin edhe ata vetë.
Kam admiruar dhe admiroj njerëzit që nuk janë fshehur pas citimeve të të tjerëve për të qenë të sigurtë kur të kritikoheshin duke thënë "nuk e kam thënë unë", por që kanë pasur guximin e mendimit të tyre.
Kam admiruar dhe admiroj ata njerëz që kanë kërkuar falje kur e kanë kuptuar se e kanë pasur gabim, duke treguar se edhe ata janë njerëz, por që nuk kanë tërhequr kurrë fjalën e tyre për shkak të servilizmit.
Kam admiruar dhe admiroj ata njerëz që kanë zgjedhur vetë edhe kur ajo zgjedhje i ka kushtuar karrierën, madje edhe vetë jetën.
Kam admiruar dhe admiroj njerëzit e lirë.
Ka edhe shumë njerëz me cilësi të tjera që kam admiruar e admiroj, por këto më erdhën gati si instiktivisht nëpër mend.
Meshkuj apo femra na bën Zoti, natyra, a çka të doni ju, por njerëz na bën vetvetja e ajo çka zgjedhim.
©Dom Gjergj Meta










