Urtësi

Vangjush Ziko: Gardhet e dukshme dhe të padukshme të botës moderne

 VANGJUSH ZIKO

Kujtoj apo shikoj gardhet e ndryshme dhe, pa dashur, më vjen ndër mend shprehja e famshme e Rusoit: fajtor është ai i cili i pari ngriti gardhin dhe i vuri kufi pronës.

Në vendin tim gardhe ka patur gjithandej, në malësi dhe në fushë, ndanin arat, livadhet e bashtinat. Gardhe të thurura me hunj dhe me purteka, hunjtë e të cilave, jo rrallë, shndërroheshin në kopaçe që merrnin edhe jetën e komshiut apo të vëllait. Për një gardh bëheshin armiq fiset me njëri-tjetrin.

Por, në vendin tim ndodhi edhe ajo që gardhet i shkulën, i dogjën, i sheshuan me traktor. Por na dolën fajtorë edhe ata që i prishën gardhet. Për ironi të iluministit francez. Pra, historia e gardheve të vendit tim tingëllon edhe tragjike edhe komike.

Dhe ja, këtu në Kanada, në këtë vend të zhvilluar dhe të përparuar, më dolën përsëri gardhet përpara.

Shtëpitë e qytetit, ku banoj, kanë të rrethuar me gardh, përgjithësisht, kopshtin prapa apo dhe atë pjesë lëndine përpara shtëpisë nga ana e rrugës. Nuk janë gardhe të thurura me purteka, por gardhe me dërrasa plloçake të njëllojta, të vendosura me rregull dhe me simetri, të lyera vetëm me vaj liri ose me bojë vaji të bardhë.

Nëpër të çarat midis dërrasave, që këmbehen njëra me tjetrën, mund të shikosh edhe lëvizjet e siluetës së komshiut. Degët e bimës kacavjerrëse të komshiut mund të varen pas gardhit të përbashkët si baluke apo si gërsheta të gjelbër nga ana jote. Kurse degët e pishës sate zgjaten lirisht e bëjnë hije mbi lëndinën e tjetrit. Ti mund të ulesh familiarisht në mbrëmjet e verës në verandë rreth tavolinës dhe të pish një lëng apo të surbitësh një kafe. Komshiu mund të ndezë barbecue-në dhe era e bërxollave, që piqen në skarën e saj, mund të të ngacmojë oreksin tënd.

Ketrat e zhdërvjelltë bredhin lirisht nga njëri gardh në tjetrin. Ulen zogjtë dhe cicërojnë për ty dhe për komshiun. Dhe të duket sikur gardhet nuk ekzistojnë, sikur janë pjellë e fantazisë sate konservatore, që ka diçka edhe nga Rusoi edhe nga Lenini, nga iluminizmi dhe komunizmi. Të duket sikur këto gardhe janë kot, siç janë edhe paravanet ndarëse të dhomave.

Gardhet edhe mund të mos ishin. Por edhe më mirë që janë. Nuk dua të bezdis tjetrin dhe të më bezdisë ai mua. Pavarësia e njeriut është ligj. Jeta ime është jeta ime. Jeta e tjetrit është e tija. Që të mos ketë asnjë keqkuptim, gjelbëron gardhi. Por gardhi është përsëri gardh. Dhe, kur gardhon një gjë, domethënë, atë ti e veçon. Veçimi do të thotë edhe vetmi. Edhe mospërfillje.

Këtë vetmi nuk besoj se e kanë sjellë gardhet. Se atëhere duhet t'i dënonim siç i dënoi Rusoi. Por, as heqja e tyre, nuk do ta prishte këtë vetmi, siç mësonte Lenini. Nuk kishte as rrezik që të sillte katrahurën e kolektivizimit, të bashkësisë së pabarabartë ose të rrëmujshme, të frikshme, dyshuese, që e provuam ne qytetarët e socializmit!

Edhe, po të mos ishin këto gardhe, në një qytet të tillë kaq të madh, ka një gardh të padukshëm, i cili është indiferentizmi. Komshiun e ke pranë dhe nuk e njeh. As ai s'të njeh ty. Ti ke ardhur nga Europa. Ai ka ardhur nga Azia. Tjetri është nga Amerika Latine. Komshiu përbri nga vendet arabe. Temperamente, zakone, kultura të ndryshme. Që të bashkëjetojnë, duhet të respektojnë vetveten dhe njëri-tjetrin. Liria ime është deri atje ku nuk shkelet liria e tjetrit.

Pra, u dashkan edhe gardhet. Gardhet e drunjta dhe gardhet e pashkruara në ndërgjegjen e vetë njerëzve. Gardhet-ligje morale dhe sociale. Këto gardhe janë simboli i kësaj lirie, pavarësie, barazie dhe vetmie që e kemi pranuar qetësisht që të gjithë ne banorët e kësaj bote të sotme moderne.