Urtësi

Heshtja dhe fjala - Nga Çapajev Gjokutaj

Fraza “heshtje që flet”, na thoshte mësuesi, bashkon dy gjëra që e përjashtojnë njera tjetrën: o do heshtësh o do flasësh, të dyja bashkë e në të njejtën kohë s’i bën dot. Por ja që ndodh t’i bësh dhe në këto raste kemi një figurë retorike që quhet oksimoron. Me gjuhën mund të bësh çudira, përfundonte mësuesi, dhe sytë i qeshnin pas syzeve.

Përvoja gradualisht të mëson ta lexosh heshtjen e tjetrit dhe të dallosh pas saj herë mospërfillje e herë dëshirë për intimitet, herë maturi e thellësi dhe herë varfëri mendore, herë vetbesim dhe herë ndruajtje e frikë.

Heshtja, si mjet për t’i përcjellë tjetrit këto e të tjera mesazhe, në çdo kohë ka qenë e çmuar, por sot në epokën e rrjeteve sociale, kur më shumë flasim e shkruajmë sesa dëgjojmë a lexojmë, heshtja është bërë e rrallë dhe shumë e çmuar, flori e shkuar floririt.

E megjithatë heshtja nuk e zëvëndëson dot fjalën.  Përpiqu të mësosh t’i përdorësh të dyja se qasja “edhe ... edhe...” e begaton jetën, ashtu siç qasja “ose ... ose...” e zbeh dhe e bën meit.

©Çapajev Gjokutaj