Urtësi

Kryeministrit që iu pre koka!

(sipas një varianti kinez)

Tregojnë se një mbret i ri qeveriste me rreptësinë më të madhe. Drejtësinë e komandonte me dorë të fortë, për shkeljet e ligjit vendoste vetë dhe kujdesej personalisht për ekzekutimin e shpejtë dhe të pamëshirshëm të vendimeve.
Megjithatë, gjendja nuk po ndryshonte për mirë. E ndjente që autoriteti i tij po bjerrej dita-ditës.
Një ditë thirri Kryeministrin dhe i tha:
- Kam ekzekutuar gjithë ata njerëz dhe, megjithatë, njeri s'ma ka frikën. Si t'ia vesh emrin kësaj?
- Është shumë e thjeshtë, - iu përgjigj Kryeministri. Ti duhet të mësosh sekretin për të vendosur autoritetin. Të gjithë ata që ke ekzekutuar kanë qenë kriminelë, pra fajtorë. Për pasojë, të tjerët nuk kanë arsye përse të tuten. Nëse do që vërtet të ta kenë frikën, duhet të fillosh të ekzekutosh edhe ca të pafajshëm.
Mbreti tundi kokën, e kuptoi shumë mirë mesazhin.
Dy ditë më vonë, ia preu kokën Kryeministrit.

(Jean-Claude CARRIÈRE, LE CERCLE DES MENTEURS, Contes philosophiques du monde entier - 1, Plon 1998)

Shqipëroi: Henrik Ligori