Nëse ke një pyetje - Nga Lazër Stani
Pyete veten sërish, edhe atëherë kur të duket se gjithçka e ke të qartë e nuk ka më vend për pyetje. Nëse në mëngjes zgjohesh me një pyetje në mendje, je duke bluar në tru njëkohësisht dhjetëra përgjigje të mundshme. Mendja jote, pra, është vënë në punë. Po nëse je zgjuar me një përgjigje, je zgjuar në portën e zbrazëtisë.
Nëse ke një pyetje, të paktën ke një mundësi; kërkimin e përgjigjes. Është e vërtetë se shumica e pyetjeve nuk marrin përgjigje kurrë, por një mendje e paaftë të shtrojë pyetje është një mendje e paralizuar. Mua më tremb një shoqëri që jeton në botën e përgjigjeve, por që nuk vret mendjen, nuk bën kurrë pyetje. Siç më trembin edhe njerëzit që i kanë përgjigjet në majë të gjuhës.
E vërteta është një atribut hyjnor dhe nuk mund ta arrijmë atë kurrë plotësisht, por ne na është dhënë mundësia e kërkimit të saj. Dhe çdo kërkim fillon me një pyetje. Historia e vërtetë e progresit njerëzor ka filluar me shtrimin e një pyetjeje, jo me një përgjigje.
© Lazër Stani









