Andej-Këtej

Shekulli 21: Shkenca, shpëtimi shqiptar - Nga Burim Bardhari

Koha e kthimit nga kulti në koshiencë kombëtare - Mirësia ose “mjeshtëria” meslindore - Feja filozofi e fanatizmit

Derisa Krishti këshilloi paqe e dashuri, mjerisht secila palë e parti politike ose fetare i gjen gabimet kundërshtare, ndërsa veten e shenjtëron me arsyetime apologjetike, por tërthoras edhe e shëmton nëse nuk e flet të vërtetën e çiltër si bekim hyjnor e njerëzor.

Njeriu i ngritur mund t'i besojë Perëndisë si Mençuri ose Arsye 'Hyjnore' (nga mosnjohja e drejtpërdrejtë cilësohet si 'hyjnore') që nuk shkruan libra të shenjtëruar në gjuhët hebraike dhe arabe ose helene dhe latine - por shkroi shkencën e saktë në natyrë dhe në mendje të njeriut të zgjuar - ngase gjithësia është e kurdisur urtësisht dhe jo 'tekanjozisht' nga vetëvetësia e natyrës sipas ateisteve ose rastësia; mirëpo njeriu i arsimuar nuk mund t'u bindet bestytnive fetare dhe hamendjeve të huaja mendjeverbërisht me mësime të mugëta mitike meslindore dhe fqinjore, si as vetë shkencëtari i famshëm perëndimor Ajnshtajni, madje vetë me prejardhje hebraike.

Pa dyshim se Feja nëfillimthi pishtaroi mirësinë, mirësjelljen dhe ndriçoi nevojën për rendin shoqëror ose ligjin, siç janë edhe vetë mësimet për paqe e dashuri të Jezuit, Jeshua ose Isa i pamëkat, edhe sipas Kur'an-it; mirëpo mjerisht feja edhe shpërdoret si vegël e luftëlojës për pushtet nga paria dhe perandoritë dhe ua vari popujve të paditur zgjedhën e anëtarësimit pagestar përjetësisht duke i shkrirë e shkombëtarizuar për t'i shpronësuar ose shfrytëzuar vegjëlitë, ndonëse besimi në Hyj ose Zot është vullnetar e vetjak, pingul dhe falas, pa detyrime e kushtëzime që të përfitojë pala e tretë e largët si papati (latin), patrikana (helene) ose kalifati (arabo-turk).

A thua Zoti vërtetë është nga Meslindja, apo janë zota fistarë të përfytyruar dhe vegimuar nga kushërinjtë atnorë meslindorë, stërnipërit e Abrahamit trifetar ose Ibrahimit, si Jahveh Jehovai i jahudinjve dhe Allahu i arabëve myslimanë të cilit u përvetësuan përshtatshmërisht prej tyre dhe vetëshërbimthi shpallën veten të zgjedhur, por popujt e tjerë nuk janë të zgjedhur dhe poashtu janë të Zotit Një për të gjithë, madje disa janë poaq të lashtë ose ndoshta më të lashtë, si shqiptarët sepse stërgjyshërit tanë nuk sajuan ndonjë fe fanatike me të cilën keqardhtas vriten sot e kësaj dite vetë përpiluesit kushërinj atnorë, por të parët tanë shpikën Shqipen e shenjtë për nga lashtësia që shërben edhe si shqyt kundër shkrirjes ose shkombëtarizimit nga dhuratat kalatrojane dhe virusi i vëllazërimizmit me 'abillarë e bratsvo' të dogmave dinake meslindore dhe ideologjive intrigane fqinjore.

Nëse ‘profet’ nënkupton prijës i popullit dhe i dërguari shpëtimtar i Zotit fistar atëherë çfarë dallim ka mes kryetrimit tonë kombëtar Skenderbeut dhe Mojsiut përrallor mitik hebraik që ndoshta nuk ka qenësuar dikur sepse ende nuk ka dëshmi arkeologjike për periudhën e tij, ndonëse Egjipit i lashtë shquhej me hieroglifet ose shkrimshenjtë dhe mbajtje shënimesh, mirëpo ka rëndësi thurrja e rrëfimit mitik për themelimin fisfetar të popullit pavarësitar, shpresim shpëtimi i vegjëlisë kundër shtypjes prej madhërisë.

Kur ne kishim mbretëreshën Teuta në v. 231 p.e.s. nuk kishte as Jezu dhe as Muhamet meslindor, as edhe faraoneshë Kleopatra e Egjiptit të lavdishëm, të cilin qytetërim botëror për nga mësimet e lashta nuk e pushtoi Mojsiu mitik por Mehmedaliu ynë duke ngritur dinastinë e tij për rreth 150 vite dhe kulturifikoi vendin me përparim të popullit.

Zgjim e zgjuarsi, Zot e shqiptari.

© Burim Bardhari