Andej-Këtej

Luksi i të folurit në gjuhën tënde - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

M’u skuqën faqet në aeroportin e Rinasit. E lodhur pas shumë orësh fluturim, pa e kuptuar, përshëndeta në anglisht punonjësen e kontrollit/skanimit të pasaportave. U ndjeva keq dhe, me ndjesi faji të tepruar, nisa të kërkoja falje njëqind herë, duke u justifikuar se e kisha prej ndryshimeve që po vëreja në aeroport. Por ajo, me një buzëqeshje të ngrohtë, m’u përgjigj thjesht: “Mirësevini në Atdhe!”

Një frazë e thjeshtë, e thënë në gjuhën time, ishte ai çast i shkurtër që më rikujtoi se të dëgjosh, të flasësh, të ndërveprosh, të punosh në gjuhën tënde është një luks. Një luks që jo të gjithë shqiptarët e kanë.

Si shqiptare që jeton në diasporë, gjuhën amtare nuk e kam më gjuhë të parë në jetën e përditshme dhe me këtë nënkuptoj punën, ndërveprimet jashtë familjes. Prandaj përpiqem me vetëdije të ruaj dhe pasuroj gjuhën shqipe duke lexuar dhe shkruar në shqip. Shmang sa mundem përdorimin e fjalëve të huaja dhe kur ndonjëherë i përdor në shkrime, e bëj me qëllim stilistik për t’i qëndruar besnike tonit emocional ose stilit tregimtar që kam zgjedhur.

Megjithatë, vërej me keqardhje se në diskutimet publike shqiptare, në media, në intervista, në fjalimet e politikanëve apo në rrjete sociale, përdorimi i fjalëve të huaja është bërë normë. Jo vetëm kaq, por shpesh këto terma përdoren për të krijuar një ndjesi profesionalizmi, moderniteti, a thua se shqipja është shumë “e varfër” për të shprehur mendime të thella apo koncepte bashkëkohore.

Dhe pikërisht këta persona publikë, pishtarë të dijes dhe kulturës shqipe, patriotë të thekur që shpesh i mbushin ligjërimet e tyre me “performance”, “network”, feedback, apo “event”, janë po ata që nuk kursehen për të ironizuar shqiptarin e diasporës.

Ata tallen me theksin e tij, me fjalët që i ngatërron dhe nuk kujton, me ndonjë përzierje të pavetëdijshme që ndodh në mes të një fjalie. Ndërhyjnë edhe në prindërimin e tij duke thënë se po i edukon fëmijët në gjuhë të huaj, dhe tallen kur dëgjojnë një komunikim në anglisht/italisht/frëngjisht mes prindit dhe fëmijës buzë Jonit a Adriatikut. “I duket vetja amerikan, italian, kanadez, francez-thonë. Katundari që s’mban mend medemek si i thonë opingave në shqip!”

Ky është një standard i dyfishtë. Dhe për fat të keq, pas këtij standardi qëndron një qasje përjashtuese, një mënyrë për të ndarë shqiptarët brenda vendit nga ata që jetojnë jashtë. Është një mënyrë për të përçmuar dhe paragjykuar pa e pranuar haptazi.

E vërteta është se përdorimi i fjalëve të huaja është pjesë normale e çdo gjuhe në kontakt me globalizimin. Por në vend që diaspora të shihet si pasuri gjuhësore dhe kulturore, si ura që sjell elemente të rinj në komunikim shpesh bëhet shënjestër e ironisë dhe paragjykimit.

Ironia më e madhe është se, në përvojën time të fundit në Shqipëri, ata që përdornin më shumë gjuhë të huaj në përditshmëri nuk ishin fare shqiptarët e diasporës. Përkundrazi. Huazimet, anglicizmat, fjalët e përziera i dëgjoja përditë në dyqane, në kafene, në televizion dhe në gojën e vendasve që krenoheshin me “Albanian lifestyle”.

© Jeta Dedja/Flasshqip.ca