Andej-Këtej

Fatos Lubonja si identifikues i brezit tim - Nga Dashnor Kokonozi

Nga: Dashnor Kokonozi

Në një publikim të tijin, Ermal Mulosmani na kujton se pas pak ditësh, në qytetin Wroclaw të Polonisë do të jepet çmimi “Angelus”, një çmim i rëndësishëm evropian. Në listën finale është edhe shkrimtari, publicisti e intelektuali Fatos Lubonja, me librin e tij “Ridënimi”. 

Është një vëllim që autori e ka mbajtur në tonalitetet midis letërsisë, letërsisë dokumentare e publicistikës. Natyrisht, mund t’i jepte edhe një formë mirëfilli letrare. Lubonja është shkrimtar dhe nuk duhet harruar se ai u dënua si i tillë.

Por si çdo vepër letrare, ajo do të “dyshohej” edhe për pak fiksion. Dua të besoj se Lubonja pikërisht këtë ka dashur të shmangë.  Ngjarjet që sjell kanë detaje të tilla jetësore, që çdo përpjekje për një trajtim “fiksional” do të vinte në dyshim brutalitetin e regjimit. 

Lubonja nuk ka nevojë të thërrasë në ndihme tropet letrare. Madje as të evoluojë në mendimin e tij për të analizuar më kthjellët atë që ka ndodhur.

Ai ka qenë gjithherët i tillë. Nuk kam njohur njeri më koherent në bindjet e tij, që nga rinia ime më e hershme.  Kur shumë të tjerë, dhe flas për një periudhe para viteve ’70, as që guxonin të mendonin ndryshe, madje as nuk dinin të mendonin ndryshe, ne dëgjonim që Lubonja e cilësonte E. Hoxhën si diktator e kriminel.

Duke qenë se evoluonim në rrethe shoqërore pak a shumë të afërt, ne shihnim te Lubonja një qartësi të jashtëzakonshme antikomuniste, ndërkohë që të tjerë, në lidhjet tona miqësore po ashtu, ndiheshin të afërt me një Fatos tjetër, me Fatos Nanon. Ishte ai që na jepte çelësat e shtëpisë së tij për të organizuar mbrëmje të çmenduara, ishte ai të cilit i njihnim inteligjencën dhe pak liberalizëm, por nuk ka prova që rezultatet e shkëlqyera në mësime ta kenë ndihmuar të formulojë pyetje shqetësuese për regjimin. Dhe thonim midis nesh, ka Fatos Nano, por ka edhe Fatos Lubonja (i gjeta këto të shkruara në një libër të qëmotshëm timin).

Kur Lubonja do të arrestohet, Fatos Nano do të dërgohet në një vend të Afrikës (Volta e Sipërme e kapitenit Tomas Sankara), për të parë mundësitë e zhvillimeve revolucionare të ideve të E. Hoxhës në Kontinentin e zi.

Në vitet që erdhën, me miq të mi të afërt të asaj asaj kohë, si Z. Këlliçi, E. Mullaj apo M. Basha, diskutonim shumë për Lubonjën, fatkeqësisht pa mundur të këmbenim me të. U arrestua mjaft herët, duke lënë një boshllëk në mjediset shoqërore që shpresonin në një të ardhme tjetër.

Në fakt, u pre një kokë.

Pastaj ai erdhi përsëri për të gjetur një botë që kam përshtypjen se e la të dëshpëruar. Ishin vitet pas ’90 dhe shumë nga ata që dominonin skenën politike nuk e kishin kthjelltësinë e Fatos Lubonjës së 25-30 viteve më parë.

Jam i vetëdijshëm se konteksti politik i sotëm, mund të mos i lejojë jurisë polake të kuptohet mirë konteksti shqiptar i kohës, por ky libër i Lubonjës mbetet nga prodhimet më të mira intelektuale te mjediseve shqiptare për të kuptuar egërsinë dhe primitivitetin e diktaturës nëpër të cilët kaluam, e që me gjasa ka lënë mendësi të pakorrektueshme.

© Dashnor Kokonozi - Francë