Andej-Këtej

‘Dhelprat’ ruse në dosjen e Kaloçit

Nga: Gavrosh Levonja

Diku nga mesi i viteve 70-të mes shumë të tjerëve, u arrestuan dhe nje numër grash të huaja me kombësi nga vendet e ish-kampit socialist, të martuara me shtetas shqiptarë para vitit 1961, në periudhën e “muajit të mjaltit”, kur vendet në fjalë konsideroheshin republika “motra” apo shtete “vëllezër” ku natyrisht, Bashkimi Sovjetik cilësohej si “vëllai i madh”.

Kryqëzatën kundër grave nga vendet lindore, kryesisht sovjetike ma nxorri nga kujtesa publikimi në mediat e Shqipërisë i dosjes që lidhej me survejimin, hetimin dhe arrestimin e tyre. Por, dosja në fjalë që në fillim ka një pasaktësi e cila ka të bëjë me periudhën kur bëhet fjalë për fillimin e të ashtuquajturës “veprimtari agjenturore” të grave sovjetike në Shqipëri. Konkretisht, sipas dosjes së publikuar në disa media të Shqipërisë, pretendohet se kjo “veprimtari” ka filluar në periudhën 1951-1955, kur gjithnjë sipas dosjes në fjalë “gratë e huaja të martuara në Shqipëri kanë përjetuar fat tragjik që nga fillimi i viteve 50-të deri në rënien e komunizmit”, apo që “grupi i grave ruse ka vepruar aktivisht që nga viti 1955 deri në vitin 1975 kur u arrestuan…”

Mirëpo, duke i u rikthyer viteve 50-të e deri në vitin 1961 kur sovjetikët qenë të shtrënguar të divorcoheshin me Tiranën, gjithçka në Shqipëri ishte nën kontrollin sovjetik. Mjafton të përmendet fakti që çdo muaj Enver Hoxha i raportonte ambasadorit sovjetik në Tiranë, për realizimin e planeve, për mbjelljet e korrjet etj, dhe kur çdo ministri kishte një këshilltar sovjetik, i cili ishte ministri real. Madje, vetë Ministria e Brendshme, pjesë e së cilës ishte sigurimi i shtetit, që merrej me zbulimin e veprimtarive agjenturore, kishte jo një po dy këshilltarë. Në atë kohë sigurimi i shtetit ishte një seksion i KGB-së sovjetike në një kohë kur kuadrot e tij shkolloheshin e përgatiteshin në Bashkimin Sovjetik, ndërsa në Tiranë aktivitetet sidomos ato të lidhura me zbulimin e kundërzbulimin zhvilloheshin nën mbikqyrjen e instruktorëve sovjetikë. Vetë E. Hoxha në atë kohë urdhëronte Kadri Hazbiun që “t’u a hapte rubinetin sovjetikëve”, përsa i përket dhënies së informacioneve ndonëse kur po i përgatiste këtij gijotinën do të justifikohej duke thënë se “ku e dinja unë se ç’nxirrte ai rubinet…”

Pra, sovjetikët nuk kishin nevojë për gratë sovjetike që t’i shfrytëzonin për “veprimtari agjenturore” kundër Shqipërisë. Një pasaktësi tjetër apo deformim i realitetit ka të bëjë me Roza Koçin, për të cilën në dosje pretendohet se është dëbuar nga Shqipëria “për veprimtarinë armiqsore që zhvillonte”. Me emrin e Roza Koçit jam ndeshur si autore në tekste të gjuhës ruse dhe në fjalorë të ndryshëm rusisht-shqip apo shqip-rusisht. E vërteta është se ajo si një pjesë e grave sovjetike të martuara me shqiptarë, pas prishjes së marrëdhënieve preferoi të kthehej në vendin e saj duke u deklaruar kundër qëndrimit të partisë dhe qeverisë shqiptare ndaj Bashkimit Sovjetik në Shqipëri dhe jo se e dëboi shteti shqiptar. Vetëm pas kësaj, siç është zakoni shqiptar, i veshën petkun e “spiunes” e “agjentes”, siç bënë dhe me të tjerat që u larguan duke marrë me vete dhe fëmijët nga martesat me burrat shqiptarë.

Nga ana tjetër, ikjen e tyre propaganda zyrtare e paraqiste dhe si pasojë të presioneve të ndryshme të ushtruara ndaj tyre nga ambasada sovjetike në Tiranë. Këtu kemi të bëjme me një kontradiktë; përderisa sovjetikët paskan qenë të prirur të shfrytëzonin gratë sovjetike për “veprimtari agjenturore” në Shqipëri athere nuk kishte pse të ushtronin presione që ato të iknin nga Shqipëria, kur duke qëndruar këtu, “rrjeti agjenturor” në Shqipëri mund të ishte edhe më i gjerë.

Në vitet e para, gratë sovjetike që preferuan qëndrimin në Shqipëri, jo vetëm nuk patën pasoja duke vazhduar të punonin aty ku ishin, por u përdorën nga propaganda zyrtare e Tiranës, për t’u treguar shqiptarëve se kundër vijës së Bashkimit Sovjetik ishin dhe vetë qytetaret sovjetike, të cilat duke mos lënë Shqipërinë, “paskeshin mbështetur qëndrimin shqiptar”. Për peridhën e persekutimit mund të thuhet se filloi diku nga vitet 1967-1968. Sinjalet e para në këtë drejtim u shfaqën me spostimin e tyre nga postet drejtuese në institucione e ndërmarrje të rëndësishme apo duke i transferuar familjarisht nga Tirana nëpër qytete të tjera. Madje, jo rrallë, në kësi rastesh transferohej bashkëshorti shqiptar, i detyruar të merrte me vete gjithë familjen.

Në fakt, në atë periudhë, vala e spastrimit përfshiu kategori të ndryshme të shoqërisë duke filluar nga “të deklasuarit” e deri tek ata që i shërbenin partisë, ndonëse të parët internoheshin duke u transportuar nëpër karroceri kamionësh me destinacion fshatra të humbur për të punuar në bujqësi, të dytët u vendosën në apartamente ku kishin të gjithjë komoditetet e kohës, duke vazhduar në profesionet e tyre, por tashmë “do të ishin me të lidhur me masat punonjëse e fshatare dhe do të përfitonin nga eksperienca e tyre”. Pas kësaj, me përjashtime të pakta, në familjet e grave sovjetike dhe të vendeve të tjera lindore do të mbretëronte ankthi duke pritur plot frikë se ç’do të ndodhte të nesërmen, gjë që do të shumëfishohej me fillimin e arrestimeve të bashkëkombseve të tyre në mesin e viteve 70-të.

Në atë kohë, jo vetëm ato por edhe bashkëshortët e tyre filluan të jenë të rezervuar deri në absurditet që nga bisedat me kolegë e të njohur, tek pakësimi drastik i vizitave reciproke me miqtë e tyre e deri tek mënyra e të reaguarit për ato që ndodhnin përreth. Arrestimi i grave sovjetike, polake apo hungareze do të ndodhte në një peiudhë nga më të tmerrshmet. Ishin arrestuar e dënuar, disa dhe me vdekje, krerët e ushtrisë e të ekonomisë së vendit, në kohën që vala e arrestimeve do të shtrihej kudo. Çdo mëngjes temë kryesore e bisedave lidhej me emra të arrestuarish, lista e të cilëve pasurohej vazhdimisht.

Duke pasur parasysh situatën e rëndë të asaj periudhe arrestimi i grave sovjetike është projektuar si pasojë e zgjerimit të rrezes goditëse ku duhej të përfshiheshin dhe kategori të planifikuara me kohë, kështu që as nuk mund të behej fjalë për “spiunazh” apo ndonjë lloj tjetër aktiviteti subversiv. Në të kundërt, në rrethana të tilla, kur shteti po godiste dhe njerëzit e kupolës, edhe ndonjë që mund të kishte ndërmend të bënte ndonjë lëvizje, do të strukej, të paktën deri sa “të qetësoheshin ujrat”. Vështirë të besohet se veprimet e “agjenteve sovjetike” do të tërhiqnin vemendjen e sigurimit pikërisht në këtë periudhë kur arrestimet ishin në rendin e ditës.

Në një nga paragrafet e fundit të dosjes së Kaloçit, ndër të tjera thuhet se: “…por këto masa operative që caktoheshin si rrjedhim i punës armiqsore që zhvillonte zbulimi sovjetik, nuk vlerësoheshin dhe nuk ndiqeshin nga agjentët e këtij zbulimi dhe zbulimeve të tjera armike që ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu etj, duke u justifikuar se “nuk kemi rënë në gjurmë…” Por ky paragraf, pa as më të voglin dyshim është një shtesë e bërë pas vitit 1982 kur emrat e mësipërm tashmë ndodheshin në pranga të pritje të përfundimit të farsës së gjykimit hapi i fundit para ekzekutimit, pasi në vitin 1975, kur zhvilloheshin veprimet operative kundër “Dhelprave” askush nuk mund t’i mendonte hipoteza e përfundime të tilla, e jo më t’i hidhte në një dosje e cila në fund të fundit do të përcillej tek emrat e mësipërm.

Kjo tregon se edhe dosjet e sigurimit u nënshtroheshin rektifikimeve në varësi të situatave të reja. Një praktikë e tillë të bën të mendosh se të njejtën gjë kanë pësuar dhe dosjet që lidhen me emra të figurave e personaliteteve të rëndësishëm, protagonistë të ngjarjeve e zhvillimeve të viteve 90-të. Në vija të përgjithshme nga ato që kam lexuar në dosjet e ndryshme të publikuara në media të ndryshme më ka tërhequr vemendjen niveli i ulët i atyre që i përpilonin këto dosje me të cilat shkatërronin jetë njerëzish. Në këtë aspekt mund të them se relacionet me përmbajtje të ngjashme që përgatiste Dhimitër Tutulani në vitet 1969-70, qëndronin shumë herë më lart të paktën, duke i u përmbajtur një vije logjike.

Tagged under Gavrosh Levonja