Andej-Këtej

Lufta tregtare midis Amerikës dhe Kinës sapo ka filluar

Nga: Klodi Stralla

Historianët e luftrave janë pothuajse në një mendje që në origjinën më të thellë të luftrave kanë qenë ngahera raportet ekonomike midis palëve ndërluftuese. Për të mos shkuar shumë larg në histori, e tillë qe Lufta Civile amerikane, midis veriut industrial dhe jugut skllavopronar, e nxitur nga Anglia që shihte tek shteti i ri amerikan një rival ekonomik të ardhshëm. Të tilla ishin edhe të dy luftrat botërore të shekullit që shkoi, ku anglo-saksonët evidentuan si fuqi të ardhshme ekonomike konkuruese Gjermaninë në Europë dhe Japoninë në Azi. Thuhet se edhe Lufta e Trojës, 3000 vite më parë, kish në origjinë të vet një konflikt ekonomik për dominimin e tregtisë në detin Egje dhe jo Elenën e bukur. Sot askush nuk dyshon se konflikti midis Trump dhe elitës politike tradicionale amerikane nuk është thjesht një rivalitetet për pushtet, që ndodh edhe në qeverisjet demokratike.

Për mua, ky konflikt përfaqëson “dyluftimin” e botës të prodhimit (ekonomia reale) me botën e financës (ekonomia virtuale), bankave dhe fabrikave, dyluftim që së fundi po shprehet hapur në luftën tregëtare që posa ka filluar midis Amerikës dhe Kinës.

Këndvështrimi i nacionalistëve i përfaqësuar nga Trump, mendon se zhvendosja e ekonomisë prodhuese amerikane (fabrikave) jashtë vendit, e joshur nga përfitimet që sjell krahu i lirë i punës, e kanë rritur papunësinë në vend dhe po e grryejnë kohezionin social të Amerikës, prandaj rekomandojnë masa proteksioniste që kapitali prodhues të mos dalë jashtë Amerikës.

Përkundrazi, këndvështrimi globalist, i përfaqësuar nga bankat e Wall Street-it dhe filozofia neoliberale, e shohin përfitimin (ndonëse për një grusht miliarderësh) si parësor dhe çdo pengesë apo barrierë në qarkullimin e kapitalit si të dëmshëm edhe për kombin amerikan, që historikisht ka lindur dhe është fuqizuar nga tregtia e lirë. Këto ditë Trump rriti barrierat doganore për mallrat kineze nga 10% në 25%, me një vlerë prej 60 miliard $, një gjest ky ekuivalent me një shpallje lufte.

Të shohim se si do të reagojë Kina ndaj një sfide të tillë dhe se si do të përvijohen aleancat e ardhshme botërore. Kush do ta bëjë për vete Rusinë putiniane, Amerika apo Kina, dhe me çfarë çmimi, pjesë e të cilit mund të jemi edhe ne të Ballkanit Perëndimor?