Andej-Këtej

Angela Durazzo: Këtu ku asgjë nuk më përket

Nga Mimoza Kuchly-autore

Gjenova qyteti i lindjes së Kristofor Kolombit, zbuluesit të Amerikës, apo vendlindjes së violinistit të madh të kohërave, Nikola Paganinit ku u gjenda e ftuar nga mikja ime Marinela Qato, në prezantimin e librit me poezi të Angela Valenti DURAZZO-s, « Qui dove  il nulla mi appartiene »

Personalisht, Angelën, nuk e njihja. Angela gazetare dhe shkrimtare, dukej se ndër të tjera, freskonte pemën gjeanologjike, lidhur me historinë gjurmëlënëse të familjes fisnike nga Durrësi, larguar qysh prej viteve 1300 nga trojet  shqiptare. Kisha lexuar studimet rreth familjes Durazzo nga dy miqtë e mi, shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo, si dhe Luan Rama.

Por le të qëndrojmë tek Angela me vëllimin e saj poetik « Këtu ku asgjë nuk më përket», publikuar nga Shtëpia Botuese Egnatia, me drejtuese Anila Alhasa, që pasioni për librin e mbante të lidhur mes dy gjuhëve e dy brigjeve.

Poezitë u recituan nga disa vajza shqiptare dhe qershia mbi tortë, loja e ëmbël e violonistit të parë në Orkestrën e Kanës (Francë), Altin Tafilaj, me pjesën për violinë « Dashnor t’u bana ». Gjenova tingëllonte bukur shqip.

E vërtetë që të shkruash sot poezi paraqitet e vështirë, por duket se kalvari i përnjimendtë, t’i bësh njerëzit ta lexojnë apo ta studiojnë atë.

Anxhelan e lidh me Shqipërinë « krushqia », kështu si na pëlqen ne t’i përshkruajmë marrëdhëniet me vendin tonë. Nuk ka gjak shqiptari, por që ta duash një vend, kulturën, traditat dhe historinë e tij, mund t’i përkasësh edhe me shpirt.

Përballja me kopertinën e librit, të bën të kuptosh se « testamenti poetik » i takon vendit të të parëve të fëmijëve të saj. Kulla me një frëngji të vetme, ku hije i bënë një lis, i cili nuk ia pengon diellin. Mesazhi u nis ! Gjurmët janë në brendësi!

Kërshëria rritet në dy parathëniet e librit, sidomos e para e Visar Zhitit dhe ai ndër të tjera, bashkëqytetar i familjes Durazzo, por edhe shkrimtar me emër brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si dhe Silvio Magnolo, poet dhe muzikant, të dyja shkruar në gjuhën e Dantes.

« Këtu, ku asgjë nuk më përket ». Kur e lexon titullin të duket normale të mendosh se ka vende të cilat nuk të përkasin, siç ka edhe njerëz e ngjarje. Por nëse do të lexojmë vellimin e përbërë prej 17 poezish, e kupton se pika e dobët « e nuses  sonë »,  qëndron diku gjetkë.

Duke shfletuar që në pamje të parë, syri tërhiqet nga pikturat në akuarel të Helidon Halitit si dhe skica nga Maddalena Durazzo. Raporti vargje–ngjyra, jeshilja e cila përqafon natyrën, paqen që i fal çdokujt; lojra e gri-blusë së qiellit, të japin ndjesinë e një udhëtimi nga vargu në peisazh dhe e kundërta.

Bota njerëzore dhe vetë natyra, fatkeqësisht  nuk janë një. Ndërsa e para krijon shumë probleme, e dyta, nëse e njeh, dhe vlerëson, të jep me qindra zgjidhje dhe tepër paqësore.

Ky raport duket edhe në vargje ku përshkruhen njerëzit me tiparet e tyre, në një tablo herë gri, herë përvëlyese nga dielli, por gjithmonë për autoren mbeten të vërtetë si ngjyra gri e rërës, muret ngjyrë kanarine, flokët e verdhë…

« Në mbrëmje rreth tavolinës, burrat qeshin me shumë shpirt dhe me pak dhëmbë… »

« … Do m’a kish ënda të shijoja ende rrezet e diellit që Lezhës i burojnë shtatit,

moskokçarës ndaj askujt që vajton apo gzërdhihet nën të… .

Prej shekujsh, pa përse, lumi Drin gurron,

 Si të pohojë se bota dhe nga gërmadhat mund  ndërtohet.

”(Sula riva di Tale)

Lajmotivi i poezisë së saj mbetet natyra dhe shpirti i njeriut. herë i trazuar, herë pa shije, herë pa dritë, herë në kërkim të vetvetes…

« Korbi i bardhë që s’është i zi, por i zbehtë nga pritjet e vakëta… ». Drita e bardhe dhe trishtimi i zi, binome dhe duele të përditshme  në  jetën e gjithkujt, që  ekzistojnë  për t’i dhë në  vlera çdo momenti të  përjetuar.

« Një mik, fillikat, përballet me një dashuri të shteruar

 e do t’i rrëfejë fillimet e hapave të gabuar ».

 (Modeste miserie).

 « Si të ishte i pari qiell i kaltër

i pari diell vezullues

e para e qarë fëmije

e para herë kur fillova të hedh hapat në vendin, ku ty s’të shihja.

 Askund s’ekziston fotagrafia e foshnjës, kur bëlbëzon për herë të parë “nënë”.

(Un giorno, indossando la vita).

Natyra dhe njeriu ndjekin njëri-tjetrin, kujtimet, emocionet, dë shirat që përmbushin shpirtin jo vetëm të  poetes.

Poezitë nuk janë vetëm vargje që i përkushtohen viseve shqiptare të vizituara prej autores, por mua më pëlqeu të mbështetem në filozofinë që përshkon librin edhe « mbrëmjen e Krishtlindjes, kur nuk di ç’të shkruajë në barin përballë kamarierit me buzëqeshjen plastike… »

Gjendja e saj shpirtërore puqet me natyrën, me peisazhet, me fjalët që përshkruan nga kundrimet e veta..

“Ndoshta do të doje të ishe faqja e pavdekshme

e Leopardit, Kuazimondos, Bodler/

 por ja që je në mendjen e poezisë sime” 

(Sei nella mia mente di poesia)

Nga një varg në tjetrin, nga një figurë në tjetrën, nga një mendim poetik në tjetrin, krijohet gjerdani i vëllimit poetik.

Ajo nuk është thjesht një vëzhguese, admiruese e të përditshmes. Autorja duket se sa pushton, aq edhe rrëmbehet nga ritmet që i fal e përditshmja, me ngjyrat e dukshme dhe të padukshme të saj. Kjo është e veçanta që duhet të sjellë një poet për t’i bashkangjitur vargut, rimën e mendimit.

“ Lermë të çlodhem në ëndrrën tënde më të paqtë

me qepallat shtrënguar lehtë, të kundroj

Lermë të qëndroj

Dëshiroj të fle” 

(Nel tuo sognio migliore).

Udhëtimet e vargut janë të shkurtëra, por mbartin bërthamën e një mendimi që të bën të reflektosh me natyrshmërinë me të cilën rrjedhin.  

« Këtë muzg më thuaj se është vetëm fillimi

Kur mbrëmë mendova se gjithçka përfundoi…

Pëshpëris se ekziston »

(Ci sono)

Natyra vrapon pas vargjeve apo e kundërta.. Duket se edhe nëse ti nuk ke shkeluar në ato peisazhe, poezia të rrëmben e sikur të thotë : mos u kthe, diku do t’i falësh vetes magjitë e papërjetuara më parë. Nuk ndihet asnjë paragjykim « jashtë mode ». Meditimet e autores na shpien nga Lezha në Monako, nga lugina e Patokut drejt Tiranës e vise të tjera pa emër, por me emocione për të.

« Eci në Lagunën e Patokut e mbyllur tashmë,

që duket se më kundron, si e jashtëligjshme

në një harmoni të përgjakur nga historia…

Diku, mendimet pëshpërisin se patjetër duhet të ekzistojë një botë me krahë fluturash.. »

( La stanza sulla Laguna di Patok)

Ajo dhe tek vdekja sheh atë çka çuditërisht ne shpesh e harrojmë. Për të

 Çdo yll që bie, vdes i përflakur … »

(L’applausso)

Vargjet rrëshkasin të lirë, sikur t’i largohen rimave që ndoshta do t`i robëronin mendimit si një rrëfenjë kaluar nga qielli në tokë, nga dielli në shi, nga autostrada në xhade, herë edhe pa dritë, por jo pa jetë..

Heshtja komunikon me mendimin që ngjitet ngadalë në forcën e rrëmbyer nga ndjesia që i fal ajo çka e prek më thellë e që e shtyn ta përshkruaj nga dritarja gjysmë e thyer në Tiranë.

Në qytetin ku automjetet shpejt apo ngadalë vozitin, me po atë shpejtësi shfaqen e largohen dhe udhëtarët :

Do të kthehem një ditë

Këtu ku asgjë nuk më përket

(Guardando la campagna di Tirana dal finestrino mezzo rotto).

Dëshira e saj më në fund shprehet si një testament në poezinë e mbylljes së librit. Do të rikthehet sërish, këtu, ku me një pjesë të këtij vendi, ndihet tashmë e lidhur, jo vetëm si “detyrim familjar”, por diçka më tepër; gjithçka që e shtyu ta lërë shpirtin e lire, duke u ngacmuar si nga pluhuri dhe nga gurgullima, si nga heshtja dhe nga zhurma «e qeshjes së burrave me shumë shpirt dhe me pak dhëmbë atje në barin e Shënkollit »..

Çfarë ka thënë më të veçantën e saj Angela në këtë vëllim poetik… Ndoshta atë që një i jashtëm, por jo i huaj, e sheh dhe i ngacmon mendimin, penën dhe në fund përcjell një album apo një ekspozitë, e parë ndryshe në një vend, ku fare rrejshëm, i duket se asgjë nuk i përket…

Faleminderit Angela!

Mimoza KUCHLY /Paris 2019