Shanghai sipas Parid Turdiut
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Parid Turdiu
Për mua që i kam jetuar vitet e miqësisë shqiptaro-kineze, sa zbrita në aeroport në Shanghai më ra era Kinë: Ndërtesa kuti-katrore veshur me pllaka, si ekspozita kineze, më tej forma rrethore me neone. "Toka është katrore, qielli është i rrumbullakët" - thotë mitologjia kineze. Rregull, pastërti, njerëz të heshtur.
Ishte mbrëmje. Autobuzi i dedikuar që erdhi për të marrë grupin tonë ndjehej kinez. Kanë një stil grafik të dallueshëm, familjar për ne që kemi punuar në fabrika të ndërtuara nga Kina.
Ishte ora 20, errësirë, se në Shangai zbardhet e ngryset shpejt. Rruga për në qendër zgjati më shumë se një orë, nëpër detin e fabrikave dhe ndërtesave socialiste 4-5 katëshe. Dritat i mbanin përgjithësisht fikur, përveç ndriçimit bluistik të televizorëve. "Kursejnë korentin" - komentuam me njëri-tjetrin.
Pastaj filluan kullat e zyrave me emra të firmave industriale amerikane: Honeywell, Amgen, GE...
Hoteli, perëndimor, gjigant, ndodhej në lagjen qendrore koloniale, “The Bund” (shihet në foto si kulla më e lartë me çati në formë kurore).

Qëndruam në Shanghai 2 netë. (Më pëlqeu shërbimi i tyre, lakonik, shumë i respektueshëm, në kontrast me kamerierët amerikanë që ia kërcasin muhabetit me ty sikur keni ruajtur lopët bashkë.)
Qendra e Shanghai-t ndahet nga lumi Huangpu, me gjerësi 400 m, i cili derdhet në estuarin (gotullën) e lumit Jançe (Yangtze). Nga njëra anë ka lagjen europiane të viteve 1900, “The Bund",
nga ana tjetër ka distriktin financiar bashkëkohor me kulla xhami “Lujiazui”. Përshtypja e përgjithshme është si një New York City, por pak hodge-podge, pa gusto. Kur Kina humbi dy "luftërat e opiumit" në vitet 1840, u detyrua t'u jepte fuqive perëndimore, Anglisë, Francës dhe SHBA-së zona ekonomike në disa porte, të quajtura "konçesione". Ndërtesat koloniale i përkasin asaj kohe. Balli ishte ok, por lagjja mbrapa jo e mirëmbajtur. "Bund" domethënë bankinë lumi, ku i hypet anijes. Bundi i Shanghai-t është rruga e famshme, me ndërtesa stil Baroque, që kemi parë në filma. Ka një shëtitore 1.6 km në breg të lumit, me pamje mbi kullat përballë. Në mbrëmje mblidhen shumë njerëz, si xhiroja e dikurshme e Tiranës. Ndërtesat buzë lumit janë të veshura me drita LED dhe çdo natë bëjnë një spektakël madhështor ndriçimesh të kompjuterizuara.

Shanghai ka 4 shtresa artkitektonike: antike kineze, koloniale, socialiste dhe kapitaliste, Na çuan në një vilë antike në qendër të qytetit, me pavilione dhe kopshte klasike, pranë të cilës ishte Pazari i Vjetër kinez.

Pastai na çuan në Sheshin e Popullit, ku është Muzeu Historik, një kinezëri socialiste rrumbullake dhe bashkia, një kinezeri katrore. Pastaj na çuan për të bërë shopping.

Pallatet socialiste 5-6 katëshe, nëpër lagje, janë identike si në Tiranë. Kullat e xhamit në distriktin financiar janë supermoderne, perëndimore.
Njerëzit në rrugë ishin përgjithësisht të rinj, të veshur në mënyrë të mesme, të shkurtër, të pabukur, - një e hajrit në 500 (krahasuar me qendrën e Tiranës një në 10, në USA një në 100). Të vjetrit, 50+, duken shumë të lodhur (nga puna dërrmuese në fabrikat e socializmit ?)
Pas dy ditësh shkuam në një aeroport tjetër, për fluturime të brendshme. Këtë radhë ishte mbasdite, Distanca përsëri më shumë se një orë. Përmasat e gjithçkaje janë impresionuese. Autostrada është shumë e mirëmbajtur (me vazo me lule). Zona urbane dukej gjigante, e mbushur me ndërtesa 5-6 katëshe dhe infrastrukturë moderne rrugësh e hekurudhash. Pastërti dhe rregull, por pak mërzi.
Shangai ka 26 milion banorë, me një sipërfaqe prej 6 mijë km2, GDP për frymë është $20 mijë, PPP $40 mijë; është qyteti më i madh i Kinës dhe numri 2 pas Pekinit për nga kualiteti.
*Marrë nga profili në Facebook i Parid Turdiut dhe publikuar me lejen e tij.



