Andej-Këtej

Turqia mes Ataturkut dhe Erdoganit - Nga Klodi Stralla

Sot është festa kombëtare e Turqisë, dita kur në 29 tetor 1923 Mustafa Qemal-Ataturku, “babai” i kombit turk, shpalli Republikën e Turqisë, i dha asaj një orientim të qartë perëndimor duke kapërcyer një trashëgimi gjashtë shekullore osmane. Ka mbi dhjetë vjet që Turqinë e sotme e qeveris partia e Rexhep Taip Erdogan-it, me tendeca islamiste dhe neo-otomaniste, duke vënë në pikëpyetje shumë prej arritjeve politike dhe kulturore që la pas ai.

Ataturku jetoi në një periudhë shumë delikate për fatet e popullit turk, kur po shkërmoqej perandoria shumëkombëshe osmane dhe ishte në pikpyetje vetë ekzistenca e territoreve të saj. Ai bëri përpjekje titanike për ta shkëputur popullin turk prej të kaluarës mesjetare dhe për ta bërë atë një komb homogjen perëndimor dhe të modernizuar.

Ja ç’farë la si trashëgim Ataturku:

Rrëzoi Sulltanatin (monarkinë) dhe themeloi Republikën, duke i dhënë Turqisë një Kushtetutë me regjim autoritar. Lejohej vetëm një parti, “Partia e popullit”; një shef i vetëm, Ataturku, që përqëndronte në një dorë të vetme autoritetin e Presidentit të Republikës, Asamblesë Kombëtare dhe Kryetarit të Partisë; nuk lejohej opozita dhe shtypi ishte i kontrolluar.

Shfuqizoi Kalifatin (1924) dhe ndau fenë nga shteti. Islami nuk ishte më fe zyrtare.

Ndaloi shkollat e kolegjet fetare dhe vendosi një sistem të njësuar laik të arsimit publik.

Hoqi fesin si simbol të përkatësisë fetare dhe ndaloi përdorimin e ferexhesë; u garantua barazia ligjore e burrit me gruan, u ndalua martesa me shumë gra (poligamia), u njoh martesa laike dhe divorci. Më vonë, në vitin 1933 femrës iu dha e drejta e votës dhe në parlamentin turk në 1935 kishte 17 femra.

Shfuqizoi Sheriatin (ligjin kuranik) dhe e zëvendësoi atë me Kodin Civil zviceran, Kodin Penal francez dhe Kodin Tregëtar gjerman, duke suprimuar njëkohësisht gjykatat fetare.

Zëvendësoi kalendarin tradicional osman me 354 ditë me kalendarin gregorian me 365 ditë.

Vendosi sistemin metrik të peshave dhe matjeve.

Reformoi shkrimin e gjuhës turke duke zëvendësuar alfabetin arab dhe persian me atë latin.

Nxiti sipërmarrjen e lirë kapitaliste, duke i dhënë një hop të paparë zhvillimit ekonomik të vendit. Reformat ekonomike modernizuan bujqësinë, duke futur traktorin, ujitjen dhe kooperativat e tipit kapitalist. U ndërtuan rrugë dhe hekurudha, u zhvillua industria e sheqerit, çimentos, pambukut, leshit, u ndërtuan centrale elektrikë, u modernizuan minierat. U hapën bankat dhe u vendos interesi i kredisë. Tani e tutje bujku turk nuk punonte më për tregëtarin spekulant hebre apo armen, i cili ia blinte prodhimin lirë për ta shitur trefish, por u bë zot i djersës të tij. Ataturku tha: - ”Plugu e mposhti shpatën”!

Ndonëse reformat qemaliste patën një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e popullit turk, të ngjashme me reformat e Pjetrit të Madh në Rusi apo Frederikut të Madh në Prusi, duke e orientuar Turqinë kah Europa, fakti që ajo ende nuk pranohet në BE, tregon se Europa e sheh Turqinë si një vend të kulturës islame dhe larg standardeve demokratike të saj.

Kjo është arsyeja që elitat politike, ekonomike dhe kulturore turke, pas përpjekjesh shumvjeçare për t’iu bashkuar familjes europiane, me partinë e Erdogan-it dhe të Davutoglu-së në pushtet, po shohin mundësinë e një alternative tjetër, të ndryshme nga ajo europiane, atë të neo-otomanizmit, duke iu rikthyer mbështetjes tek besimi islam si faktor kohezioni për ndërtimin e një Turqie fuqi rajonale, me ndikim ekonomik, ushtarak dhe kulturor tek vendet e ish-perandorisë osmane të besimit mysliman, në të cilat, sipas tyre, përfshihemi edhe ne shqiptarët.

Varet nga qëndrimi europian, nëse do t’a shtyjnë Turqinë drejt një vizioni të tillë, shenjat e të cilit u dukën hapur në vizitën e para pak viteve të Kryeministrit turk në Kosovë apo do ta pranojnë atë në gjirin e familjes europiane, duke ruajtur dhe konsoliduar më tej trashëgiminë e Ataturkut. Kjo mbetet për tu pare.