Andej-Këtej

Historia e bashkimit të Teksas me SHBA - Nga Albana Lifschin

Për Amerikën gjysma e parë e shekullit të 18-të ishte koha e zgjerimit të madh gjeografik. Mijëra banorë kapërcyen malet Apalashe e vazhduan drejt perëndimit. Këta ishin pionierët e parë që e shtynë më tej kufirin amerikan. Shumica e amerikanëve të fillimit të shekullit 19-të, mendonin se ky ishte një zgjerim i natyrshëm, një përdorim i të drejtës se tyre natyrore për t'u përhapur në sipërfaqen që shkonte deri në Pacifik. Sidoqoftë zgjerimi nuk ishte i lehtë pasi bëhej në kurriz të popullsise vendase, "indianëve", që jetonin në këto toka e që e konsideruan amerikanin si pushtues. Ata qenë rezistenca e parë, por jo e vetme.

Kur amerikanët u dyndën drejt perëndimit ndeshën me Teksasin. Teksasi ishte pjesë e territorit meksikan, i cili nuk kishte shumë që kishte fituar pavarësinë nga Spanja. Gjatë viteve 1820-1830 shumë amerikanë u bënë banorë të Teksasit. Ata sollën me vete gjuhën e mënyrën e tyre të jetesës. Kjo përplasje u rrit në konflikt të armatosur. Për Meksikën ishte luftë për të ruajtur integritetin e saj si shtet kundër "Yanquis" të paligjshëm. Por më shumë se aq ishte luftë për tokë. Antonio Lopes de Santa Anna, figura më e shquar politike e Meksikës në atë kohë, shkruante se "do bënte çmos ta ruante integritetin toksor të Meksikës me çdo kusht. Qeveria Amerikane e asaj kohe besonte që toka i përkiste atij që ishte më i zoti për ta marrë e per ta mbajtur atë.

Fillimisht kur amerikanët e parë nisën të hyjnë në Meksikë, qeveria meksikane nuk i kushtoi vëmëndje këtij fakti si një rrezik i ardhshëm. Në 1821, një amerikan biznesmen Moses Austin (dhe me pas i biri, student i drejtësisë, i quajtur Stephen Austin) i bindi autoritetet e vëndit t'u jepnin banorëve amerikanë tokë të pabanuar, të egër, ku të ngrinin shtëpitë e tyre pasi kjo do të qe në të mirën e Meksikës. Banorët e rinj, do shkëputeshin nga Amerika, do bëheshin qytetarë të Meksikës e do paguanin taksa duke ndihmuar buxhetin e shtetit. Madje do të ndrronin fenë e tyre e do t’u bindeshin ligjeve të vëndit e përfundimisht do të bëheshin meksikanë. Qeveria ra dakort.

Pas kësaj mijëra e mijëra amerikanë u derdhën në Teksas, por ndodhi e kundërta e asaj që pritej. Amerikanët sollën me vete mënyrën e tyre të jetesës, dhe nuk ndërruan as fenë, as gjuhën e as zakonet. Për më tepër shumë prej tyre sollën me vete edhe skllevërit e tyre në një kohë që skllavëria nuk egzistonte në Meksikë. Qeveria nxorri një ligj në të cilin e quante skllavërinë të paligjshme, duke dashur të pengonte dyndjen e amerikanëve që tashmë po dilte jashtë kontrollit. Por ligjet e nxjerra që kufizonin emigracionin u injoruan nga popullsia amerikane.

Në vitin 1834 në Teksas banonin më shumë se 30 mijë amerikanë. Meksikanët vëndas nuk shkonin as 7500 dhe jetonin në ferma të vogla. Të dy palët kishin kontradikta të papajtushme me njëri tjetrin. Kjo rriti tensionin i cili me marrjen e pushtetit nga diktatori i ri i vëndit Santa Anna, afroi luftën. Në vitin 1835 ai dërgoi trupat në jug të Teksasit për të forcuar disa garnizone ushtarake dhe njëkohësisht për t'u dërguar një mesazh amerikanëve të Teksasit që të mos thyenin më ligjet. Mirëpo ky veprim bëri efekt të kundërt. Temperamenti teksas u ndez. Ata qëlluan mbi patrullat ushtarake të cilat u kthyen zjarrin. Atëhere banorët e Teksasit ngritën njësitë e tyre ushtarake e morën kontrollin e qyteteve San Antonio e Gonzales duke i shpënë mesazh Santa Annas se amerikanët e Teksasit nuk mund të kërcënoheshin. Santa Anna i egërsuar mori vendim të shtypte rezistencën e tyre.

Beteja midis forcave kundërshtare u bë në Los Alamos në shkurt të 1836. Udhëheqësi i rezistencës, Trevis, dha urdhër të binin këmbanat e kishës për të mbledhur forcat kundër ushtrisë së Santa Annas. Trevisi i grumbulloi luftëtarët e tij në Los Alamos në një manastir të vjetër të braktisur ku u bënë përgatitje të shpejta për luftë. Në të njëjtën kohë ai dërgoi një lajmëtar tek Sem Hjustoni, duke i kërkuar përforcime. Fatkeqësisht, Hjustoni do e merrte lajmin katër ditë pasi tragjedia e Alamos kishte ndodhur. Kur lajmëtari i Santa Annas iu afrua Los Alamos për t’u ofruar marrëveshje të rrethuarve, teksasit qëlluan. Ajo e shtënë ishte mesazhi i përgjigjes.

Teksasit nuk ishin për marrëveshje, por për luftë pa lëshime. Një orë më vonë, kur topat e ushtrisë po godisnin pa mëshirë manastirin ku ishin rrethuar amerikanët, komandanti Trevis shkroi mesazhin e tij të famshëm drejtuar popullit të Teksasit dhe amerikanëve kudo në botë. "Jemi rrethuar nga 1000 a më shumë meksikanë nën komandën e Santa Annas. I kam qëndruar bombardimit të vazhdushëm për 24 orë dhe nuk kam humbur asnjë ushtar. Flamuri ynë valvitet krenar. Unë kurrë nuk do të dorëzohem apo tërhiqem. Ju bëj thirrje juve në emër të lirisë, patriotizmit e çdo gjëje që është e shtrenjtë për karakterin amerikan, të na vini në ndihmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë jam i vendosur që të qëndroj gjatë sa të mundem dhe të vdes si ushtar i cili kurrë nuk harron çfarë i detyrohet nderit të tij ose vëndit të tij - Fitore ose vdekje!"

Pas 13 ditë luftimesh, gjenerali Santa Anna urdhëroi një sulm të përgjithshëm mbi Los Alamos. Ushtarët meksikanë u derdhën mbi muret e tij. Numri i tyre ishte jashtëzakonisht i madh. Pas një gjysëm ore të 187 mbrojtësit e Los Alamos kishin rënë të vdekur, por edhe për Santa Annan fitorja qe e kushtueshme. Ai humbi më shumë se 1500 ushtarë. Hakmarrja kundër mbrojtësve u bë e pamëshirshme. Santa Anna nuk lejoi as t'u bëhej varrimi trupave të vdekur por i mblodhi turrë e u vuri zjarrin. Ndërkohë që zhvillohej beteja e Los Alamos, vetëm dy milje në veri të saj, udhëheqësit e rezistencës deklaruan pavarësinë e Teksasit. Në deklaratëne tyre thuhej se qeveria e Meksikës kishte shkelur të drejtat më të shenjta të qytetarëve. Santa Anna iu përgjigj deklaratës me masakrën e dytë që u quajt masakra e Goliadit. Urrejtja e banorëve amerikanë të Teksasit kundër Santa Annas u bë e pakufishme. Sem Hjustoni vendosi për hakmarrje duke pritur rastin evolitshëm. Kjo ndodhi në fund të Prillit 1836 kur ushtritë e Santa Annas nuk e prisnin. Ushtarët amerikanë u hodhën mbi kampin e armikut duke thirrur "Kujtoni Alamon! Kujtoni Goliad! Beteja zgjati vetëm 18 minuta. Meksikanët të hutuar pa patur kohë të organizoheshin për luftë u dorëzuan. Mbi 600 meksikanë u vranë dhe pati shumë të plagosur dhe robër. Midis tyre u kap rob edhe vetë gjenerali Santa Anna.

Teksasi iu aneksua Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1845 në kohën e presidentit Polk.

Nga libri “Udhëtim në Historinë e Amerikës” (botuar 2003, ribotuar 2006 dhe 2010 në Prishtinë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve të Kosovës)