Andej-Këtej

Të pasur në para, të varfër në dashuri - Nga Albana Lifschin

Çdo vit Thanksgiving e kemi bërë këndej nga ne, por jo mbrëmë. Kishim vendosur që më parë të mblidheshim nga nëna e tim shoqi. Kështu bëmë. Tërë gatimin e ngarkuam në makinë dhe shkuam andej. Vjehrra i kaloi të 100 vjetët dhe në atë moshë për të është e lodhshme të ngjisë shkallët qoftë edhe një kat më sipër. Që t’i bie shkurt, aty nga ora 8-të e darkës festive, vjehrra filloi të shqetësohet. Kërkoi t’i mbushnim një pjatancë me të gjithë të mirat që kish tavolina dhe i tha Stesit t’ia dërgonte mikeshës së saj, matanë rrugës. S’e përmbajta dot habinë. Një grua e vjetër kishte nevojë për ushqim në mbrëmjen e Thanksgiving. Dikush, që banonte në një lagje të mirë, ku të gjitha apartamentet janë kondominium?

-U gëzua shumë, dhe të falenderon me mirënjohje, -tha Stesi, me të hyrë në derë.

-Ndodhet vetëm fare në Thanksgiving? As gruan që kujdeset për të nuk e ka? pyeta unë.

- Ajo rri me të vetëm 4 orë, sepse djali i plakës nuk paguan për më shumë.

- Ndoshta s’kanë mundësi financiare?

- Sigurisht që kanë! Ai me familjen jeton në lagje pasanikësh, në Nju Xhërsi, por nuk i ka vënë nënës kujdes 24 orësh! Nuk do të prishë paratë!

Vihej re një pakënaqësi e hapur në zërin e saj. Dukej Stejsi dinte më shumë për këtë punë. Zonja përtej rrugës i kishte kapërcyer të nëntëdhjetat dhe ia kishte kaluar paratë të birit për t’ja qeverisur. Ai as që kishte marrë mundimin të vinte ta shihte nënën e tij as edhe për ditën e Thanksgiving, që është festa më popullore e familjare në Amerikë.

-Këta njerëz nuk çajnë kokën për nënat e moshuara, -vazhdoi ajo,- këta duan që ato të vdesin, që t’u marrin paratë!

Kjo më kujtoi ngjarjen e një viti më parë që pushtoi ekranet televizive, dhe ngjalli revoltën e opinionit publik amerikan. Sado përpara të shkojë Bota, nuk duhet të shkelë mbi magnetin që e mban në ekzistencë, dashurinë prindërore. Ishte historia e dashurise së nënës për fëmijën dhe mençurinë e të shoqit. Atë ditë që u martuan, ai i premtoi gruas që do të blente një shtëpi private, të bukur e me oborr ku do të rriteshin fëmijët e tyre. Dhe filloi bënte dy punë njëherësh për të mbajtur premtimin. Shtepia u ble dhe gjithçka u lidh me të, ëndërat, fëmijët, e ardhmja. Djemtë u rritën, u shkolluan, u martuan dhe shkuan në shtëpitë e tyre. Foleja e prindërve i mblidhte sërish në grohtësinë e dashurinë e saj. Babai i bëri edhe disa shtesa të vogla duke e zgjeruar e bërë me komode për të gjithe. Para se të vdiste i la amanet gruas së dashur, që "në asnjë rrethanë të mos lëvizte nga shtëpia, por të jetonte aty deri në ditën e fundit". Ajo shtëpi mbante kujtimet e gjithë jetë së tyre. Gruaja i dha fjalën. Kur mbushi tetëdhjetë vjeç, ajo vendosi ta kalonte shtëpinë në emrin e djalit të madh, por me një kusht: Do të jetonte në atë shtëpi deri ditën e fundit të jetës,-duke mbajtur amanetin e të shoqit.

Vitet kaluan, gruaja u bë 90 vjeç. Megjithëse e moshuar ishte në gjendje të gatuante për veten e saj. Mikeshat e vjetra e vizitonin shpesh e shpesh e merrnin të drekonin jashtë sëbashku. Ndodhej vazhdimisht nën kontrollin rutinë të mjekëve dhe kujdesin e një gruaje të punësuar posaçërisht për të. Vetëm vizitat e djalit trashëgimtar erdhën duke u ralluar; kalonin muaj e muaj të tërë pa e parë nënën.

Një fillim dhjetori zonjës së moshuar i vjen një letër ligjore që i kërkonte të dilte nga shtëpia e saj, shtëpia e më shumë se 60 vjetëve. Djali trashëgimtar nuk kishte duruar më. Nëna kishte jetuar gjatë, përtej parashikimit të tij. Atij i duhej shtëpia se nga shitja e saj mendohej të merrte mbi 330.000 mijë dollarë. Djali e vuri nënën para alternativës: “Duhet të shkosh në azil pleqsh dhe rri atje me moshatarët e tu. Në këtë shtëpi nuk mund të jetosh më. Ajo me ligj më takon mua”.

Gruaja kuptoi thellë amanetin e mënçurinë e të shoqit.

(Nga shënimet e mia 2012. Përfshirë në librin "Perëndimi Mistik" botuar në USA)