Andej-Këtej

NO EXIT! … PAS BREXIT - Nga Ardian Muhaj

Megjithëse, që nga tronditja që solli rezultati i referendumit britanik në Qershor të 2016, është kthye në modë që të interpretohen të gjitha zgjedhjet apo referendumet që bëhen në Europë në këndvështrimin e pritshmërisë së një qëndrimi apo largimi të mundshëm nga BE-ja, e vërteta është se këto interpretime janë të pabazuara. Është shumë domethënës fakti që, megjithëse votimi i britanikëve pro daljes nga BE-ja solli një tërmet në politikën europiane, deri tash nuk shihet asnjë përpjekje e Londrës për ta eksportuar “revolucionin” exit-as në kontinent. Britanikët votuan thjesht e qartë me u shkëput ata vetë nga blloku kontinental, por nuk kanë asnjë interes që edhe shtete të tjera të ndjekin udhën e tyre.

Rasti britanik është një rast që nuk ka të ngjashëm në Europë dhe kopjimi i tij nga shtete të tjera është i pamundur. Mbretëria e Bashkuar ishte edhe para referendumit të Qershorit 2016 edhe pas zgjedhjeve të 12 Dhjetorit 2019 gjysëm e integruar në BE krahasuar me anëtarët e tjerë. Edhe përpara referendumit Londra ishte më afër derës së daljes se sa të qëndrimit në BE. Në shumë aspekte britanikëve u kushton më shumë qëndrimi në BE se sa dalja prej tij. Edhe integrimi i tyre në BE është bërë me vonesë dhe gjysmak. Pra vetë dinamika e integrimit të Britanisë në BE, ka qenë e tillë që më shumë ka tentuar drejt veçimit nga BE se sa drejt integrimit në të.

Mbretëria e Bashkuar nuk është shtet anëtar i marrëveshjes së Shengenit dhe as pjesë e Eurozonës. Këto dy aspekte themelore të integrimit europian britanikët i kishin tashmë të parealizuara për dëshirën e tyre të plotë edhe para referendumit të Brexit-it. Rëndësia e tyre për pozitën e veçantë të Mbretërisë së Bashkuar në BE mund të ilustrohet me faktin se në referendumin skocez mbi qëndrimin apo daljen nga Mbretëria e Bashkuar, kali i betejës së Londrës për të influencuar rezultatin e referendumit në favor të qëndrimit të skocezëve në shtetin e përbashkët britanik, ishte këmbëgulja për të mos lejuar përdorimin e monedhës britanike, në një Skoci të pavarur. Fitorja e kundërshtarëve të pavarësimit të Skocisë në referendum, u mundësua falë kësaj jo-je kategorike të Bankës së Anglisë dhe Londrës zyrtare.

Ka shumë aspekte të tjera që e bëjnë të mundshëm e të natyrshëm Brexit-in dhe po ashtu shumë aspekte që e bëjnë çdo exit tjetër nga vendet e tjera të BE-së të panatyrshëm dhe kundërproduktiv. Më i rëndësishmi është interesi i qarqeve financiare të Londrës për të mos iu nënshtruar kufizimeve dhe rregullimeve të detajuara të Brukselit në sektorin bankar. Pavarësisht debatit shoqëror që e shoqëroi, Brexit është nisur dhe mbështetur jo thjesht nga populistët dhe konservatorët e tipit të Nigel Farage apo Boris Johnson, por nga lobingu i fuqishëm i sektorit bankar ose më saktë industrisë financiare. Sektori financiar në Londër e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme ndërhyrjen e Brukselit në rregullimin e këtij sektori duke e parë si kufizim të lirisë ekonomike. Ky rol kufizues, kontrollues dhe rregullues i Brukselit u bë akoma edhe më i madh e pengues nga viti 2008 me fillimin e krizës ekonomike. Sektori financiar është ndër kontribuesit më të mëdhenj të ekonomisë britanike dhe liria ekonomike është thelbi i suksesit të këtij sektori. Kërcënimi i kësaj lirie nga Brukseli më shumë se sa klishetë ksenofobe të UKIP-it të Farage, kontribuan në fitoren e Brexit-it. Pra, në themel të Brexit-it qëndron interesi ekonomik i Londrës për të ruajtur lirinë në tregjet financiare botërore të sektorit bankar anglez dhe jo thjesht ndjenjat ksenofobe të sektorëve të caktuar të shoqërisë angleze. Brexit-i mbështetet thjesht në logjikën dhe interesin ekonomik.

Një rast i ngjashëm me Britaninë është ai i Turqisë. Pozita gjeografike e bën Turqinë një shtet qëndror në ekulibrat botërorë. Në dekadën e fundit kësaj pozite të pashoqe gjeostrategjike i është shtuar edhe dimensioni ekonomik si pasojë e dinamikës së lartë të zhvillimit që ka njohur ekonomia turke. Anëtarësimi në BE do ta shndërronte Turqinë nga një vend me pozitën më të favorshme gjeografike ndërmjet Mesdheut, Europës dhe Azisë, në një periferi gjeografike të BE-së.

Nga ana tjetër për vendet e tjera të BE-së një exit është i pamundshëm dhe i dëmshëm mbasi do të ishte kundërproduktiv dhe rrënues për ekonominë e tyre. Vendet mesdhetare dhe ish-komuniste të BE-së nga njëra anë janë përfituesit më të mëdhenj të fondeve komunitare dhe nga ana tjetër niveli i integrimit në mekanizmat dhe institucionet e përbashkëta e bën çdo tendencë për dalje të papërballueshme ekonomikisht. Nga fondet komunitare të kohezionit dhe zhvillimit, janë pikërisht vendet mesdhetare dhe ish-komuniste që kanë përfituar dhe përfitojnë më së shumti. Këto vende më shumë marrin se sa kontribuojnë në fondet komunitare europiane, prandaj nuk mund të kenë sukses forcat euroskeptike për t’i bindur qytetarët e këtyre vendeve për të kërkuar një dalje nga BE.

Vendet e veriut të BE, ato që edhe më shumë kontribuojnë në arkën e përbashkët të BE-së, kanë interesa shumë më të mëdha se sa pakicat euroskeptike të këtyre vendeve, që i shohin vendet mesdhetare dhe ish-komuniste dhe fondet që akordohen për to, si shpërdorim dhe barrë ekonomike. Vendet e industrializuara të Europës veriore kanë përfitime shumëfish më të mëdha nga tregu i përbashkët europian, se sa fondet që këto shtete derdhin në arkën e përbashkët. Vendet mesdhetare dhe ish-komuniste, përpara se të jenë përfitues të fondeve komunitare, janë treg për shitjen e prodhimeve industriale të vendeve veriore. Kemi të bëjmë me një simbiozë, në të cilën si vendet më të zhvilluara, ashtu edhe ato më pak të zhvilluara, kanë interesa themelore dhe përfitime të ndërsjellta.